Balancuesi iku, Ligji për përfaqësim të drejtë s’erdhi: RMV-ja pa kontroll në përfaqësimin etnik, VLEN nuk i mbajti premtimet

Pavarësisht nevojës, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk është prezantuar para opinionit edhe pas shtatë muajsh që nga shfuqizimi i instrumentit “Balancues” me të cilin rregullohej përfaqësimi i drejtë i komuniteteve në administratën shtetërore. Në këtë periudhë përfaqësuesit e koalicionit VLEN kanë dhënë shumë premtime për këtë ligj, por deri më tani, ky […]

maj 17, 2025 - 12:00
 0  5
Balancuesi iku, Ligji për përfaqësim të drejtë s’erdhi: RMV-ja pa kontroll në përfaqësimin etnik, VLEN nuk i mbajti premtimet
Liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. Foto printscreen

Pavarësisht nevojës, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk është prezantuar para opinionit edhe pas shtatë muajsh që nga shfuqizimi i instrumentit “Balancues” me të cilin rregullohej përfaqësimi i drejtë i komuniteteve në administratën shtetërore. Në këtë periudhë përfaqësuesit e koalicionit VLEN kanë dhënë shumë premtime për këtë ligj, por deri më tani, ky ligj nuk ka parë ende dritë, shkruan Portalb.mk.

Çështja e këtij ligji u riaktualizua përsëri pas daljes nga qeveria të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, ku ai tha se se një nga arsyet e largimit ishte edhe heqja e “Balancuesit”, duke theksuar se vazhdimisht është premtuar se do të sillet ligji për përfaqësimin adekuat, por nuk ka diçka konkrete.

Ndërsa ndaj kësaj deklarate, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti tha se Taravari “nuk e ka pasur mendjen te ligji”.

Protagonistët e koalicionit VLEN tani e një kohë të gjatë vazhdimisht dalin me deklarata se është në përfundim procesi i zgjidhjes ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që nga shfuqizimi i mekanizmit juridik “Balancuesi”, por që ende nuk është prezantuar i njëjti.

Portalb.mk ka përgatitur kronologji të këtyre deklaratave.

“Nuk dëmtohet procesi me daljen e Aleancës për Shqiptarët nga qeveria. Së shpejti do kemi konferencë për media” u përgjigj zëvendëskryeministri Izet Mexhiti në pyetjen e Portalb.mk.

“Nuk është zgjidhje e lehtë, kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, në mënyrë që mos të ketë improvizime. Jemi në fazën finale, të konsultimeve të grupeve punuese. Afat përfundimtar nuk mund të vendojmë në këtë drejtim. Duhet të gjendet zgjidhje e qëndrueshme. Kemi diskutime në baza ditore, në kuadër të ekipit që është duke e përgatitur dhe finalizuar këtë projekt ligj. Unë këtë javë do kem takim, uroj, të fundit në nivel të grupit të ekspertëve dhe pastaj do dalim bashkë me kryeministrin Mickoski do e promovojmë, do e paraqesim para opinionit”, u përgjigj në pyetjen gazetareske të Portalb.mk, zëvendëskryeministri Arben Fetai.

“Ligji për përfaqësim të drejtë ditëve në vijim do të prezantohet dhe do të hyjë në procedurë. Përkundër asaj ne kemi marrëveshje politike për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe sipas analizave kur nuk ka ekzistuar balancuesi me marrëveshje politike është bërë rritja rapide e përfaqësimit të shqiptarëve në Qeveri”, u shpreh zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti theksoi se pret takimin e fundit për finalizim të formës së Ligjit për përfaqësim adekuat, ndërkaq me siguri i njëjti do të jetë në kuadër të Agjencisë për administratë shtetërore, me rritje të kompetencave të vet, kështu që do t’i përfshijë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

“Gjithsesi, do të kërkohet edhe mendim nga Komisioni i Venecies, ndërkaq me atë mendim, ligji do të hyjë në procedurë kuvendore. Pasi që të votohet, nuk do të ketë mundësi as Gjykata kushtetuese as komisione të tjera ta anulojnë ligjin”, theksoi Mexhiti.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai njoftoi se janë në fazën finale të përgatitjes së ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Ligji në fjalë të cilin do e diskutojmë sot në takimin e radhës të grupit punues të koalicionit qeveritar synon të ofrojë zgjidhje konkrete ligjore, mekanizma kontrolli, mekanizmi zbatimi si dhe mekanizma sanksioni aty ku nuk zbatohet i njëjti nga institucionet në fjalë. Tani për tani nuk dua të hy në detaje për sa i përket mekanizmit të ligjit vetëm se dua të njoftoj se jemi në fazën finale. Me takimin e sotëm uroj që të gjejmë dakordimin dhe konsensusin final brenda koalicionit qeveritar”, tha Fetai.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se është mirë që versioni i parë të dërgohet në Komisionin e Venedikut.

“Çfarë do të përmbajë, nuk mund të themi, por mund të them se do të ketë një debat publik. Do të përfshihen akademikë nga të gjitha universitetet, profesionistë, gjithçka në funksion të gjetjes së zgjidhjes më të mirë, e cila do të jetë një zgjidhje afatgjatë dhe që nuk mund të kontestohet nga askush nesër-pasnesër. Duhet të kemi kujdes për kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të drejtë, por gjithashtu të mos shkojmë në përplasje me Kushtetutën dhe të mos pësojmë sërish situata të tilla”, tha Mexhiti.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai tha se nuk shqetësohet për vakumin kohor, ai theksoi se është praktikë ndërkombëtare që të merret një opinion nga Komisioni i Venecias.

“Me rëndësi është që më në fund do të sillet një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili parimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do e përkthejë në obligime ligjore për institucionet me mekanizma kontrolli dhe mekanizma zbatimi, të cilat kanë munguar deri më tani”, tha Fetai.

Tani më ish ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se VLEN po e përgatit ligjin për përfaqësim të drejtë, për të cilin, siç kanë paralajmëruar, javën e ardhshme do të mbahej debat publik.

“Veç më punojmë intensivisht dhe e kemi përgatitur Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Jo veç për përfaqësim të drejtë por edhe gjinorë dhe të kategorive të tjera të ndryshime të margjinalizuara në shoqëri. Kemi kërkuar edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë mendime. Unë besoj se nuk shkon më shumë se dy-tre javë dhe ligji do të dorëzohet në Parlament, por në ndër kohë ne të jemi të sinqertë duhet të koordinohemi edhe me partnerët e koalicionit”, u shpreh Taravari.

Koalicioni VLEN në një deklaratë për Portalb.mk tha se propozim ligji për përfaqësim të drejtë është gati dhe se javët në vazhdim do të organizojnë debat publik.

“Pas të cilës propozim ligji do të futet në procedurë parlamentare”, thanë nga VLEN.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se javën që vjen do të nisë debato publik për Ligjin për përfaqësim të drejtë.

“Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat e kemi pjesë të marrëveshjes së koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Ky projektligj në këtë fazë është gati. Do të shihni javën e ardhshme se do të nisim një debat publik në lidhje me miratimin e ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat, i cili do të eliminojë mundësitë e abuzimeve me deklarata të rrejshme të përkatësisë kombëtare, ndërsa do të krijojë mekanizma zbatimi, që janë detyrimore për institucionet”, tha Fetai.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti sqaroi se në Qeveri ka harmoni për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë.

“Në nivel qendror, mundet maqedonasit të deklarohen si shqiptarë, na nivel lokal shqiptarët si maqedonas. Ashtu që “balancuesi” është jashtë funksionit. Kemi marrëveshje politike që kjo të rregullohet me Ligjin për përfaqësim të drejtë, por edhe cilësor”, deklaroi Mexhiti.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.