Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, 30 vjet burg për Kushtrim Kokallën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për një nga rastet më të rënda kriminale në vend, duke dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt. Ndërkohë, Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim. Vendimi u mor në seancën e mbajtur të martën. Të akuzuarit – Murseli, […]

Prill 21, 2026 - 15:00
Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, 30 vjet burg për Kushtrim Kokallën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për një nga rastet më të rënda kriminale në vend, duke dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt. Ndërkohë, Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim. Vendimi u mor në seancën e mbajtur të martën.

Të akuzuarit – Murseli, bashkëshorti i së ndjerës, si dhe Plava e Kokalla – nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë shpalljes së vendimit. Ata akuzoheshin për vrasjen e Liridona Ademajt, e ndodhur në nëntor të vitit 2023.

Sipas aktakuzës, krimi ishte planifikuar në detaje, ku Murseli dhe të tjerët kishin arritur marrëveshje që vrasja të kryhej nga Granit Plava, për një shumë prej 30 mijë eurosh. Prokuroria thekson se i gjithë plani ishte ideuar nga vetë bashkëshorti, Naim Murseli, si pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve martesore dhe motiveve për hakmarrje.

Fillimisht, plani i ishte paraqitur Kushtrim Kokallës, i cili kishte refuzuar të përfshihej drejtpërdrejt në organizimin e vrasjes. Më pas, sipas aktakuzës, ai kishte ndërmjetësuar duke e lidhur Murselin me Granit Plavën, i cili pranoi ta kryente krimin.

Në dosje thuhet gjithashtu se arma e përdorur në vrasje ishte siguruar nga vetë Murseli, i cili e kishte blerë për 280 euro, së bashku me 20 fishekë, nga Tom Dodaj. Me këtë armë u krye vrasja e Liridona Ademajt.

Sa i përket Dodajt, ai ka pranuar fajësinë për shitjen e armës. Fillimisht u dënua me 5 vjet burgim nga Gjykata Themelore, ndërsa më pas Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 3 vjet burg.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli ishte deklaruar i pafajshëm. Granit Plava nuk ishte deklaruar për fajësinë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

Ky vendim pritet të ketë jehonë të gjerë në opinion, duke rikthyer në vëmendje një nga rastet më të bujshme dhe tronditëse të viteve të fundit në Kosovë.