RMV, ajri i ndotur dhe cigaret janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike

Qytetarët sot në “City Mall” në Shkup kanë mundësinë që t’i nënshtrohen kontrolleve falas për sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK), në kuadër të shënimit të Ditës së SPOK. Kontrollet kryhen nga ekipe të ekspertëve mjekësorë dhe ata me devijime do të marrin rekomandim për analiza të mëtejshme, transmeton Portalb.mk. Sipas asistent profesor dr. Dimitar Karkinski, […]

Nëntor 21, 2024 - 13:00
 0  5
RMV, ajri i ndotur dhe cigaret janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike
Kontroll falas për sëmundjet pulmonare obstruktive kronike. Foto printscreen nga video e TV Alfas

Qytetarët sot në “City Mall” në Shkup kanë mundësinë që t’i nënshtrohen kontrolleve falas për sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK), në kuadër të shënimit të Ditës së SPOK. Kontrollet kryhen nga ekipe të ekspertëve mjekësorë dhe ata me devijime do të marrin rekomandim për analiza të mëtejshme, transmeton Portalb.mk.

Sipas asistent profesor dr. Dimitar Karkinski, drejtor i Institutit për sëmundje të mushkërive dhe tuberkuloz – Shkup, SKOP është një sëmundje shumë e zakonshme në Maqedoni, por shumica e pacientëve as që janë të vetëdijshëm se e kanë atë.

“Statistikat botërore tregojnë se në vendin tonë të paktën 100 mijë persona vuajnë nga kjo sëmundje. Arsyeja më e shpeshtë është pirja e duhanit dhe Maqedonia është ndër vendet lider në Evropë për nga numri i duhanpirësve, me 45% të popullsisë së rritur”, tha Karkinski.

Ai theksoi se shumë pacientë i injorojnë simptomat, siç është kolla, derisa të shfaqen shenja më serioze si gulçim apo lodhje.

“Kur vijnë për kontroll, sëmundja është tashmë në një fazë të avancuar dhe mushkëritë dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme”, paralajmëroi Karkinski, duke shtuar se ndotja e ajrit përkeqëson më tej kushtet.

Profesorja Zorica Nanoviq, kryetare e Shoqatës së Pneumoftiziologëve, shpjegoi se sot qytetarët mund të bëjnë një ekzaminim orientues të funksionit të mushkërive. Me metoda të tilla si pulsoksimetria dhe përcaktimi i fluksit të pikut të ekspirimit, ekipet përcaktojnë devijimet dhe i drejtojnë qytetarët në diagnostikime të mëtejshme.

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK) jo vetëm që kufizon aftësinë e pacientëve për të marrë frymë, por paraqet edhe një barrë serioze për sistemin shëndetësor, ekonominë dhe stilin e jetesës së pacientit dhe familjes së tij.

Mjeku Oliver Zafirovski thekson rrezikun serioz të grimcave PM 2.5, të cilat hyjnë drejtpërdrejt në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar një sërë problemesh shëndetësore.

“Këto grimca mikroskopike janë aq të vogla sa që kalojnë lehtësisht përmes sistemit pulmonar dhe hyjnë në sistemin e qarkullimit të gjakut. Efektet janë katastrofike – nga proceset inflamatore e deri te rreziku i shtuar i sëmundjeve më të rënda, siç është kanceri”, sqaroi dr. Zafirovski.

Ai paralajmëron se më të rrezikuarit janë më të rinjtë.

“Çdo fëmijë i gjashtë deri në të shtatë të porsalindur do të ketë sëmundje të mushkërive si pasojë e ndotjes së ajrit”, theksoi ai, duke shtuar se kjo situatë është alarmante.

Ndotja jo vetëm që rrit incidencën e sëmundjeve kronike të mushkërive, por ndikon edhe në zhvillimin e shumë gjendjeve të tjera të rënda.

“Ajri toksik që thithin qytetarët do të çojë në një rritje të numrit të njerëzve që vuajnë nga kanceri, autizmi dhe demenca”, shtoi ai.

Deri më tani, disa kanë marrë një rekomandim për teste shtesë, duke përfshirë spirometrinë – një metodë referimi për diagnostikimin e SPOK. Sipas Karkinskit, lënia e duhanit është një hap kyç në trajtimin e sëmundjes, ndërsa mjekimi vjen si mbështetje shtesë.

Nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjen dhe të inkurajojë qytetarët që të kërkojnë në kohë ndihmë mjekësore.

Ndryshe, në vitin 2021 mbi 5.480 foshnja në 23 vende dhe territore në tërë Evropën dhe Azinë Qendrore kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit. Në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare, informoi Zyra e UNICEF-it në Shkup me rastin e Ditës ndërkombëtare të ajrit të pastër.