Optimizmi i Murtezanit kundrejt kritikave të Brukselit: A është Shkupi në rrugë të sigurt drejt BE-së?

Në një deklaratë për media, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka prezantuar bilancin e vitit të parë të qeverisë, duke vënë theksin tek reformat konkrete dhe përparimi drejt integrimit The post Optimizmi i Murtezanit kundrejt kritikave të Brukselit: A është Shkupi në rrugë të sigurt drejt BE-së? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

qershor 30, 2025 - 15:30
 0  4
Optimizmi i Murtezanit kundrejt kritikave të Brukselit: A është Shkupi në rrugë të sigurt drejt BE-së?

Në një deklaratë për media, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka prezantuar bilancin e vitit të parë të qeverisë, duke vënë theksin tek reformat konkrete dhe përparimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Por, në të njëjtën ditë, në Bruksel, Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) miratoi një dokument të detajuar ku dominuan kritikat dhe paralajmërimet për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut.

“Një vit më parë filluam me një synim të qartë: t’i japim një shtytje të re agjendës evropiane të vendit. Sot, pas 12 muajve punë të përkushtuar, kemi jo vetëm llogaridhënie – kemi rezultate që hapin horizonte të reja”, deklaroi Murtezani, duke theksuar se vendi ka përfunduar të gjitha procedurat ligjore para vendeve të tjera të rajonit.

Ai shtoi se reformat në sundimin e ligjit, forcimi i shtetit ligjor, transparenca dhe përfshirja e shoqërisë civile janë baza e avancimit të vendit në rrugën evropiane. Në të njëjtën frymë, ai përcolli edhe mesazhin e kryeministrit Hristijan Mickoski:

“Qeveria jonë nuk premton mrekulli – premton punë të ndershme dhe të qëndrueshme.”

Megjithatë, ky optimizëm nuk gjen pasqyrim të njëjtë në dokumentin e miratuar nga AFET, i cili përmban një sërë vërejtjesh të ashpra për gjendjen e brendshme politike, funksionimin institucional dhe sfidat e sigurisë në vend.

Kritikat kyçe të raportit të PE:

  1. Hetimi për Koçanin – Kërkohet një hetim i thelluar, i pavarur dhe transparent për zjarrin tragjik në klubin e natës në Koçan (16 mars 2025), ku humbën jetën disa qytetarë. Raporti e cilëson si test për shtetin ligjor dhe sigurinë publike.
  2. Emërimet politike – Raporti kritikon emërimet partiake dhe mungesën e transparencës në institucionet shtetërore, duke theksuar nevojën për pavarësi të plotë të zyrave si ajo e Avokatit të Popullit.
  3. Ndikimi i huaj dhe propaganda – Në dokument theksohet shqetësimi për ndikimin rus dhe serb, përmes mediave, financimeve të dyshimta dhe fushatave të dezinformimit. Sipas raportit, 50% e qytetarëve kanë qenë të ekspozuar ndaj narrativave të rreme.
  4. Varësia ekonomike dhe kredia nga Hungaria – Përmendet me shqetësim se kredia e fundit e marrë nga Hungaria është e financuar nga Kina, duke ngritur alarmin për varësi të mundshme financiare ndaj marrëveshjeve jo-transparente.
  5. Projekti “Bota Serbe” – Raporti denoncon promovimin e këtij projekti nga zyrtarë të qeverisë, duke e cilësuar si rrezik për sovranitetin dhe stabilitetin rajonal.
  6. Hapja e arkivave të UDBA-s dhe KOS-it – Një nga kërkesat kyçe është hapja e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave për të mundësuar përballjen me të kaluarën dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.
  7. Polarizimi dhe manipulimi i opinionit – Kritikohen polarizimi politik, përdorimi i procedurave të përshpejtuara në Kuvend, reklamat qeveritare me qëllim propagandistik dhe financimi netransparent i partive politike.
  8. Ndryshimet kushtetuese – Përfshihet kërkesa që Maqedonia e Veriut të miratojë ndryshimet kushtetuese si parakusht për ecurinë në negociatat me BE-në.
  9. Çështja e identitetit maqedonas – Për herë të parë, raportohet se në Parlamentin Evropian ka debat për shtimin e termit “modern” para referencës për gjuhën dhe identitetin maqedonas, një çështje me ndjeshmëri të lartë në opinionin publik.

Murtezani e mbylli fjalën e tij me një ton të vendosur:

“Evropa nuk është më një ëndërr e largët – ne po e ndërtojmë këtu, me duart tona, me ligje të forta, me institucione funksionale dhe me vullnet politik.”

Megjithatë, mesazhi i Parlamentit Evropian është i qartë: rruga drejt BE-së nuk është automatike dhe kërkon më shumë sesa retorikë dhe vendime të pjesshme – kërkon transparencë, ndarje nga ndikimet e jashtme dhe ndërtim të thellë të demokracisë funksionale. Flaka

The post Optimizmi i Murtezanit kundrejt kritikave të Brukselit: A është Shkupi në rrugë të sigurt drejt BE-së? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .