Banka Popullore e RMV-së: Kujdes të dhënat personale, profile dhe persona të rremë ofrojnë ndihmë dhe shpërblime monetare

Qytetarët duhet të jenë vigjilentë për shkak të shfaqjes së shpeshtë të profileve, aplikacioneve dhe personave të rremë, të cilët, në mënyrë elektronike apo telefonike, paraqiten si pjesë e kompanive me reputacion që ofrojnë një lloj ndihme, ndërmjetësimi, madje edhe shpërblime monetare, ndërkohë që kërkojnë të dhëna personale dhe pagesën e mjeteve, bëjnë thirrje nga […]

dhjetor 2, 2024 - 14:00
 0  8
Banka Popullore e RMV-së: Kujdes të dhënat personale, profile dhe persona të rremë ofrojnë ndihmë dhe shpërblime monetare
Të dhëna personale në internet. Foto: Nico El Nino në Canva

Qytetarët duhet të jenë vigjilentë për shkak të shfaqjes së shpeshtë të profileve, aplikacioneve dhe personave të rremë, të cilët, në mënyrë elektronike apo telefonike, paraqiten si pjesë e kompanive me reputacion që ofrojnë një lloj ndihme, ndërmjetësimi, madje edhe shpërblime monetare, ndërkohë që kërkojnë të dhëna personale dhe pagesën e mjeteve, bëjnë thirrje nga Banka Popullore (BPMV), transmeton Portalb.mk.

“Banka Popullore u bën thirrje qytetarëve që të mos i bëjnë publike të dhënat personale, e as të ndërmarrin aktivitete me kërkesë të personave të panjohur. Nëse keni marrë ose do të merrni në periudhën e ardhshme telefonata të papritura, e-mail ose SMS nga adresa ose numra telefoni të dyshimtë në të cilët ju ofrohet diçka që nuk duket reale dhe e vërtetë, ose nëse ju kërkohet të zbuloni të dhëna personale, mos filloni komunikim në të cilin do të jepni të dhënat tuaja personale ose do t’i përgjigjeni një kërkese për transaksion/pagesë të fondeve tuaja në një llogari bankare”, thuhet në njoftimin e BPMV-së.

Nëse qytetarët marrin telefonatë ose mesazh përmes e-mail ose rrjeteve sociale nga një person për të cilin dyshojnë se përfaqëson në mënyrë të rreme Bankën Popullore, ata menjëherë duhet ta raportojnë rastin në Bankën Popullore përmes adresës zyrtare të postës elektronike: [email protected].

Kujtojmë se muajin e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme informoi se është vënë re një aktivitet i shtuar i mashtruesve, të cilët përmes rrjeteve sociale paraqiten si “këshilltarë financiarë” dhe zakonisht ofrojnë shërbime të tregtimit të kriptovalutave.

Ndryshe, edhe gjatë muajit shtator të këtij viti, qytetarët ishin shënjestër e një mashtrimit për vjedhjen e të dhënave personale. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se qytetarët merrnin e-maile në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike (BPS), Sasho Tasevski, i cili dukej si ftesë në gjykatë.