BDI: Përse Maqedonia e Veriut mbeti jashtë bashkëpunimit ushtarak me aleatët e NATO-s, dhe pse hesht VLEN-i?

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pyesin se përse Maqedonia e Veriut nuk është bërë pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Në një kumtesë për media nga kjo parti akuzojnë se kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes po afrohen me Beogradin, ndërkaq shtojnë se ministrat e qeverisë aktuale shihen në evenimente […]

Prill 6, 2025 - 15:00
 0  13
BDI: Përse Maqedonia e Veriut mbeti jashtë bashkëpunimit ushtarak me aleatët e NATO-s, dhe pse hesht VLEN-i?
Foto Printscreen nga rrjeti social facebook Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pyesin se përse Maqedonia e Veriut nuk është bërë pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Në një kumtesë për media nga kjo parti akuzojnë se kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes po afrohen me Beogradin, ndërkaq shtojnë se ministrat e qeverisë aktuale shihen në evenimente të ambasadave ruso-kineze, transmeton Portalb.mk.

“Përse Maqedonia e Veriut mbeti jashtë bashkëpunimit ushtarak me aleatët e NATO-s? Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një memorandum për bashkëpunim ushtarak dhe industrial, me efekte pozitive edhe në ekonomitë e tyre. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut mbeti jashtë kësaj iniciative të rëndësishme rajonale. U harruam? U përjashtuam? Apo kjo qeveri refuzoi të bëhet pjesë e procesit? Në një moment kritik për sigurinë rajonale, kur aleatët tanë euroatlantikë po forcojnë mbrojtjen e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut po ecën në drejtim të kundërt. Në vend që të thellojë aleancën me NATO-n dhe partnerët perëndimorë, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes po afrohen me Beogradin dhe aleatët e tij”, thanë nga BDI.

Nga kjo parti shprehën shqetësim për shkak se disa ministra të Qeverisë së RMV-së janë mysafirë të rregullt në pritjet e ambasadave ruso-kineze, ndërsa të tjerë marrin pjesë në ceremoni shtetërore që janë haptazi kundër NATO-s.

“”Pse hesht Vlen? A është ky drejtimi që kanë zgjedhur për shtetin? Pse po largohemi nga partnerët tanë strategjikë dhe natyralë? Ky nuk është vetëm një dështim i madh i qeverisë, por edhe një tradhti ndaj së ardhmes euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Si parti që garantoi integrimin euroatlantik të vendit, do ta ngremë këtë çështje në Kuvend dhe para partnerëve tanë ndërkombëtarë, duke kërkuar transparencë të plotë mbi arsyet pse Maqedonia e Veriut u përjashtua nga kjo bashkëpunim strategjik”, shtuan nga BDI.

Ndryshe Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan deklaratë, përmes së cilës vendet premtojnë të angazhohen në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillim që madje nxiti reagimin e Serbisë, e cila e cilësoi si provokim të hapur drejtuar Beogradit. Për Portalb.mk Ministria e Mbrojtjes, deklaroi se RMV-ja planifikon të bëhet pjesë e kësaj tresheje, mirëpo, tërthorazi, përgjigjja ishte se nuk ka nevojë për një gjë të tillë, pasi tashmë vendi bashkëpunon me secilin vend në baza bilatera.

Maqedonia e Veriut më 27 mars, mbushi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s më 27 Mars 2020, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.