BDI: Avancimet e fundit në Ministrinë e Arsimit dëshmojnë prirjen për përjashtim etnik

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar sërish në lidhje me përfaqësimin e shqiptarëve në sektorin publik. Këtë herë, partia opozitare shqiptare ka reaguar në lidhje me avancimet e fundit në Ministrinë e Arsimit, ku sipas tyre, janë avancuar në pozita të larta dhe në mesin e tyre nuk ka asnjë shqiptar, transmeton Portalb.mk. BDI thotë […]

Prill 20, 2025 - 14:00
 0  4
BDI: Avancimet e fundit në Ministrinë e Arsimit dëshmojnë prirjen për përjashtim etnik
Bashkimi Demokratik për Integrim (Selia në Reçicë të Vogël). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar sërish në lidhje me përfaqësimin e shqiptarëve në sektorin publik. Këtë herë, partia opozitare shqiptare ka reaguar në lidhje me avancimet e fundit në Ministrinë e Arsimit, ku sipas tyre, janë avancuar në pozita të larta dhe në mesin e tyre nuk ka asnjë shqiptar, transmeton Portalb.mk.

BDI thotë se, kjo dëshmon një prirje të qartë për përjashtim etnik nga struktura vendimmarrëse.

“Kjo komunikatë nuk ka për qëllim ta kritikojë ministren e Arsimit, por të informojë publikisht zëvendësministrin shqiptar nga koalicioni LEN, i cili – sipas informacioneve tona – as që është njoftuar për këto vendime, e aq më pak të ketë pasur ndikim për t’i parandaluar ato”, thuhet në reagim.

Më tej ata kanë shtuar se, fakti që një përfaqësues shqiptar mbahet në errësirë dhe pa rol në një nga dikasteret më të rëndësishme të shtetit, është tregues i qartë se pjesëmarrja shqiptare në qeverisje po reduktohet në një fasadë formale.

“Ky zhvillim nuk është as rastësor e as i papritur, por pjesë e logjikës së shpallur përmes fushatës “Maqedonia sërish e juaja” dhe anulimit të balancuesit që garantonte barazinë ndëretnike – një filozofi që tashmë po zbatohet përmes përjashtimit të heshtur të shqiptarëve nga pozitat strategjike në administratë. Në këtë kontekst, kritikat ndaj VMRO-DPMNE-së janë të kota, sepse ajo po vepron saktësisht sipas planit të shpallur. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: çfarë kuptimi ka pjesëmarrja shqiptare në qeverisje, kur përfaqësuesit e saj as nuk informohen, e as nuk dëgjohen?”, reaguan nga BDI.

Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.