ASHAM: Në Maqedoni ka vetëm një akademi nacionale

Pas njoftimit e katër komunave shqiptare se, do ta financojnë themelimin e Akademisë shqiptare në RMV, ka reaguar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM). Kryesia e ASHAM bëri me dije se Akademia asnjëherë nuk është marrë dhe nuk do të merret me debate politike ditore dhe diskutime partiake, të cilat e ngarkojnë veprimtarinë […]

tetor 17, 2024 - 22:00
 0  8
ASHAM: Në Maqedoni ka vetëm një akademi nacionale
Kryetari i Akademisë në Maqedoninë e Veriut, Zhivko Popov, ASHAM.

Pas njoftimit e katër komunave shqiptare se, do ta financojnë themelimin e Akademisë shqiptare në RMV, ka reaguar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM). Kryesia e ASHAM bëri me dije se Akademia asnjëherë nuk është marrë dhe nuk do të merret me debate politike ditore dhe diskutime partiake, të cilat e ngarkojnë veprimtarinë e rregullt të Akademisë, gjegjësisht me çështje që janë në domenin e legjislativit dhe institucioneve shtetërore, transmeton Portalb.mk.

“Nënvizojmë se, në Maqedoni, si dhe në vendet në rajon dhe në botë, ekziston vetëm një akademi nacionale që përfaqëson shtetin në asociacionet evropiane dhe ndërkombëtare të akademive. Ka shembuj në vendet e rajonit dhe më gjerë për formimin e të ashtuquajturve akademi profesionale në kuadër të shoqatave përkatëse profesionale (Akademia e Arkitekturës, Akademia e Shkencave Mjekësore etj.), si dhe shoqëri të tjera shkencore dhe artistike në qytetet më të mëdha dhe në qendrat rajonale, por nuk ka shembuj të krijimit të akademive paraleleve nacionale”, thuhet në reagimin e ASHAM.

Ata më tej kanë shtuar se, akademia ka qenë gjithmonë e hapur për të gjithë qytetarët që plotësojnë kriteret e larta shkencore dhe artistike për anëtarësim, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër.

“Partitë politike dhe ndikimet e tyre nuk kanë pasur kurrë vend në të. Nga themelimi i saj e deri më sot, anëtarë të Akademisë kanë qenë pjesëtarë të popullit maqedonas, por edhe të të gjitha bashkësive etnike. Ndër të tjera, në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, përbërja e ASHAM-it përbëhej nga katër anëtarë të përkatësisë etnike shqiptare (prej të cilëve, në tre kryesitë e njëpasnjëshme, njëri prej tyre mbante postin e sekretarit shkencor, dhe dy ishin nënkryetarë të Akademisë, njëri prej tyre me mandat në kryesinë aktuale të Akademisë), si dhe katër anëtarë jashtë përbërjes punuese. ASHAM është institucioni më i rëndësishëm kombëtar shkencor e artistik me interes të veçantë shoqëror në vendin tonë, i krijuar në vitin 1967, në përputhje me standardet dhe kriteret më të larta shkencore e artistike universale. Për disa dekada me veprimtarinë e saj kërkimore-shkencore, me krijimtarinë dhe me rolin e saj këshillues, ajo paraqet shtyllë në ndërtimin dhe ruajtjen e identitetit dhe shtetësisë së popullit maqedonas dhe pjesëve të popujve të tjerë që jetojnë në vend”, qëndron në reagimin e ASHAM.

Kujtojmë se, më 15.10.2024  kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Çairit dhe Zhelinës kanë pasur një takim me përfaqësues të kësaj shoqate dhe kanë paralajmëruar se do ta financojnë funksionimin e shoqatës “Akademia e Shkencave dhe e Arteve Shqiptare”, e cila ka ambicie  të rritet në akademi.

Koalicioni VLEN, që është pjesë e Qeverisë, njoftoi më 28 korrik se ka filluar procedurë për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut. Lideri i koalicionit, Arben Taravari publikoi në Facebook se, mbledhja e parë për këtë temë është mbajtur në Tetovë, por selia e akademisë do të jetë në Shkup.