Besimtarët e krishterë festojnë sot Pashkët, liderët me telegrame urimi

Të gjithë besimtarët e krishterë në botë sot, në të njëjtën ditë, festojnë festën e Pashkëve. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova me këtë rast u ka dërguar urime krerëve të kishave në vend, transmeton Portalb.mk. “Gjatë Kreshmës së Pashkëve ka ndodhur një tragjedi e paparë në historinë moderne të atdheut tonë. Unë sinqerisht shpresoj që Pashkët të […]

Prill 20, 2025 - 14:00
 0  3
Besimtarët e krishterë festojnë sot Pashkët, liderët me telegrame urimi
Pamje nga liturgjia fetare/Foto: Filip Stojanovski

Të gjithë besimtarët e krishterë në botë sot, në të njëjtën ditë, festojnë festën e Pashkëve. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova me këtë rast u ka dërguar urime krerëve të kishave në vend, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë Kreshmës së Pashkëve ka ndodhur një tragjedi e paparë në historinë moderne të atdheut tonë. Unë sinqerisht shpresoj që Pashkët të na sjellin ngushëllim, mendime të mira dhe optimizëm, të bashkuar dhe solidarë për të kapërcyer tundimet. Le të tregojmë se mund të dalim nga fatkeqësia më të mençur, më të mirë dhe më njerëzorë. Të bëjmë vepra të mira dhe të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje”, ka shkruar Siljanovska-Davkova.

Kryeparlamentari, Afrim Gashi ka uruar besimtarët e krishterë, duke thënë se, mesazhi i pashkëve është një mesazh shprese dhe ripërtëritjeje.

“Kjo festë e rëndësishme është një mundësi për t’u kujtuar sërish se vlerat e përbashkëta si respekti i ndërsjellë, solidariteti dhe mirësia njerëzore janë thelbësore për përparimin e çdo shoqërie. Si qytetarë të atdheut tonë të përbashkët, detyra jonë është që së bashku të ndërtojmë ura mirëkuptimi, harmonie dhe paqeje, që do të jenë themel i fortë për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Uroj që këto ditë të Pashkëve të jenë të mbushura me gëzim familjar, lumturi personale dhe qetësi të përbashkët, duke na nxitur të përballemi me të gjitha sfidat përmes shembujve pozitivë dhe mbështetjes së ndërsjellë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski në telegramin e urimit ka theksuar se, në një kohë të ndryshimeve të shpejta shoqërore, përparimeve teknologjike dhe presionit global mbi vlerat tradicionale, Qeveria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e rrënjëve të shoqërisë sonë dhe për krijimin e kushteve në të cilat familja, morali, edukimi dhe spiritualiteti do të forcohen.

“Jetojmë në kohë të vështira, plot sfida dhe tundime, dhe jam plotësisht i vetëdijshëm se shumë prej qytetarëve tanë përballen me të njëjtat probleme dhe brenga. Dua të theksoj se ne, të gjithë së bashku, duhet të punojmë për përparimin dhe mirëqenien e çdo njeriu, dhe ky rrugëtim për të siguruar të ardhme nuk është aspak i lehtë, por unë jam i vendosur fort dhe pa lëkundje që së bashku ta përshkojmë deri në fund. Së bashku t’i ndryshojmë gjërat, të luftojmë kundër pasigurisë, kundër goditjeve që synojnë të na lëkundin, dhe të qëndrojmë pas vlerave në të cilat besojmë”, ka shkruar kryeministri.