Burrat e moshës 18-25 vjeç në SHBA do të regjistrohen automatikisht në ushtri
Burrat në SHBA pritet të përfshihen automatikisht në regjistrin ushtarak, si pjesë e një ndryshimi të ri që synon të thjeshtojë procedurat aktuale dhe të ulë kostot, raportojnë mediat, përfshirë The Hill. Sistemi i Shërbimit Selektiv (SSS), agjencia federale që administron databazën e burrave të gatshëm për t’u thirrur në rast emergjence kombëtare, ka propozuar […]
Burrat në SHBA pritet të përfshihen automatikisht në regjistrin ushtarak, si pjesë e një ndryshimi të ri që synon të thjeshtojë procedurat aktuale dhe të ulë kostot, raportojnë mediat, përfshirë The Hill.
Sistemi i Shërbimit Selektiv (SSS), agjencia federale që administron databazën e burrave të gatshëm për t’u thirrur në rast emergjence kombëtare, ka propozuar një rregull të ri më 30 mars pranë Zyrës së Informacionit dhe Çështjeve Rregullatore, sipas të dhënave zyrtare.
Aktualisht, shumica e meshkujve nga 18 deri në 25 vjeç janë të detyruar të regjistrohen në këtë sistem. Megjithatë, me ndryshimet e miratuara në dhjetor 2025 në kuadër të Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, regjistrimi automatik bëhet i detyrueshëm.
SHBA nuk ka zbatuar rekrutim të detyrueshëm që prej Luftës së Vietnamit, pasi që nga viti 1973 ushtria funksionon mbi bazën e shërbimit vullnetar. Megjithatë, në vitin 1980, ish-presidenti Jimmy Carter riktheu Sistemin e Shërbimit Selektiv si një mekanizëm rezervë për raste emergjente, që mund të përdoret me autorizimin e Presidentit dhe Kongresit.
Në kontekstin e tensioneve ndërkombëtare, përfshirë situatën me Iranin, është ngritur pyetja nëse SHBA mund të rikthejë një draft ushtarak. Sidoqoftë, një hap i tillë nuk mund të merret vetëm nga presidenti përmes urdhrave ekzekutivë; kërkohet miratim nga Kongresi për ndryshime ligjore përkatëse.
Mosregjistrimi në këtë sistem konsiderohet shkelje ligjore dhe mund të ketë pasoja të rënda: pengesa në përfitimin e ndihmës financiare, kufizime në punësim publik dhe federal, si dhe penalitete që përfshijnë gjoba deri në 250,000 dollarë dhe dënim me burg deri në pesë vjet. Për emigrantët, kjo mund të ndikojë edhe në humbjen e mundësisë për të marrë shtetësinë amerikane.
Sipas rregullave të reja, regjistrimi do të kryhet automatikisht brenda 30 ditëve nga mbushja e moshës 18 vjeç.
Ndërkohë, gratë nuk janë ende pjesë e këtij sistemi, edhe pse në vitet e fundit ka pasur përpjekje nga ligjvënësit për t’i përfshirë ato në draft përmes projektligjeve të politikës së mbrojtjes.