Banka Botërore i rekomandoi RMV-së vendosjen e taksës për pijet me sheqer dhe rritjen e taksave mbi pronën dhe fitimet kapitale

Në raportin e Bankës Botërore (BB) mbi gjendjen e financave publike në Maqedoninë e Veriut, rekomandohet rritja e disa normave tatimore, duke përfshirë tatimin mbi pasurinë dhe atë mbi fitimet kapitale, siç është tatimi mbi pijet me sheqer, transmeton Portalb.mk “Rritja e normës së tatimit mbi fitimet kapitale nga 10 për qind në 15 për […]

dhjetor 14, 2024 - 12:00
 0  6
Banka Botërore i rekomandoi RMV-së vendosjen e taksës për pijet me sheqer dhe rritjen e taksave mbi pronën dhe fitimet kapitale
"TVSH-ja ime", TVSH, kthimi i TVSH-së, Fatura fiskale. Foto: Portalb.mk

Në raportin e Bankës Botërore (BB) mbi gjendjen e financave publike në Maqedoninë e Veriut, rekomandohet rritja e disa normave tatimore, duke përfshirë tatimin mbi pasurinë dhe atë mbi fitimet kapitale, siç është tatimi mbi pijet me sheqer, transmeton Portalb.mk

“Rritja e normës së tatimit mbi fitimet kapitale nga 10 për qind në 15 për qind do të rriste progresivitetin dhe barazinë vertikale të sistemit tatimor. Një reformë e tillë do të ishte në përputhje me parimin që individët me pasuri më të madhe të kontribuojnë proporcionalisht më shumë”, thuhet në raportin e paraqitur dje.

Tatimi mbi fitimin e kapitalit përfshin individët që përfitojnë nga shitja ose shkëmbimi i pasurive të paluajtshme, letrave me vlerë, aksioneve të emetuara nga fondet investimi, pjesëmarrja në kapital si dhe pasuri të tjera të luajtshme dhe jo materiale.

Në raport thuhet se rezultatet nga mikrosimulimet tregojnë se rritja e normës së taksës nga 10 në 15 përqind mbi të gjitha të ardhurat nga kapitali do të rrisë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale (TTP) me 0.14 pë qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në vitin 2025.

“Grupi më i prekur i tatimpaguesve nga kjo rritje do të ishte 1 përqindëshi i popullsisë me të ardhurat më të larta, për të cilët ekspozimi ndaj tatimit do të rritej me 17%”, theksohet në raport.

Sipas BB-së, vendi duhet të konsiderojë gjithashtu vendosjen e një tatimi mbi pijet me sheqer në përputhje me tendencat rajonale dhe globale. Fillimisht rekomandohet tatimi sipas vëllimit, për të kaluar më vonë në taksim sipas sasisë së sheqerit.

“Simulimet tregojnë se vendosja e taksës prej 6 denarë për litër do të sillte të hyra shtesë prej 0,1 për qind të PBB-së. Një tatim i tillë do të rriste çmimet e pijeve të gazuara dhe lëngjeve të frutave të taksuara me rreth 14 %, por gjithashtu do të nxiste ndryshimin e zakoneve të konsumatorëve drejt opsioneve më të shëndetshme. Pritet që shitja e pijeve të taksuara të ulen me 4.4 % ndërsa shitja e pijeve të pa taksuara të rritet me 5.6 %. Në total shitja do të rritej me 0.1%. Kjo tregon se ulja e shitjes së pijeve të taksuara dhe të ardhurave të ulëta nga tatimet nuk do të ndikojë ndjeshëm në ekonomi pasi njerëzit do të përdorin pije më të shëndetshme”, thuhet në raport.

Sipas BB-së, duhet të ketë edhe rritje të tatimeve të mbledhura nga autoritetet lokale veçanërisht tatimin mbi pasuritë. Mesatarisht të ardhurat nga ky tatim janë 0.5 % e PBB-së.

“Për të rritur të ardhurat nga këto tatime lokale, qeveria duhet të konsiderojë rritjen e shkallës së taksës për pronat më të vlefshme ose uljen e përjashtimeve nga TVSH-ja për fitimet kapitale të pasurive të paluajtshme”, rekomandoi BB.

BB rekomandon gjithashtu rritjen e normës së TVSH-së nga 18% në 19 % dhe heqjen e normës së reduktuar, përveç produkteve bazë.]

Kujtojmë se ndryshe nga Banka Botërore, LSDM përmes një projektligji propozoi heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar prej pesë përqind për produktet ushqimore bazë, me të cilën do të kursehej nga 1.200 deri në 2.000 denarë në muaj.

Sidoqoftë një propozim i till nuk u mbështet nga partia më e madhe në pushtet, VMRO.