Skema e re piramidale “Grok” – pasardhëse e “Konti”-it, u shua për më pak se tre javë

Skema e re piramidale “Grok”, së cilës iu bashkëngjitën më shumë se dy mijë qytetarë, u shua për më pak se tre javë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk. Ky aplikacion u lansua nga 24-vjeçari Martin Stojanov nga Radovishi, i cili paraprakisht e ka promovuar aplikacionin “Konti”, nga i cili fituan, por edhe humbën para me mijëra […]

tetor 27, 2024 - 07:00
 0  7
Skema e re piramidale “Grok” – pasardhëse e “Konti”-it, u shua për më pak se tre javë
Konti, Grok. Foto nga Meta.mk

Skema e re piramidale “Grok”, së cilës iu bashkëngjitën më shumë se dy mijë qytetarë, u shua për më pak se tre javë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk. Ky aplikacion u lansua nga 24-vjeçari Martin Stojanov nga Radovishi, i cili paraprakisht e ka promovuar aplikacionin “Konti”, nga i cili fituan, por edhe humbën para me mijëra njerëz nga Kavadari, Radovishi, Velesi…

U investuan  me qindra e madje edhe me mijëra euro, ndërsa ata që u bashkëngjitën të fundit, me investime më të larta, humbën shumë, për çka Meta.mk tashmë ka shkruar.

Me shpresë se do t’i kthenin paratë disa qytetarë iu bashkëngjitën aplikacionit të ri “Grok”.

“Edhe pse jam djegur nga “Konti” sërish dua të investoj në paketën prej 800 dollarësh me shpresë se do të kthej diçka”, shkruan në Telegram një nga përdoruesit e rinj potencialë të “Grok”.

Para hapjes së aplikacionit “Grok”, përdoruesit ishin të njoftuar me mënyrën se si funksiononte skema e cila ishte pothuajse identike me atë të “Konti”-t. Instalohet aplikacioni dhe investohet një shumë e caktuar parash – për 100 dollarë të investuara fitohen 5 dollarë në ditë, për 300 dollarë të investuara fitohen 15 dollarë, etj.

Aplikacioni Grok. Foto nga Meta.mk
Aplikacioni Grok. Foto nga Meta.mk

Përdoruesit duhet të klikojnë pëlqime në reklama të caktuara për filma (diçka që nuk ka të bëjë fare me fitimin), por ajo që është më e rëndësishme është se ata duhet të gjejnë sa më shumë njerëz që të jenë “nën to”. Në fakt, kështu edhe ndërtohet e gjithë “piramida” ndërsa pagesat kryhen përmes platformës së tregtimit të kriptovalutave Binance. E kështu ndodh derisa sa të “shembet” piramida, ndërsa kjo zakonisht ndodh kur lëshohet një paketë prej disa mijëra eurosh, përdoruesit do shpejtojnë që të investojnë e pastaj papritur të gjitha pagesat ndërpriten.  Dikush del më i pasur, dikush me bilanc zero, ndërsa dikush më i varfër për mijëra euro. Por një gjë është e qartë – të gjithë i hyjnë kësaj skeme vullnetarisht.

Pak më pak se tre javë më parë Martin Stojanovi për Meta.mk deklaroi se biznesi do të zgjerohet, ndërsa zyrat e “Konti”-t do të ribrendohen në “Grok”, por siç tha ai, nuk mund tu garantojë njerëzve se deri kur do të funksionojë.

“Unë i paralajmërova njerëzit se “Konti” do shuhej, nga 14.000 njerëz vetëm 2.000 më dëgjuan. Ata tani presin një shans të ri nga unë”, tha Stojanov më 7 tetor, duke shtuar se “çdo gjë është në rrezikun e tyre, sepse nesër mund të shuhet edhe ky aplikacioni i ri”.

Siç  publikoi “Prizma”, ditën e premte u shua edhe aplikacioni DGPT, pra i ka ndërprerë pagesat për klientët.

Se kush qëndron në majë të piramidës vështirë se mund të zbulohet, por sipas hulumtimit të njëjtat personazhe mund të shihen edhe pas “Konti”-t dhe pas DGPT-së.

Kur paralajmërimet për një mashtrim të mundshëm filluan të qarkullojnë në internet, “Konti” publikoi një konferencë për shtyp për të cilën ata pretendonin se ishte mbajtur në Londër, edhe pse  mediat sllovene duke analizuar detaje nga hoteli zbuluan se ajo ishte mbajtur në Bogota, Kolumbi. Kërkimet në internet nxorën në pah se një nga folësit në konferencë ishte një aktor i cili ishte angazhuar ta luajë rolin e një investitori të kënaqur, ndërsa rrejshëm u prezantuan edhe “drejtorët” që flisnin në të.

Siç shkruan Prizma. dy javë më vonë një konferencë shumë e ngjashme me këtë u publikua edhe nga DGPT. Po e njëjta grua e re shtatlartë, me flokë të gjatë ngjyrë kafe, e cila ishte prezantuese në konferencën për shtyp të mbajtur nga “Konti”, në DGPT figuron e nënshkruar si Sara Tomson, drejtore ekzekutive e kompanisë.

Mund të thuhet se pothuajse nuk ka asnjë mënyrë për t’i ndaluar këto skema piramidale. Agjencia e Inteligjencës Financiare i paralajmëroi  qytetarët që të jenë të kujdesshëm me paratë e tyre dhe në kohë t’i dallojnë platformat e investimeve fiktive mashtruese, pra të mos investojnë në platforma dhe aplikacione të tilla. Përmes një komunikate nga atje thonë se duhet pasur kujdes gjatë periudhës së rritjes së aktiviteteve reklamuese në rrjetet sociale që kanë të bëjnë me të ashtuquajturat platforma për fitimin e parave të shpejta në internet.

“Agjencia e Inteligjencës Financiare, si institucion kompetent i themeluar për mbledhjen dhe analizimin e raporteve për transaksione të dyshimta dhe informacione të tjera me rëndësi për parandalimin dhe zbulimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i bashkëngjitet thirrjeve të organeve të tjera kompetente dhe i paralajmëron qytetarët që të jenë të kujdesshëm me paratë e tyre dhe në kohë t’i dallojnë platformat e investimeve fiktive mashtruese, pra të mos investojnë në platforma dhe aplikacione të tilla”, thuhet në njoftim.

Duke pasur parasysh se një numër i madh i qytetarëve kanë fituar kriptovaluta nëpërmjet ofruesve të shërbimeve që kanë të bëjnë me mjetet virtuale në vendin tonë (kryesisht këmbimoret lokale në vend që janë të ngarkuara të zbatojnë masa dhe veprime për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit), Agjencia u bën thirrje atyre që të mos i inkurajojnë dhe të mos i ndihmojnë qytetarët në realizimin e transaksioneve, pra depozitimin e kriptovalutave në aplikacione të tilla mashtruese.