Qentë endacakë vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë publike në Tetovë, pavarësisht ekzistencës së strehimores

Pavarësisht hapjes së strehimores për qentë endacakë në Tetovë, qytetarët vazhdojnë të përballen me turma qenësh nëpër lagje. Të dhënat zyrtare tregojnë se qindra qytetarë kanë raportuar kafshime gjatë katër viteve të fundit. Ndërkohë, Komuna e Tetovës hesht, shkruan Portalb.mk. Në lidhje me këtë problem, qytetari Arif Arifi duke treguar pamjet e turmave të qenve […]

maj 18, 2025 - 13:00
 0  3
Qentë endacakë vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë publike në Tetovë, pavarësisht ekzistencës së strehimores
Qen endacak në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht hapjes së strehimores për qentë endacakë në Tetovë, qytetarët vazhdojnë të përballen me turma qenësh nëpër lagje. Të dhënat zyrtare tregojnë se qindra qytetarë kanë raportuar kafshime gjatë katër viteve të fundit. Ndërkohë, Komuna e Tetovës hesht, shkruan Portalb.mk.

Në lidhje me këtë problem, qytetari Arif Arifi duke treguar pamjet e turmave të qenve para shtëpisë së tij thotë se qentë endacakë përbëjnë kërcënim për sigurinë e qytetarëve, sidomos të fëmijëve. 

“Në mahallë te ne ka shumë fëmijë të cilët zakonisht luajnë në rrugë dhe para shtëpive tona. Zoti mos dhashtë të ndodhe ndonjë gjë e padëshiruar, sepse atëherë kjo anarki totale institucionale do të transferohet në anarki civile, atëherë mos u habisni se çka ndodhi”, tha Arif Arifi. 

Ai u bëri thirrje institucioneve të marrin masa për të zgjidhur këtë problem.  Turmë qensh endacakë. Foto: Arif Arifi Turmë qensh endacakë. Foto: Arif Arifi

Në ndërkohë, sipas të dhënave nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, nga viti 2021 deri më 13 prill 2025, numri i qytetarëve që kanë raportuar kafshime nga qentë endacakë në Stacionin Policor të Tetovës është gjithsej 238

Por ky numër mund të jetë edhe më i lartë pasi jo të gjithë qytetarët i raportojnë rastet e sulmeve dhe kafshimeve në polici. 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuna e Tetovës në fund të muajit korrik 2024 hapi strehimoren për qentë endacakë në fshatin Ratajë.

Pyetëm komunën se pse këto qen që përbëjnë kërcënim për qytetarët nuk mbahen në strehimore, por nga atje nuk na u përgjigjën deri në publikimin e këtij teksti.

I pyetëm edhe cila është mënyra e funksionimit të kësaj strehimoreje, si trajtohen dhe sa qen janë trajtuar deri tani. Shkurt na thanë se presin raportin.

Sipas një deklarate për media të zëdhënëses së komunës, deri në tetor 2024 ishin trajtuar rreth 100 qen. 

Kujtojmë që në korrik 2024, Komuna e Tetovës miratoi udhëzues për përcaktimin e rregullave dhe mënyrën e kompensimit (pagesës) të dëmit të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacak. 

Ndërsa në tetor 2024 Komuna e Tetovës njoftoi se do të shpërblejë ata persona që sjellin prova (fotografi ose video) të individëve që lëshojnë qen endacakë në qytet, megjithatë komuna nuk ka sqaruar se si do të shpërblehen këta qytetarë. 

Përndryshe, vite më parë u paralajmërua ndërtimi i një strehimoreje rajonale për të zgjidhur këtë problem për të gjithë komunat e Pollogut, por kjo nuk është realizuar deri më tani