Bexheti pas padive: Ta kenë të qartë nuk ndalem, nuk shantazhohem
Ish-kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, ka reaguar pasi policia ka dorëzuar kallëzim penal kundër tij dhe një personi tjetër, duke vlerësuar se bëhet fjalë për presion politik dhe jo për procedurë juridike. „Dje Mickoski kishte ‘ndjenjën’ se do të kishte kallëzime penale. Sot Ministria e Punëve të Brendshme e realizon atë ‘ndjenjë’. Rastësi? […]
Ish-kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, ka reaguar pasi policia ka dorëzuar kallëzim penal kundër tij dhe një personi tjetër, duke vlerësuar se bëhet fjalë për presion politik dhe jo për procedurë juridike.
„Dje Mickoski kishte ‘ndjenjën’ se do të kishte kallëzime penale. Sot Ministria e Punëve të Brendshme e realizon atë ‘ndjenjë’. Rastësi? Jo. Ky është presion i pastër politik“, deklaroi Bexheti.
Ai vuri në dukje se kur kallëzimet penale paralajmërohen nga politika dhe më pas realizohen nga institucionet, kjo hap dilema serioze për funksionimin e shtetit.
„Por le ta kenë të qartë: unë nuk ndalem. Nuk shantazhohem. Nuk tërhiqem. Këto janë përpjekje për të heshtur zërin politik i cili nuk pranon të nënshtrohet“, shtoi Bexheti, duke theksuar se, sipas tij, veprime të tilla vetëm sa e përforcojnë bindjen e tij.
Paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka dorëzuar kallëzim penal kundër B.B. (49) dhe Z.D. (61) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale „keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar“.
Sipas MPB-së, Z.D. si person zyrtar i autorizuar në Qytetin e Shkupit, i ka mundësuar një subjekti juridik nga Saraji të përfitojë dobi pasurore të paligjshme prej 3.224.064 denarësh, edhe pse nuk ka pasur kompetencë të lëshojë vendim për regjim të komunikacionit.
Gjithashtu, Bexheti si kryetar i Komunës së Sarajit, në dy raste ka sjellë vendime për regjim të komunikacionit dhe ndryshime të tyre pa mbikëqyrjen e duhur dhe në kundërshtim me planin urbanistik, me çka, sipas policisë, i ka mundësuar të njëjtit subjekt dobi të paligjshme prej 42.851.205 denarësh.
Përkundër akuzave, Bexheti porositi se „e vërteta nuk ndalet, vetëm vonon, por vjen dhe fiton“. (INA)