Dardan Molliqaj: Opozita po e ngatërron politikën mes formës dhe përmbajtjes, veprimet janë taktike jo parimore
Kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, në Adresa kritikoi ashpër opozitën, duke thënë se ajo po e trajton politikën përmes formës dhe jo përmes qëndrimeve parimore, ideologjike dhe vlerore. Sipas Molliqajt, gabimi i opozitës qëndron në fokusimin te pjesëmarrja ose mospjesëmarrja në takime, ndërsa thelbi i politikës, siç tha ai, është në qëndrimet dhe strategjitë


Kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, në Adresa kritikoi ashpër opozitën, duke thënë se ajo po e trajton politikën përmes formës dhe jo përmes qëndrimeve parimore, ideologjike dhe vlerore.
Sipas Molliqajt, gabimi i opozitës qëndron në fokusimin te pjesëmarrja ose mospjesëmarrja në takime, ndërsa thelbi i politikës, siç tha ai, është në qëndrimet dhe strategjitë që mbahen.
“Problemi i keqkuptimit opozitar është se mendojnë që forma përcakton gjithçka: a shkojmë në takim apo jo. Jo, çështja është çfarë qëndrimesh mban, a janë ato parimore, ideore apo thjesht taktika politike,” u shpreh ai.
Duke komentuar zhvillimet politike dhe votimet në Kuvend, Molliqaj iu referua edhe rastit të Dimal Bashës, duke e lidhur me atë që e quajti strategji politike për të dëmtuar kryeministrin Albin Kurti.
Sipas tij, disa veprime të opozitës, përfshirë votimet në Kuvend, janë bërë me qëllime taktike për të krijuar efekt politik kundër qeverisë, por që në fund, sipas Molliqajt, nuk kanë reflektuar vullnetin e qytetarëve.
“Populli e kupton kur një veprim bëhet për të dëmtuar dikë politikisht. Nëse mendon se Kurti ka gabuar, por në të njëjtën kohë voton në mënyrë që e dëmton shtetin vetëm për strategji politike, atëherë qytetari e vlerëson këtë,” shtoi ai.
Molliqaj theksoi se këto qasje, sipas tij, i dëmtojnë institucionet dhe e zhvendosin debatin politik nga parimet në taktika të momentit.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/5kVU6FUgtEY
