BE: 50% e qytetarëve në Maqedoni të ekspozuar ndaj narrativave të rreme për Ukrainën
Marrëveshje të dyshimta financiare, ndikim i huaj në media dhe promovim i agjendave rajonale destabilizuese – janë disa nga vërejtjet më serioze që përmban raporti i fundit i Parlamentit Evropian The post BE: 50% e qytetarëve në Maqedoni të ekspozuar ndaj narrativave të rreme për Ukrainën appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Marrëveshje të dyshimta financiare, ndikim i huaj në media dhe promovim i agjendave rajonale destabilizuese – janë disa nga vërejtjet më serioze që përmban raporti i fundit i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i miratuar me amendamente kompromisi nga Komiteti për Punë të Jashtme (AFET).
Në amendamentin kompromis 5, paragrafi 28a, raporti shpreh shqetësim të thellë për mënyrën se si Hungaria dhe Serbia po kontribuojnë në avancimin e qëllimeve gjeopolitike të Kinës dhe Rusisë në rajon. Në mënyrë të veçantë, vihet në dukje rreziku që vjen nga marrëveshjet asimetrike të huasë me Kinën, përfshirë një huamarrje të fundit përmes Hungarisë, që sipas raportit, ka origjinë të qartë nga Kina.
Sipas dokumentit, subjektet diplomatike kineze kanë financuar përmbajtje në media në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që aktorë shtetërorë rusë, përmes ndërmjetësve serbë, kanë përhapur narrativa destabilizuese – duke promovuar armiqësi ndaj NATO-s dhe duke pretenduar se Bashkimi Evropian po ushtron presion mbi Maqedoninë për të hequr dorë nga identiteti i saj kombëtar.
Një tjetër konstatim shqetësues është se 50% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të ekspozuar ndaj narrativave të rreme, veçanërisht lidhur me luftën në Ukrainë. Raporti i PE-së e përshkruan këtë si një operacion të gjerë të ndikimit të huaj dashakeq, ku tabloidet dhe mediat e lidhura me Serbinë dhe Kremlinin luajnë rol kyç në instrumentalizimin e qëndrimeve anti-BE.
Më tej, përmendet edhe fakti se nga viti 2018 deri në vitin 2023, 13 diplomatë rusë janë dëbuar nga vendi – një shenjë e qartë e pranisë së rrjeteve të ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut.
Amendamenti kompromis 8, në paragrafët 35a dhe 35b, trajton një tjetër temë me ndjeshmëri të lartë: projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe”.
“Shprehim shqetësim për faktin se përfaqësues të qeverisë së Maqedonisë së Veriut e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept,” thuhet në tekstin e dokumentit, duke dënuar pjesëmarrjen në takime ku tentohet krijimi i sferave të ndikimit që minojnë sovranitetin dhe stabilitetin rajonal.
Po ashtu, në mënyrë të qartë kërkohet hapja e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave – UDBA dhe KOS, të cilat ende ruhen si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Serbi. Kjo kërkesë mbështetet edhe në Protokollin bilateral me Bullgarinë, duke shtuar presionin për një transparencë të plotë mbi të kaluarën totalitare.
Ky raport, i cili pritet të kalojë në seancën plenare të Parlamentit Evropian në korrik, përfaqëson një sinjal të qartë nga BE se rruga e integrimit të Maqedonisë së Veriut nuk do të vazhdojë me autopilot. Përkushtimi ndaj demokracisë funksionale, sovranitetit kombëtar dhe ndalimi i ndikimeve të huaja paraqiten si parakushte të domosdoshme për ecurinë e mëtejme.
The post BE: 50% e qytetarëve në Maqedoni të ekspozuar ndaj narrativave të rreme për Ukrainën appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
