Në Kumanovë është djegur makina e prokurorit Xhelal Bajrami dhe dyqani i një funksionari të BDI-së
Gjatë natës së mbrëmshme në Kumanovë janë djegur tri vetura, një objekt afarist – fotokopje dhe fasada e një shtëpie, njoftoi Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë. Sipas “360 Gradë” një veturë e djegur i përket prokurorit Xhelal Bajrami, ndërsa dyqani, këshilltarit të BDI-së, Fitor Jakupit, transmeton Portalb.mk. “Mjeti i cili është privat ka qenë […]
Gjatë natës së mbrëmshme në Kumanovë janë djegur tri vetura, një objekt afarist – fotokopje dhe fasada e një shtëpie, njoftoi Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë. Sipas “360 Gradë” një veturë e djegur i përket prokurorit Xhelal Bajrami, ndërsa dyqani, këshilltarit të BDI-së, Fitor Jakupit, transmeton Portalb.mk.
“Mjeti i cili është privat ka qenë i parkuar para objektit ku banoj. I është vënë zjarri mes orës 3 dhe 3:15 të mëngjesit të sotëm. Asnjë dëm tjetër nuk është shkaktuar”, thotë Bajrami.
I pyetur nëse ka dyshime se kush mund ta ketë shkaktuar djegien e veturës, Bajrami tha se nuk dyshon për askënd dhe se me shumë gjasa bëhet fjalë për grup kriminal.
“Nuk do të doja të komentoja më shumë se kaq. Unë nuk dyshoj për askënd. Le t’i lëmë autoritetet ta hetojnë rastin”, shton Bajrami.
Ai ka konfirmuar se prokurori publik kujdestar tashmë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se autoritetet kanë mbledhur materialet dëshmuese.
Dy nga automjetet të cilat u dogjën dhe u shuan nga zjarrfikësit ishin në rrugën “Trieste”, ndërsa e treta në rrugën “Nikola Vapcarov”. Në të njëjtën rrugë është djegur edhe fasada e një shtëpie.
Makina fotokopjuese e cila ka rënë në flakë ndodhet në rrugën “11 Oktomvri”.
Sipas informacioneve për ndërhyrjet e zjarrfikësve, pothuajse të gjithë kanë qenë në të njëjtën kohë.
Prokuroria më herët ka njoftuar se njëra nga veturat e djegura është e prokurorit publik dhe se prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka inspektuar lokacionet ku janë djegur dy vetura dhe një lokal afarist, fotokopjues.
Prokuroria Publike sot në mëngjes ka njoftuar se një prokuror publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka inspektuar lokacionet ku janë djegur dy vetura dhe një objekt afarist.
Nga aty thonë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe se po hetohen arsyet dhe motivet e mundshme të djegies së veturave dhe dyqanit.
“Nga vendi i ngjarjes janë grumbulluar gjurmë, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës, po ashtu janë duke u këqyrur edhe kamerat mbikëqyrëse”, informojnë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndaj këtyre ngjarjeve ka reaguar BDI, nga ku thonë se djegia e makinave dhe një dyqani të shqiptarëve, janë “dëshmi e hidhur e frymës së urrejtjes dhe ndasive ndëretnike që kjo qeveri jolegjitime ka krijuar”.
“Kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri apo dështim – kjo është një krizë e rrezikshme që po përkeqësohet çdo ditë. Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga faktori ndërkombëtar. Qartë është bërë e ditur se nga kjo qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi. Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend. Ne kërkojmë që këto sulme të hetohen menjëherë dhe autorët të sillen para drejtësisë. Çdo ditë vonesë është një ftesë për ata që përhapin urrejtje për të vazhduar me aktet e tyre të turpshme”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Megjithatë deri tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar nga institucionet kompetente.
Kujtojmë se ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut ndodhën ngjarje të cilat çojnë në përplasje dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.
Me rastin e ditës 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, u arrestuan tetë persona, tre prej të cilëve përfunduan në paraburgim 8 ditor, për shkak të grisjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe përfshirjes në rrahje.
Nga ana tjetër, dje ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se Inspektorati Shtetëror Arsimor do të hetojë rastin e shkollës fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Tetovës, ku gjatë performancës nxënësit mbanin armë plastike dhe ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Në një prononcim për Kanal 5, ministrja e Arsimit tha se nëse konstatohet shkelje e Ligjit për Arsimin Bazë, si dhe parimeve të demokracisë, bashkëjetesës, ndjeshmërisë dhe vlerave themelore njerëzore, të cilat duhet të promovohen në shkolla, do të ketë sanksione për drejtorin dhe mësuesit. Ajo nuk përjashtoi mundësinë e denoncimit në polici, nëse konstatohet shkelje e të drejtave të fëmijëve.
Partitë opozitare shqiptare reaguan duke i quajtur ksenofobe veprimet e ministres dhe se liria është njëra nga vlerat themelore të njerëzimit, lufta për ta pasur atë është frymëzim që në radhë të parë jepet në shkollë.