Me elaborat gjeodezik të paligjshëm është legalizuar vikend shtëpiza e Faton Murselit në Kodrën e Diellit

Vikend shtëpiza e profesorit universitar Faton Murseli në Kodrën e Diellit është legalizuar me elaborat gjeodezik të paligjshëm. Agjencia e Kadastrës ka konstatuar se dokumenti është i paligjshëm me nënshkrim digjital të pavlefshëm, ndërsa gjeodetët as që kanë shkuar në Kodrën e Diellit për të bërë matje gjeodezike. Por, edhe krahas këtyre lëshimeve, legalizimi i […]

Mars 28, 2025 - 14:00
 0  5
Me elaborat gjeodezik të paligjshëm është legalizuar vikend shtëpiza e Faton Murselit në Kodrën e Diellit
Foto: IRL

Vikend shtëpiza e profesorit universitar Faton Murseli në Kodrën e Diellit është legalizuar me elaborat gjeodezik të paligjshëm. Agjencia e Kadastrës ka konstatuar se dokumenti është i paligjshëm me nënshkrim digjital të pavlefshëm, ndërsa gjeodetët as që kanë shkuar në Kodrën e Diellit për të bërë matje gjeodezike. Por, edhe krahas këtyre lëshimeve, legalizimi i vikend shtëpizës i ka kaluar të gjitha filtrat në Komunën e Tetovës dhe askush nuk e ka zbuluar dokumentin e falsifikuar, raporton Investigative Reporting Lab transmeton Portalb.mk.

Nga Agjencia e Kadastrës i konfirmuan gjetjet e Laboratorit të Gazetarisë Investigative (IRL) se ka pasur parregullsi në procedurën e legalizimit të një vikend shtëpize të ndërtuar ilegalisht në Kodrën e Diellit. Ajo tashmë është në pronësi të profesorit të shquar universitar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Faton Murseli.

Në fillim të muajit mars IRL publikoi një shkrim në të cilin zbuloi se profesor Murseli në vitin 2024 ka marrë si dhuratë një vikend shtëpizë moderne në Kodrën e Diellit.

Legalizimi i objektit ka filluar në vitin 2016 kur personi Sali Iseni nga fshati Nerashtë i Tetovës, familjar i Murselit, ka dorëzuar kërkesë për legalizim. Me një deklaratë noteriale ai ka konfirmuar se vikend shtëpiza është ndërtuar para vitit 2011, kusht ky që kërkohej sipas Ligjit për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje.

Por IRL zbuloi se në parcelë nuk ka pasur shtëpizë deri në vitin 2024. Procesi i keqpëdorimit përfshin një raport gjeodezik të pasaktë, mbikëqyrje inspektuese të falsifikuar, por edhe një njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme se Faton Murseli është autor i mundshëm i veprës penale arbitrarizëm.

Nënshkrimi është i pavlefshëm, matjet janë bërë në Tetovë, e jo në Kodrën e Diellit

Në raportin gjeodezik që ishte pjesë e dokumentacionit të domosdoshëm për legalizimin e ndërtimit pa leje, IRL zbuloi se nënshkrimi digjital i Ajdin Nuredinit, menaxherit të kompanisë gjeodezike “Geopollog” nga Tetova, e cila supozohet se e ka përgatitur raportin në vitin 2017, nuk e ka të shënuar datën dhe kohën kur është përdorur.

Nga Agjencia e Kadastrës për IRL-në informuan se pas kontrollit të kryer gjatë javëve të fundit në sistemin e tyre, ata kanë konstatuar se ky nënshkrim elektronik në dokumentin në fjalë është i pavlefshëm.

“Nga nënshkrimi digjital i dokumentit shihet se „Signature is INVALID. Signing Time: 2024-09-11 08:49:48* ООО”, kështu që Sektori i TIK nuk mund të konstatojë vlefshmëri të certifikatit, e kështu nuk mund të konstatojë edhe vlefshmëri të kohës së nënshkrimit”, njoftuan nga Agjencia e Kadastrës për IRL-në.

Përveç kësaj, në elaboratin gjeodezik gazetarët gjetën edhe një faqe që duket si dokument me të dhëna origjinale nga një matje gjeodezike e kryer në terren. Por, në të nuk gjetëm dëshmi elektronike se në vitin 2017 (data që është e shënuar në dokument) gjeodetët e “Geopollog” kanë qenë në Kodrën e Diellit dhe kanë bërë matje të shtëpisë për të cilën Sali Iseni kishte kërkuar legalizim. Por, ata kanë përgatitur një elaborat, në të cilin thuhet se në vitin 2017 në parcelë ka pasur një shtëpi me sipërfaqe prej 132 metra katrorë.

“Shoqëria Tregtare për Punë Gjeodezike “Geopollog” Tetovë është konektuar në sistemin MAKPOS  më datë 22.09.2017 dhe ka kryer matje GNSS në P.K. 5552/2 K.K. Tetovë 2”, ka konstatuar Sektori i Teknologjive Informatike dhe të Komunikimit në Agjencinë e Kadastrës.

Kjo do të thotë se kompania gjeodezike atë ditë në lëndën për legalizimin e ndërtimit pa leje  të Sali Isenit nuk ka kryer kurrëfarë matjesh në Kodërn e Diellit. Por, në një deklaratë për IRL Nuredini tha se gjeodetët nga kompania atë ditë kanë qenë në qendrën e skijimit.

Parcela kadastrale P.K. 5552/2, K.K. Tetovë 2 që na e treguan nga Kadastra në fakt bën pjesë brenda vetë qytetit të Tetovës, e jo në Kodrën e Diellit.

Lokacioni i saktë ku gjeodetët e “Geopollog” kanë kryer matje më 22 shtator të vitit 2017. Lokacioni nuk është në Kodrën e Diellit, por në Tetovë. Foto nga IRL
Lokacioni i saktë ku gjeodetët e “Geopollog” kanë kryer matje më 22 shtator të vitit 2017. Lokacioni nuk është në Kodrën e Diellit, por në Tetovë. Foto nga IRL

IRL dyshon se në këtë rast në kompaninë gjeodezike “Geopollog” është bërë antidatim. Antidatim është procesi kur një dokument ose kontratë shënohet me një datë që i paraprin datës aktuale të krijimit ose nënshkrimit të tij.

Kjo do të thotë se elaborati nuk është përgatitur në vitin 2017, sepse në atë kohë në atë lokacion nuk ka pasur shtëpi, por tek në vitin 2024 pas ndërtimit ilegal të vikend shtëpizës në tokë shtetërore.  Megjithatë, ky elaborat është përdorur nga Komuna e Tetovës për lëshimin e aktvendimit për legalizimin e ndërtimit pa leje.

Nga Agjencia e Kadastrës për IRL-së sqaruan se në pajtim me nenin 41 të Ligjit për Kundërvajtje, për këtë rast tani nuk mund të inicohet procedurë kundërvajtëse, e as nuk mund të zhvillohet nëse kanë kaluar dy vjet nga dita e kryerjes së kundërvajtjes.

IRL tashmë ka publikuar imazhe satelitore nga “Google Maps”. Në to mund të shihet se çfarë ka pasur në një vend të caktuar në vite të caktuara. Vumë re se në vitin 2016, 2017 dhe 2022 në parcelën në fjalë nuk ka pasur shtëpi. Ajo shfaqet vetëm në pamjet e marra nga viti 2024. Konfirmimin për këtë e morëm edhe me pesë videot e regjistruara me dron në Kodrën e Diellit e që janë publikuar në YouTube në vitin 2016, 2017, 2019, 2020 dhe në vitin 2023.

Gazetarët gjetën edhe prova shtesë se në vitin 2017 në parcelën ku tani ndodhet shtëpia e profesor Murselit nuk ka pasur ndërtim pa leje. Gjegjësisht, në dokumentin përfundimtar të propozim – planit urbanistik për periudhën 2017-2027 për Kodrën e Diellit dhe Komunat Kadastrale Lisec dhe Gajre, vikend shtëpiza aktuale e Faton Murselit është shënuar me një katror të verdhë me pika. Sipas legjendës, në këtë mënyrë shënohen pllakat e betonit. Ndërtimet pa leje shënohen me dy simbole të ndryshme dhe ngjyrë të zezë. Që një objekt pa leje të legalizohet, ai duhet të përfaqësojë një tërësi funksionale, pra të përfunduar.

Pasi Komuna e Tetovës ka sjellë aktvendim për legalizimin e vikend shtëpizës, kërkuesi i legalizimit, Sali Iseni, brenda pak javësh ia ka dhuruar atë profesorit Faton Murseli. Bashkëshortja e tij, Revide Ramani Murseli, punon në Sektorin e urbanizimit në Komunë dhe është kryetare e Komisionit Komunal të Urbanizmit në Tetovë.

  • Në Agjencinë e Kadastrës për Nuredinin dhe për “Geopollog” është ngritur procedurë

Pas publikimit të lajmit për legalizimin e diskutueshëm në Kodrën e Diellit nga IRL-ja, na kontaktoi një avokat nga Tetova i cili e përfaqëson një klient për një lëndë krejtësisht tjetër dhe për një vendbanim tjetër. Por ajo që i lidh këto dy raste është pikërisht kompania “Geopollog”, gjegjësisht menaxheri i saj Ajdin Nuredini.

Nga dokumentacioni në të cilin patëm qasje pamë se në shtator të vitit 2024, avokati ka kërkuar nga Agjencia e Kadastrës që të bëjë një inspektim të jashtëzakonshëm në “Geopollog” nën dyshimin se në një elaborat gjeodezik kompania kishte vizatuar një objekt që nuk ekzistonte në kohën kur pretendohej se ka ekzistuar.

IRL kërkoi informacion nga Agjencia e Kadastrës edhe për këtë rast. Pyetëm nëse është marrë ndonjë vendim për veprimet e “Geopollog”, pra për Ajdin Nuredinin? Nga atje na u përgjigjën se ishte konstatuar shkelje, kompania dhe Nuredini kishin paguar gjobë, por theksuan se rasti është ende i hapur.

“Në pajtim me dispozitat e Ligjit për Kadastrën e Patundshmërive, kundër Kompanisë dhe gjeodetit të autorizuar është iniciuar procedurë, të cilat janë në vijim e sipër dhe më shumë informacion në lidhje me këtë do mund t’ju japim pas përfundimit të procedurës”, na njoftuan nga Kadastra.

Nuredini në të kaluarën ka qenë në gjykatë për një  rast që përfshin legalizimin dhe privatizimin e pretenduar të paligjshëm të tokës shtetërore në Tetovë. Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vepra është kryer në periudhën 2011-2012, hetimi është hapur në vitin 2019 dhe është ngritur aktakuzë. Në aktakuzë thuhet se dy nga të pandehurit me dashje e kanë inkurajuar Nuredinin që të përgatisë një elaborat gjeodezik në të cilin është paraqitur një objekt inekzistent. Me ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023, procedura penale u ndërpre për shkak të vjetërsimit të veprës.

IRL sërish iu drejtua Komunës së Tetovës. Pyetëm nëse janë të gatshëm ta anulojnë vendimin për legalizimin e objektit të lartpërmendur për shkak të parregullsive të konstatuara nga Agjencia e Kadastrës në elaboratin gjeodezik? Por, përgjigje nuk morëm.

Kujtojmë se në fillim të muajit mars IRL publikoi një shkrim në të cilin zbuloi se profesor Murseli në vitin 2024 ka marrë si dhuratë një vikend shtëpizë moderne në Kodrën e Diellit. Atëkohë IRL raportoi se bashkëshortja e tij është kryetare e Komisionit të Urbanizmit në Tetovë. Një rrjet gjeodezistësh, zyrtarësh komunalë dhe inspektorësh bënë gjithçka që mundën për të bërë të duket se vila ishte ndërtim pa leje që u legalizua para vitit 2011, edhe pse ishte ndërtuar në vitin 2024. Abuzimet përfshijnë raport të pasaktë gjeodezik dhe inspektim të falsifikuar. Kryetari i Komunës Bilall Kasami distancohet nga rasti.