Berisha: Rama mashtron për rrogat dhe pensionet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një videomesazh ditën e dielë akuzoi kryeministrin Edi Rama për mashtrime mbi rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke e cilësuar bonusin për pensionistët minimal dhe qesharak. Berisha theksoi se pagat mbeten më të ulëtat në rajon dhe fajësoi qeverinë për atë që e konsideroi “emigrim masiv”. Lideri demokrat […]

Prill 12, 2026 - 19:00
Berisha: Rama mashtron për rrogat dhe pensionet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një videomesazh ditën e dielë akuzoi kryeministrin Edi Rama për mashtrime mbi rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke e cilësuar bonusin për pensionistët minimal dhe qesharak.

Berisha theksoi se pagat mbeten më të ulëtat në rajon dhe fajësoi qeverinë për atë që e konsideroi “emigrim masiv”.

Lideri demokrat vuri në dyshim edhe shifrat për investimet e huaja dhe deklaroi se ekonomia ndodhet në rënie, me tkurrje të prodhimit dhe eksporteve.

Reagimi i plotë:

Mirëdita, të dashur qytetarë dhe qytetare. Në monologun e tij të mashtrimit javor, Edi Rama sërish u rrek, u përpoq t’ju bindë ju se ka rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. E vërteta është që bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët. Janë 2 kile domate në muaj. Kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale. Përveç kësaj, rrogat sërish mbeten rrogat më të ulëta në rajonin tonë, ndërkohë që në vitin 2013, ato ishin rrogat më të larta të rajonit. Sot, ai paraqiti si një sukses të madh konventën e diasporës. Me këtë rast duke përshëndetur të gjithë shqiptarët e diasporës, kudo që janë, edhe ata që vijnë në këtë konventë, por u theksoj se mikpritësi juaj është një nga armiqtë më të egër të kombit shqiptar, të ekzistencës së tij, jo në dekada, por dhe më shumë. Ju rikujtoj të dashur shqiptarë të diasporës se vetëm në 10 vite të qeverisjes së tij, nga ky vend janë larguar 1.099.000 shqiptarë sipas Eurostatit dhe të gjithë këta vetëm në zonën e Shengenit, pa llogaritur zona të tjera. Pra të paktën 45 deri në 47% të shqiptarëve u larguan nga Shqipëria dhe sot Shqipëria ka atë lindshmëri që kishte 100 vite më parë. Ky zbatoi me përpikmëri platformën e Çubrilloviçit në këtë vend. Së fundi, foli për raportet e Bashkimit Europian. Sërish mashtroi. Pra, mund të themi se seriali i mashtrimeve të kësaj jave nuk ndryshonte nga të tjerët. Po kështu, foli për investimet e huaja, 1.6 miliardë euro. Duhet të theksoj se nga këto 1.6 miliardë euro sipas INSTAT-it, 800 milionë nuk janë investime të huaja, por janë reinvestime të parave shqiptare nga kompanitë e huaja që punojnë në Shqipëri. S’kanë asnjë gjë të përbashkët me investimin e huaj. Resti që është, 30% e tyre janë blerje nga shqiptarët të apartamenteve në Shqipëri. Kurse 18% mbeten gjithsej apo rreth më pak se 300 milionë euro janë investime direkte. Pra investimet e vërteta direkte në Shqipëri kanë rënë në nivelet e viteve 2004-2008 dhe janë ndër më të ultat e kohës. Sigurisht, blerja e apartamenteve është një investim, por një investim pa frut, i cili nuk sjell punësim, nuk sjell prodhim. Kështu që, edhe në këtë rast duhet të shtoj, prodhimi industrial është në recesion, prodhimi bujqësor është në recesion, eksportet kanë rënie dramatike. Ekonomia, rritja me të cilin rreh gjoksin Edi Rama, është një rritje që diktohet tërësisht nga taksat e larta dhe numri i madh i rrogëtarëve në borderot e shtetit.