Bixhozi, varësi e padukshme: Problem i shumë të rinjve në RMV për të cilin pothuajse askush nuk flet

Problemi i kësaj “varësie të padukshme” është gjithnjë e më i pranishëm tek të rinjtë, për të cilët bixhozi, bastet dhe lojërat e fatit janë një përditshmëri. Edhe pse për këtë temë publikisht flitet shumë pak, psikiatrit paralajmërojnë se vitet e fundit numri i personave që kanë krijuar varësi nga bixhozi sa vjen e rritet, […]

Nëntor 15, 2024 - 12:00
 0  3
Bixhozi, varësi e padukshme: Problem i shumë të rinjve në RMV për të cilin pothuajse askush nuk flet
Bixhoz, lojëra fati. Foto: Meta.mk

Problemi i kësaj “varësie të padukshme” është gjithnjë e më i pranishëm tek të rinjtë, për të cilët bixhozi, bastet dhe lojërat e fatit janë një përditshmëri. Edhe pse për këtë temë publikisht flitet shumë pak, psikiatrit paralajmërojnë se vitet e fundit numri i personave që kanë krijuar varësi nga bixhozi sa vjen e rritet, shkruan Meta.mk. Ky problem bëhet i dukshëm vetëm atëherë kur grumbullohen borxhe ose kur paralelisht me lojërat e fatit shfaqen edhe probleme të tjera, edhe pse si për çdo gjë tjetër, parandalimi është rruga më e mirë, për çka përveç disa individëve, pothuajse askush në vend nuk angazhohet, transmeton Portalb.mk.

Sa i rrezikshëm është bixhozi për të rinjtë dhe a dinë prindërit ta dallojnë varësinë tek fëmija i tyre? Pse është i nevojshëm rregullimi në këtë fushë? Pse shteti duhet të jetë protagonisti kryesor në luftën kundër varësisë nga bixhozi dhe lojërat e fatit? Për këtë temë Meta.mk, bisedoi me Prof. d-r. Liljana Ignjatova, adiktologe dhe psikiatër me përvojë shumëvjeçare në ndërtimin e politikave për drogën dhe sjelljet e varësisë, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup dhe psikiatre në Qendrën për Parandalimin dhe Trajtimin e Varësive në Spitalin Psikiatrik në Shkup.

Prof. Dr. Liliana Ignatova. Foto: "Prikazna"

“Bixhozi online krijon varësi shumë më lehtë dhe më shpejtë. Është më e lehtë ta rregullosh një kazino ku luhet me prani fizike, sepse në këtë rast të miturit nuk do të mund të hynin në të. Të rinjtë janë shumë më shpesh të përfshirë në lojërat e fatit në internet, e tek ato monitorimi, kontrolli dhe rregullimi është më i vështirë. Pse të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj zhvillimit të varësisë? Zhvillimi i trurit përfundon pas moshës 25 vjeçare. Pjesa e trurit që është përgjegjëse për vendimmarrjen, për marrjen e vendimeve të sakta, për vlerësimin e rreziqeve, nëse duhet bërë diçka apo jo, është ajo që piqet e fundit. Kjo është pjesa që thotë “Stop”, pra freni. Ajo nuk funksionon si te të rriturit, ajo pjesë piqet e fundit. Prandaj të rinjtë janë më të prekshëm ndaj zhvillimit të varësisë”, sqaron Prof. d-r. Ignjatova.

Ajo thotë se ka edhe fëmijë nën 15 vjeç që vijnë me prindërit në qendrën e këshillimit të të rinjve për parandalimin e drogave dhe sjelljeve të varshmërisë të Organizatës Qytetare HERA, e që duan të parandalojnë zhvillimin e një varësie më të rëndë të fëmijëve të tyre nga videolojërat, ose nga bixhozi dhe lojërat e fatit.

“Këtu ata marrin psikoedukim, motivohen të ndryshojnë sjelljen dhe të fitojnë aftësi jetësore të shëndetshme, këtu u thuhet se çfarë të bëjnë. Kemi edhe nxënës të shkollave të mesme që kanë probleme me varësinë nga videolojërat, gjë që ishte një problem i madh gjatë pandemisë së Covid-19. Kemi edhe raste kur babai i jep para djalit të tij të mitur që ai të paguajë në bastore, e që ndoshta nuk sheh kurrëfarë rreziku në dërgimin e fëmijës së tij në bastore. Nuk i kushtohet rëndësi faktit që fëmijët identifikohen me prindërit, fëmijët i imitojnë të rriturit”, shton ajo.

Reklamat me drita të fuqishme dhe pijet falas – një faktor nxitës

Industria përdor shumë faktorë nxitës që t’i tërheqin njerëzit drejt videolojërave ose lojërave të fatit. Reklamat me drita të fuqishme në vetë objektet ku ndodhen kazinotë dhe klubet e lojërave elektronike, reklamat e kazinove që i bëjnë influencerët në mediat sociale, pijet alkoolike që ofrohen falas, vajzat e bukura që rrotullojnë ruletën, aromat brenda kazinove – të gjitha këto janë faktorë nxitës të cilët e “tërheqin” lojtarin që ai të kthehet sërish në kazino, thotë doktoresha Ignatova.

Bixhoz, lojëra të fatit. Reklamat me drita të fuqishme janë një faktor nxitës. Foto: Meta.mk
Bixhoz, lojëra të fatit. Foto: Meta.mk

“Bixhozi shkon dorë për dore me varësi të tjera. Një person që luan bixhoz, kur pi alkool është jokritik dhe mund të manifestojë sjellje të rrezikshme, ndërsa kur humbet, vuan, kështu që për të harruar do të pijë alkool ose ndonjë benzodiazepinë. Çrregullimet mendore si pasojë e varësisë nga lojërat e fatit mund të shoqërohen edhe me çrregullime të tjera mendore që ndodhin paralelisht, si depresioni, ankthi. Një sfidë e madhe për ne është përdorimi i amfetaminës së bashku me lojërat e fatit. Me ndihmën e tyre personi që luan bixhoz mund të rrijë zgjuar gjithë natën, ka përqendrim të mirë, fokus të mirë, memorie të mirë dhe beson se kjo do ta ndihmojë që ta mposhtë automatin. Ai që luan beson se do ta mundë automatin dhe se do të fitojë para”, shpjegon profesoresha.

Çfarë duhet bërë? 

Si për çdo gjë tjetër, parandalimi është mënyra më e mirë, por për këtë nevojitet ndërgjegjësim, zbatim i programeve, me qëllim që një numër sa më i vogël i të rinjve t’i futen sjelljeve problematike si bixhozi dhe varshmëritë.

“Kjo veprimtari ka nevojë për rregullim, e nevojshme është që të marrin pjesë të gjithë faktorët e rëndësishëm në krijimin e politikave për parandalimin dhe rregullimin e lojërave të fatit, lojërave të fatit online dhe videolojërave, përfshirë këtu edhe industrinë. Kompanitë duhet të jenë aleati ynë, e jo të mendojnë se do t’ua ulim fitimin. Është e nevojshme që të rinjtë vulnerabël të mos hyjnë në kazino apo të luajnë bixhoz online. Për të rinjtë që do të zhvillojnë varësi duhet të ketë programe për trajtimin e tyre. Me kaq shumë lojëra të fatit dhe kaq shumë para nga tatimet, të mos ketë asnjë program parandalimi që do të ishte sipas standardeve ndërkombëtare të parandalimit, të mos ketë para për hulumtime shkencore me të cilat do të ndërtohet një sistem parandalimi i bazuar në prova shkencore (dhe jo parandalime të improvizuara), është shumë dëshpëruese. Dhe për këtë nuk ka justifikim”, thotë profesoresha.

Në vendet evropiane ekzistojnë strategji dhe kjo veprimtari është e rregulluar, edhe pse edhe ato nuk janë aq të përgatitur për problemin e varësisë ndaj lojërave të fatit. Nga ana tjetër, bixhozi online është shumë më i vështirë për t’u kontrolluar.

“Ne kemi nevojë për një strategji që është koherente për të gjitha varësitë, e jo vetëm për drogat. Në vendin tonë kapacitetet për varësitë nuk janë zero, por në minus, janë poshtë të gjitha standardeve minimale. Ky problem është vënë në margjina. Po i humbasim të rinjtë. Ne i qortojmë se janë të këqij, të pabindur, agresivë, por ata janë pasqyrë e shoqërisë. Nëse doni të shihni se si funksiononi, shihni rininë. Kur bëhet fjalë për varësinë ndaj lojërave të fatit nuk vuan vetëm i riu, por edhe familja e tij, rrethi. Ai është edhe një barrë financiare për shtetin, sepse ne shpenzojmë mjete financiare për trajtimin e pasojave, në disa raste me trajtim spitalor, kur i trajtojmë çrregullimet mendore që ndodhin si pasojë e lojërave të fatit, në vend që t’i parandalojmë ato”, thotë Ignatova.

Sipas saj, nevojitet një rregullim i lojërave të fatit dhe përdorimit problematik të internetit, përfshirë këtu edhe reklamimin e kazinove dhe klubeve me automatë.

“Industria në reklama përdor karaktere domethënëse për të rinjtë, për shembull, një atlet që reklamon një kazino. Çfarë mesazhesh u dërgon ai të rinjve? Por, meqenëse ne nuk kemi rregullore, atëherë përgjegjësia bie mbi atë që nuk e ka sjellë këtë rregullore, e jo mbi atë që e ka bërë reklamën. Nevojiten fushata, por fushata që janë dëshmuar se japin rezultate dhe që e zvogëlojnë numrin e personave të varur nga bixhozi. Nevojitet një vlerësim i veprimeve që do të ndërmerren me qëllim që burimet të mos shpenzohen për diçka që nuk do të sjellë rezultate ose që do të shkaktojë më shumë dëm. Duhet bërë ndërgjegjësimi i të rinjve, prindërve, mësuesve nëpër shkolla, si dhe nevojiten programe për trajtimin e popullatës që nuk kemi arritur ta mbrojmë me parandalimin”, përfundon Ignjatova.

Ndryshe, pas vendimit të qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit në internet, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në fillim të muajit tetor, tha se hapi i radhës do të jetë zbulimi dhe mbyllja e të gjitha faqeve që prezantojnë lojërat e fatit në internet dhe në këtë aksion, përveç atyre të vendit do të përfshihen edhe lojtarët e huaj në treg.

Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. Pritet të merret vendimi edhe për shuarjen e “MegaWin”, kompanisë së vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut. Këtë e paralajmëroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili tha se “Megawin” është 100% kompani shtetërore, dhe se për mbylljen e së njëjtës ka procedurë të posaçme.