BE mbyll derën për planin B: Maqedonia e Veriut në udhëkryq pa zgjidhje për Bullgarinë

Pas mesazhit të fundit nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, se në pjesën me Sofjen, një plan B nuk është i mundur, dhe se Maqedonia e Veriut duhet të përqendrohet në planin A, është deklaruar kryepdiplomati i vendit Timço Mucunski. Ky i fundit nuk ka qenë konkret në pyetjen gazetareske se a […]

maj 18, 2025 - 13:00
 0  3
BE mbyll derën për planin B: Maqedonia e Veriut në udhëkryq pa zgjidhje për Bullgarinë
Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV), Bullgarisë dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Oleksandr Filon në Canva

Pas mesazhit të fundit nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, se në pjesën me Sofjen, një plan B nuk është i mundur, dhe se Maqedonia e Veriut duhet të përqendrohet në planin A, është deklaruar kryepdiplomati i vendit Timço Mucunski. Ky i fundit nuk ka qenë konkret në pyetjen gazetareske se a ka qeveria ndonjë ide për tejkalimin e ngërçit në mosmarrëveshjen me Bullgarinë, shkruan Portalb.mk.

“Pra, nuk ka dilemë në lidhje me angazhimin tonë ndaj rrugës evropiane. Si e vërtetojmë këtë? Ne jemi vendi i parë në rajon që nënshkruajmë një partneritet sigurie dhe  mbrojtjeje me Bashkimin Evropian, diçka që tani është provuar të jetë shumë domethënëse në kontekstin aktual. E bëmë këtë disa muaj më parë. Një vend udhëheqës në përputhje me qëndrimin e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian në zbatimin e Agjendës së Reformave, e cila është pjesë integrale e Planit të Rritjes. Pra, ne po tregojmë në veprim se plani A është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian”, tha Mucunski.

Plan konkret për tejkalimin e pengesave me Bullgarinë, nuk ka treguar as ministri i Çështjeve Europiane, Orhan Murtezani.

“E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të mos lejojmë veten të mbetemi në këtë bllokim. I kuptoj frustrimet e qytetarëve, por duhet të shohim se cili është përfitimi më i madh. Si ministër, kam komunikim institucional me Sofjen dhe planifikoj një vizitë së shpejti. Historia nuk sjell prosperitet ekonomik, ne si politikanë nuk duhet të merremi me historinë”, tha mes tjerash ministri Murtezani.

Ndryshe, kreu i Këshillit të BE-së, Antoni Kosta deklaroi qartë se ka detyrime që duhen përmbushur në mënyrë që të bëhet përparim në procesin e pranimit të RMV-së në BE..

“Ajo që u ra dakord në vitin 2022 duhet të përmbushet”, tha Costa, duke nënkuptuar në obligimin për ndryshime kushtetuese që bullgarët duhet të futen në Kushtetutën e vendit.

“Kur pyesni për garancitë, është e qartë se ajo që është rënë dakord është rënë dakord dhe tani nuk ka asgjë tjetër për të negociuar, nuk ka vend për të kërkuar asgjë më shumë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë planin A dhe duhet të përqendrohemi në atë plan. Ne e dimë se cilat janë kriteret e Kopenhagës, ne e dimë se cilat reforma duhet të përfundojnë, ne e dimë se çfarë u ra dakord në vitin 2022 dhe tani duhet ta zbatoni këtë”, tha Costa.

I pari i ekzekutivit, kryeministri Hristijan Mickoski në paraqitjet e tij, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit është shprehur kategorik se është i panevojshëm bilateralizimi i çështjes së RMV-së, në rrugëtimin drejt BE-së.

“Qëndrimet tona janë të qarta në lidhje me ndryshimet kushtetuese, këtu nuk ka ndryshim, sepse nga ana tjetër nuk shohim, të paktën në këtë moment, asnjë sinjal se ka një ndryshim në sjellje, pra nga ana e fqinjit tonë lindor. Më vjen keq që është kështu dhe shpresoj që në periudhën që vjen do të flasim më shumë për zgjidhje sesa për probleme”, theksoi Mickoski, para takimit me Costa-n.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.