Bllokadë, akuza dhe mosfunksionalizim: Krejt çka ndodhi në Kuvend gjatë vitit 2025
Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më problematike për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke u karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella mes subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional. Mosfunksionalizimi i Kuvendit, vonesa në konstituimin e tij dhe dështimi për të formuar qeverinë, pamundësuan që të zgjedhurit


Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më problematike për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke u karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella mes subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional.
Mosfunksionalizimi i Kuvendit, vonesa në konstituimin e tij dhe dështimi për të formuar qeverinë, pamundësuan që të zgjedhurit e popullit të ushtrojnë rolin kushtetues, gjë e cila ndikoi drejtpërdrejt sipas njohësve të Kuvendit në paralizimin e institucioneve kyçe dhe në thellimin e pasigurisë politike dhe ekonomike në vend. Kuvendi dështoi po ashtu të votojë disa marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 1 miliard euro, e po ashtu si pasojë e dështimit të formimit të qeverisë nuk u votua as buxheti për vitin 2026.
Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më problematike për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke u karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella mes subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional. Mosfunksionalizimi i Kuvendit, vonesa në konstituimin e tij dhe dështimi për të formuar qeverinë, pamundësuan që të zgjedhurit e popullit të ushtrojnë rolin kushtetues, gjë e cila ndikoi drejtpërdrejt sipas njohësve të Kuvendit në paralizimin e institucioneve kyçe dhe në thellimin e pasigurisë politike dhe ekonomike në vend. Kuvendi dështoi po ashtu të votojë disa marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 1 miliard euro, e po ashtu si pasojë e dështimit të formimit të qeverisë nuk u votua as buxheti për vitin 2026.
Megjithatë, deputetët e legjislaturës së fundit, pavarësisht se nuk patën asnjë lloj vendimmarrjeje, të njëjtit, u paguan nga buxheti i shtetit prej momentit të betimit në prill të vitit 2025, e deri në shpërndarjen e tij më 20 nëntor. Madje, 67 deputetë të legjislaturës së nëntë do të vazhdojnë të marrin pagë kalimtare për 1 vit nga legjislativi.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, thotë se legjislatura e nëntë ka dështuar ta përmbushë rolin e saj kushtetues për përfaqësimin e qytetarëve. Sipas tij, deputetët dhe subjektet politike kanë vënë interesat partiake dhe ato personale përpara interesit të përgjithshëm, duke e bërë legjislaturën jo vetëm të dobët, por edhe të dëmshme për vendin.
“Legjislatura e kaluar, me plot bindje, e them se ka qenë një prej legjislaturave më të dobëta që ka njohur Republika e Kosovës. Përveç që ka qenë e dëmshme, kjo legjislaturë ka qenë edhe e padobishme për shkak se qytetarët kanë dalë në zgjedhje për t’i zgjedhur deputetët dhe t’i përfaqësojnë ata. Mirëpo ndodhi krejtësisht e kundërta, ku deputetët dhe subjektet politike kanë vendosur interesin partiak apo interesat e ngushta të tyre para interesave të përgjithshme, ku Kosova u përball me shumë pasoja… Deputetët e Kuvendit të Republikës kanë të drejtë që të paguhen, edhe pse e dinë se puna e tyre ka qenë e barasvlershme me zero, apo mund të themi më poshtë se zero, pasi s’kanë arritur t’i kryejnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga e tyre ka filluar të rrjedhë prej momentit kur janë betuar si deputetë, pasi kështu ia lejon ligji dhe Kushtetuta. Por secila pagë e deputetit duhet të shpërblehet me punë nga ta”, thekson ai.
Në anën tjetër, Vullnet Bugaqku nga Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI), thotë se kriza politike dhe mungesa e funksionalizimit të Kuvendit ka bërë që të dështojë mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit si dhe agjencive dhe ndërmarrjeve publike. Ai përmend edhe ushtrimin e dyfishtë të funksioneve nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar, të cilët vazhduan punën si ministra në detyrë, derisa ishin certifikuar edhe si deputetë të Kuvendit.
“Kemi pasur mungesë të mbikëqyrjes parlamentare, ku shumë agjenci dhe borde që kontrollohen nga Kuvendi kanë pasur vendimmarrje tejet arbitrare. Kemi pasur probleme edhe me ushtrimin e dyfishtë të funksioneve të zyrtarëve, të cilët vepronin edhe si ministra dhe deputetë. Kjo shkaktonte arbitraritet në vendimmarrjen e tyre… Vendi ka mbetur pa buxhet dhe kjo sigurisht, në rast se pas këtyre zgjedhjeve nuk rregullohet çështja e konstituimit të institucioneve, ne rrezikojmë të hyjmë edhe në një krizë financiare. Shto faktin se në rrafshin ekonomik kemi inflacion të lartë, kemi probleme me energji dhe s’kemi një qeveri legjitime që kontrollohet nga një Kuvend legjitim… Janë dhënë paga për 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët gjatë tërë vitit nuk e kanë kryer asnjë funksion të tyre që i takon sipas Kushtetutës. Në kuptimin e mbikëqyrjes parlamentare, hartimin dhe mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve dhe kërkimit të llogaridhënies për një qeveri e cila ka mandat të skanojë”, potencon ai.
Kolshi nga IKD thekson se moskonstituimi i Kuvendit ka bllokuar funksionimin e shumë institucioneve të pavarura që varen nga legjislativi. Ai përmend raste si Radio Televizioni i Kosovës (RTK), Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Avokati i Popullit, si dhe institucione të tjera që presin zgjedhjen e anëtarëve të bordeve për të funksionalizuar punën e tyre.
Sipas tij, vazhdimi i kësaj gjendjeje rrezikon që këto institucione të humbin funksionalitetin dhe të mos arrijnë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
“Kemi pasur probleme të tjera, të cilat përfshihen ose lidhen direkt me moskonstituimin e Kuvendit. Shumë institucione presin që të zgjedhen nga Kuvendi apo anëtarët e tyre të bordeve. Rasti i RTK-së, rasti i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Avokatit të Popullit dhe shumë institucioneve të tjera, të cilët presin një Kuvend të konstituar për t’i zgjedhur anëtarët dhe funksionalizuar bordet. Duke vazhduar kështu, secili nga këto institucione të pavarura rrezikon të humbë funksionin e tij dhe mos të arrijë të veprojë ashtu siç i lejon ligji dhe Kushtetuta”, shton Kolshi.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar, tentoi dy herë të formojë qeverinë e re, me mandatar fillimisht liderin partiak Albin Kurti dhe më pas nënkryetarin e saj Glauk Konjufca, mirëpo të njëjtit morën vetëm 56 vota të deputetëve në Kuvend nga 61 të nevojshme.
Pas dështimit të dytë, Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e legjislaturës së nëntë dhe më pas caktoi datën 28 dhjetor për zgjedhjet e parakohshme./KosovaPress
