BDI kërkon ndërhyrje urgjente nga Komisioni Evropian, thotë se shteti është i kapur nga VMRO-ja

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Komisioni Evropian, pasi thotë se shteti është i kapur nga partia, VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk. “Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryeministri e ka kapur plotësisht sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjyqësorin. Ai e dikton dinamikën e proceseve, duke përcaktuar publikisht të dyshuarit dhe fajtorët që në […]

Mars 28, 2025 - 14:00
 0  6
BDI kërkon ndërhyrje urgjente nga Komisioni Evropian, thotë se shteti është i kapur nga VMRO-ja
Foto: Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Komisioni Evropian, pasi thotë se shteti është i kapur nga partia, VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryeministri e ka kapur plotësisht sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjyqësorin. Ai e dikton dinamikën e proceseve, duke përcaktuar publikisht të dyshuarit dhe fajtorët që në fazën fillestare, madje edhe para se prokuroria të nisë hetimet. Ai, në skenë publike, demonstron një pushtet të paligjshëm politik për të kontrolluar procesin e shkarkimit dhe ndalimin e shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm, duke mos kursyer as kërcënimet për linçim publik në rrugë. Hetimi për tragjedinë në Koçan është shembulli më grotesk i drejtësisë selektive që ka ndodhur ndonjëherë në këtë vend”, thonë nga BDI. 

Ky proces, shtojnë nga kjo parti, është shndërruar në një karikaturë të një hetimi ligjor, ku të gjithë janë fajtorë, përveç nëse janë nga VMRO-DPMNE.

“Kjo situatë e rëndë kërkon aktivizimin e të gjitha mekanizmave për të parandaluar degradimin e plotë të logjikës ligjore, e cila do të ketë pasoja të parikuperueshme për zhvillimin politik të shoqërisë dhe për harmonizimin e saj me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe për këtë arsye, ne do t’i drejtohemi Komisionit Evropian me kërkesën që një ekip ekspertësh të ndjekë nga afër këtë farsë hetimore, ku Qeveria akuzon gjithçka dhe këdo rreth saj vetëm për të mbrojtur ata që ishin përgjegjës për të parandaluar këtë tragjedi. Vetëm si shembull: në zinxhirin e fajtorëve, çuditërisht, nuk përfshihet edhe Ministri i Punëve të Brendshme, i cili 13 muaj para tragjedisë ishte në dijeni për ekzistencën e një klubi nate ilegal që shkelte të gjitha standardet e mundshme të sigurisë, si dhe Inspektorati Shtetëror dhe Administrata Tatimore, të cilat nuk ndërmorën asnjë masë.  Përkundrazi, pikërisht Ministri përgjegjës del çdo ditë për të na paraqitur të gjithë fajtorët e tjerë, në mënyrë që të lirohet edhe nga përgjegjësia politike morale”, thonë nga BDI.

Ata i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të dërgojë menjëherë ekspertë ligjorë dhe të përfshihet drejtpërdrejt me një monitorim të përforcuar të këtij rasti, më pas, me ekspertizën dhe gjetjet e saj, do të ndihmojë komisionin parlamentar, i cili duhet të krijohet menjëherë nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi dje se ka kërkuar zyrtarisht krijimin e një Komisioni Parlamentar të posaçëm për të hetuar, siç thonë ata, qasjen selektive dhe të njëanshme të sistemit të drejtësisë “së kontrolluar nga qeveria” në trajtimin e tragjedisë në Koça.

LSDM dhe BDI në dy ditët e fundit kanë dalë me qëndrime publike lidhur me hetimin e tragjedisë së Koçanit.

Socialdemokratët shkojnë me tezën se hetimi është selektiv dhe me përfundimin se drejtësia selektive është padrejtësi.

Ndërkohë, pas ditëve të para të tragjedisë kur ish -ministri i brendshëm Kreshnik Bekteshi u arrestua, pati reagime sporadike nga BDI ose simpatizantët e tyre se ishte një përballje me shqiptarët.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.