Çerdhja në Haraçinë do të hapet nëse do të kërkojë falje kryetari, kushtëzoi ministri Limani
Objekti është gati, por çerdhja nuk po hapet në Haraçinë. Siç duket kjo po ndodh për shkak inateve personale. Ministri për Punë Sociale dhe Demografi Fatmir Limani, thotë se pa kërkuar falje publike Kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi që e ka quajtur “ministër jo legjitim” nuk do të jep nënshkrime për punësim, raporton […]
Objekti është gati, por çerdhja nuk po hapet në Haraçinë. Siç duket kjo po ndodh për shkak inateve personale. Ministri për Punë Sociale dhe Demografi Fatmir Limani, thotë se pa kërkuar falje publike Kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi që e ka quajtur “ministër jo legjitim” nuk do të jep nënshkrime për punësim, raporton TV21.
Por, kryetari i Haraçinës Ridvan Ibrahimi tha se falje duhet t’iu kërkohet 20 mijë banorëve të Haraçinës, të cilët nuk po kanë çerdhe për fëmijë në komunën e tyre.
Jo vetëm në Haraçinë, por janë edhe 4 çerdhe tjera të cilat janë ndërtuar si në Çair, Mateç, Tetovë dhe Tearcë, por asnjëra nuk po hapet.
Para festave të fundvitit pritet të vihen në funksion çerdhet në Haraçinë dhe Likovë pavarësisht se objektet janë lëshuar në përdorim tashmë disa muaj. Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, në muajin nëntor kishte deklaruar se asnjë procedurë që ka të bëj me këto çerdhe nuk është neglizhuar, por se në vijim është procedura e nënshkrimit të pëlqimeve për stafin që do të punoj në këto objekte.
Në çerdhen e Haraçinës “Fatosat” pritet të sistemohen 115 fëmijë pavarësisht që lista e pritjes së fëmijëve tejkalon këtë numër. Gjithashtu, edhe në çerdhen e Likovës “Valbona 2001” pritet të sistemohen 115 fëmijë të ndarë në 6 grupe.