Çmimi i naftës, Rama: Nëse heqim taksën e qarkullimit, e paguani 4-fish
Kushdo që ka një automjet do të paguajë katërfishin e asaj që paguajmë, nëse heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës. Këtë shpjegim dha kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me strukturat e PS-së në njësinë 7 në kryeqytet. Sipas tij kush shpenzon më shumë naftë paguan më shumë. “Ne e kemi bërë llogarinë, […]
Kushdo që ka një automjet do të paguajë katërfishin e asaj që paguajmë, nëse heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës.
Këtë shpjegim dha kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me strukturat e PS-së në njësinë 7 në kryeqytet. Sipas tij kush shpenzon më shumë naftë paguan më shumë.
“Ne e kemi bërë llogarinë, nëse ne e heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një automjet, o të duhet të paguajnë 4-fishin e asaj që u bie sot, mesatarisht. Në vend që ti ngarkojmë me 4-fishin të gjithë, ne e kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë. Në njëfarë mënyre, ata që djegin më shumë karburant, janë më ndotës”, tha Rama.
Sipas tij çmimi i naftës është rritur kudo për shkak të luftës.
“Çmimi i naftës që rritet si rezultat i një lufte që as e kemi hapur ne, as na ka pyetur një ne a duam ta hapim apo jo dhe që është një luftë kundër një vendi ë ku ka një regjim që është armiqësor ndaj nesh Shqipërisë. Megjithatë besoj që njerëzit e kanë kuptuar se në fillim ju dukej si çudi që si impaktohemi ne nga një krizë që ndodh gjetkë, por është në të gjithë dynjanë, sepse çmimi i naftës nuk është se rritet në Shqipëri, është rritur kudo dhe ka shkuar edhe shumë më lart sesa këtu në disa vende që janë në mes të Europës”, u shpreh Rama.
Ai njoftoi gjithashtu se qeveria do të transformojë të gjithë mënyrën se si se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës.
“Por përtej kësaj, ne kemi marrë përsipër tani të bëjmë një transformim të thellë të gjithë mënyrës se si se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës duke krijuar një kompani publike, e cila do të marrë përsipër të garantojë rezervën strategjike të naftës. Pra se gjërat nuk e dimë si shkojnë në këtë botë, se kjo botë sikur nuk po ka ndërmend të qetësohet edhe të vijë në vete. Dhe rezervat strategjike janë shumë të rëndësishme, sepse nuk mund të rrezikojmë që të mbetemi pa naftë në një moment të caktuar, në një kohë të caktuar sepse e kemi sot këtë rrezik, por për t’i dalë përpara gjërave në të ardhmen. Dhe nga ana tjetër duam që kjo kompani publike të jetë edhe furnizuese e naftës dhe duke qenë furnizuese të ndikojë në çmimin e naftës duke mbajtur anën e konsumatorëve jo anën e distributorëve”.