Sonte finalja e ‘Eurovision 2025’ – Shqipëria performon e 26-ta në garë me premisa të mëdha për rezultat të lartë
Sonte (e shtunë) mbahet finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2025, që shënon edicionin e 69-të të festivalit më të madh të muzikës në Evropë. Spektakli fillon në orën 21:00 (CEST) dhe transmetohet drejtpërdrejt nga salla “St. Jakobshalle” në Bazel të Zvicrës, duke u shfaqur gjithashtu në YouTube për publikun ndërkombëtar. Pas një jave […]

Sonte (e shtunë) mbahet finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2025, që shënon edicionin e 69-të të festivalit më të madh të muzikës në Evropë.
Spektakli fillon në orën 21:00 (CEST) dhe transmetohet drejtpërdrejt nga salla “St. Jakobshalle” në Bazel të Zvicrës, duke u shfaqur gjithashtu në YouTube për publikun ndërkombëtar.
Pas një jave plot emocione me dy gjysmëfinale, sonte 26 shtete do të ngjiten në skenën madhështore për të konkurruar për trofeun e lakmuar të Eurovision-it. Dhe siç u vendos nga televizioni pritës zviceran SRG SSR, Shqipëria do të jetë performanca e fundit e mbrëmjes, me numrin 26 në renditje – një pozicion që shpesh shoqërohet me vëmendje dhe mbresë të fortë tek audienca dhe juritë.
Këtë vit, Shqipëria përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm” – një përzierje unike e tingujve elektronikë me elemente tradicionale shqiptare, që ka ngjallur interes të madh në rrjetet sociale dhe te dashamirët e muzikës evropiane. Me një performancë vizualisht të fuqishme dhe me identitet të dallueshëm, premisat për një rezultat të lartë janë më të mëdha dhe më shpresëdhënëse se asnjëherë më parë.
Në një mbrëmje që pritet të zgjasë rreth katër orë, do të ketë jo vetëm këngë, por edhe shumë argëtim, emocione dhe të ftuar specialë. Mbrëmjen do ta prezantojnë tre figura të njohura të ekranit zviceran: Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer, të cilat do të udhëheqin me elegancë këtë ngjarje spektakolare.
Shqipëria ndan skenën me artistë nga vende si Franca, Italia, Suedia, Ukraina, Britania e Madhe, Izraeli dhe të tjerë – por pikërisht vendosja në fund të renditjes, si dhe veçantia e këngës “Zjerm”, kanë bërë që shumë portale ndërkombëtare të theksojnë Shqipërinë si një “underdog” me potencial për befasi.
Pas performancave, publiku dhe juritë kombëtare do të japin votat e tyre për të vendosur se kush do të shpallet fitues i Eurovision 2025.
Renditja e performancave në Finalen e Madhe – Eurovision 2025:
Norvegjia – “Lighter” – Kyle Alessandro
Luksemburgu – “La poupée monte le son” – Laura Thorn
Estonia – “Espresso macchiato” – Tommy Cash
Izraeli – “New Day Will Rise” – Yuval Raphael
Lituania – “Tavo akys” – Katarsis
Spanja – “Esa diva” – Melody
Ukraina – “Bird of Pray” – Ziferblat
Mbretëria e Bashkuar – “What The Hell Just Happened?” – Remember Monday
Austria – “Wasted Love” – JJ
Islanda – “Róa” – Væb
Letonia – “Bur man laimi” – Tautumeitas
Holanda – “C’est La Vie” – Claude
Finlanda – “Ich komme” – Erika Vikman
Italia – “Volevo essere un duro” – Lucio Corsi
Polonia – “Gaja” – Justyna Steczkowska
Gjermania – “Baller” – Abor & Tynna
Greqia – “Asteromáta” – Klavdia
Armenia – “Survivor” – Parg
Zvicra – “Voyage” – Zoë Më
Malta – “Serving” – Miriana Conte
Portugalia – “Deslocado” – Napa
Danimarka – “Hallucination” – Sissal
Suedia – “Bara bada bastu” – KAJ
Franca – “Maman” – Louane
San Marino – “Tutta l’Italia” – Gabry Ponte
Shqipëria – “Zjerm” – Shkodra Elektronike.