BDI: Sistematizimi në MPB rrezikon balancën ndëretnike dhe përfaqësimin e drejtë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për riorganizimin e strukturës drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke e cilësuar procesin si të rrezikshëm për balancën The post BDI: Sistematizimi në MPB rrezikon balancën ndëretnike dhe përfaqësimin e drejtë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për riorganizimin e strukturës drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke e cilësuar procesin si të rrezikshëm për balancën ndëretnike dhe stabilitetin institucional.
Në reagimin e saj, BDI thekson se “reduktimi i mbi një të tretës së strukturës drejtuese, në një nga institucionet më të ndjeshme të shtetit, nuk është vetëm çështje organizative”, por sipas tyre, “ka pasoja të drejtpërdrejta në përfaqësimin e drejtë dhe në balancën ndëretnike brenda institucioneve të sigurisë”.
Partia kritikon qasjen e autoriteteve që e relativizojnë dimensionin etnik në përzgjedhjen e kuadrove, duke deklaruar se “deklarimet se këto pozita nuk duhet të lidhen me përkatësi etnike, por vetëm me kritere profesionale, anashkalojnë një nga parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i vendit – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat”.
Sipas BDI-së, ky parim “nuk është kompromis politik, por standard kushtetues dhe element kyç për besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë”.
Duke paralajmëruar për pasoja konkrete, nga BDI theksojnë se “në rrethanat aktuale, kur një pjesë e konsiderueshme e këtyre pozitave mbahen nga shqiptarë, shfuqizimi i tyre pa mekanizma të qartë për garantimin e përfaqësimit krijon rrezik real për prishjen e balancës së arritur ndër vite”.
Partia kërkon më shumë transparencë nga institucionet, duke vlerësuar se “deklaratat e përgjithshme për ‘mosshqetësim’ nuk janë të mjaftueshme”, ndërsa shton se “kërkohet transparencë e plotë mbi sistematizimin e ri, kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën konkrete se si do të garantohet përfaqësimi i drejtë”.
Në fund, BDI thekson se “institucionet e sigurisë nuk mund të trajtohen si hapësirë për eksperimente organizative pa vlerësim të ndikimit të tyre politik dhe shoqëror”, duke shtuar se çdo reformë duhet “të forcojë profesionalizmin, por njëkohësisht të ruajë balancën ndëretnike dhe besimin institucional”.
Sipas tyre, çdo devijim nga këto parime “do të ketë pasoja afatgjata për funksionimin demokratik dhe për kohezionin shoqëror në vend”. Gazeta Flaka
The post BDI: Sistematizimi në MPB rrezikon balancën ndëretnike dhe përfaqësimin e drejtë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .