Ambasadori i Ukrainës: Shqipëria jep një ndihmë shumë të madhe për ne

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ishte i ftuar këtë të enjte në Klan News. Përballë gazetarit Besard Jacaj, Shkurov tha se Shqipëria pavarësisht se është një vend i vogël, jep një ndihmë shumë të madhe për Ukrainën. Po ashtu ai theksoi se ka dialog mes dy vendeve pas kërkesës së Presidentit të Ukrainës, […]

Nëntor 14, 2024 - 23:00
 0  4
Ambasadori i Ukrainës: Shqipëria jep një ndihmë shumë të madhe për ne

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ishte i ftuar këtë të enjte në Klan News. Përballë gazetarit Besard Jacaj, Shkurov tha se Shqipëria pavarësisht se është një vend i vogël, jep një ndihmë shumë të madhe për Ukrainën. Po ashtu ai theksoi se ka dialog mes dy vendeve pas kërkesës së Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në samitin në Tiranë, që Shqipëria ta ndihmonte me municione luftarake.

“Edhe para samitit kemi patur një bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Pas vizitës së Presidentit tonë dhe pas pjesëmarrjes në samitin në Tiranë, bisedimet kanë vazhduar dhe Shqipërinë e kanë vizituar disa grupe ekspertësh dhe aktualisht jemi në kontekstin e dialogut konstruktiv sepse para disa ditësh kemi arritur të mbyllim një projekt shumë të rëndësishëm në këtë fushë. Duke ditur se Shqipëria nuk është një vend i madh, por ndihmën që i jep Ukrainës është shumë e madhe”, u shpreh Shkurov.

Sa i përket ndihmës së SHBA-së tani që në pushtet do të vijë Donald Trump, ambasadori u shpreh se me të ka pasur një bisedë Presidenti Zelensky. Ai tha se shpreson që SHBA-ja ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj për demokraci.

“Deri tani SHBA ka në dispozicionin e saj 9 mld dollarë të premtuara për mbështetjen për Ukrainën dhe ne shpresojmë që kjo mbështetje të vazhdojmë. Shpresojmë se presidenti i ri nuk do të lejojë që Ukraina të luftojë vetë e të mbrojë vetë për demokracinë. Shpresojmë se ai do të vazhdojë të mbështesë demokracinë dhe të na ndihmojë në këtë aspekt. Prandaj shpresojmë se ndihma do të vazhdojë ashtu siç ka qenë deri tani”, tha Shkurov./tvklan.al