Deputetët e shumicës dorëzuan interpelancë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi

Deputetët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, së bashku me deputetët e shumicës parlamentare të ZNAM-it dhe VLEN-it, sot kanë dorëzuar në Kuvend interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët zgjidhen nga Kuvendi, njoftoi sot në një konferencë për media, koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, transmeton Portalb.mk. Në fillim të konferencës […]

shkurt 7, 2025 - 15:00
 0  7
Deputetët e shumicës dorëzuan interpelancë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Deputetët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, së bashku me deputetët e shumicës parlamentare të ZNAM-it dhe VLEN-it, sot kanë dorëzuar në Kuvend interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët zgjidhen nga Kuvendi, njoftoi sot në një konferencë për media, koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, transmeton Portalb.mk.

Në fillim të konferencës për media, Micevski kujtoi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit votuan kundër Raportit vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023 dhe ai nuk ishte miratuar nga Kuvendi.

“Kjo flet shumë dhe është vetëm një nga arsyet e shumta pse ne po e paraqesim këtë interpelancë sot”, tha ai.

Sipas tij, deri më tani kanë pritur që Këshilli Gjyqësor të inicojë iniciativa për shqyrtimin e Raportit Vjetor për vitin 2023, sepse neni 100, paragrafi 8 i Ligjit për Këshillin Gjyqësor parasheh që nëse Kuvendi nuk e miraton raportin në fjalë, kjo duhet të jetë bazë për inicimin e debatit para organeve që kanë zgjedhur anëtarët e tij.

Rrjedhimisht, vetë ata anëtarë duhet të kishin nisur punën për shqyrtimin e raportit negativ që erdhi nga Kuvendi, i cili zgjedh pesë nga 13 anëtarët e vetë Këshillit.

Micevski theksoi se Bashkimi Evropian dhe opinioni në vend vazhdimisht theksojnë mangësi serioze në punën e Këshillit Gjyqësor, veçanërisht në lidhje me pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien, dhe këto vërejtje janë të një rëndësie vendimtare për procesin e reformave në sektorin e drejtësisë dhe përparimin e vendit në integrimin evropian.

“Trajtimi i këtyre sfidave është i nevojshëm për të rikthyer besimin në sistemin gjyqësor dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Këshilli Gjyqësor është një institucion kyç për funksionimin e shtetit të së drejtës. Prandaj, çdo hije dyshimi në punën e anëtarëve të tij duhet të analizohet thellësisht dhe publiku duhet të sigurohet se Këshilli punon me ndershmëri, profesionalizëm dhe në interes të qytetarëve”, tha deputeti Micevski.

Ai dërgoi mesazh se është koha për të vendosur rregull në sistemin e rrënuar të drejtësisë maqedonase përmes reformave serioze dhe ndryshimeve rrënjësore, të cilat do të shënojnë fillimin e fundit të keqpërdorimeve të mëparshme në gjyqësor.

Ai ka kërkuar mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare opozitare dhe të gjithë deputetët e tjerë.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje të gjitha partive parlamentare që të marrin pjesë në procesin e ndryshimeve në Këshillin Gjyqësor, sepse siç tha ai duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të ketë konsensus social.

Këtë iniciativë e ka bërë të ditur dje kryeministri Hristijan Mickoski me një postim në profilin e tij në Facebook.

Sipas Mickoskit, drejtësia mund të arrihet përmes reformave të thella dhe ndryshimeve serioze të, siç thotë ai, praktikave të deritanishme të keqpërdorimeve që kanë hedhur rrënjë të thella në sistem. Ai thotë se pavarësisht se votohet interpelanca, ata mund të mbeten dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e Këshillit Gjyqësor.

“Vlerësojmë që duhet goditur në ballë. Le të mos përpiqemi të improvizojmë, të bëjmë implante. Goditja në ballë nënkupton se gjithçka që është në kompetencat e parlamentit, që është zgjedhja e atyre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ku zgjidhen, duhet të ketë interpelancë. Është e vërtetë që pavarësisht se do të kalojë interpelanca, ata mund të mbeten dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e Këshillit Gjyqësor”, shtoi kryeministri.

Shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, VMRO-DPMNE në pushtet, e ka paralajmëruar që para zgjedhjeve, ndërsa me retorikë identike ka vazhduar edhe pas formimit të Qeverisë.

Mickoski para një jave tha se nuk pajtohet me kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski për çështjen nëse Kuvendi mund t’i tërheqë apo jo anëtarët e këtij organi që zgjidhen nga legjislativi.

Kryetari i ri i Këshillit, Kambovski, thotë se i vetmi vend ku mund të shkarkohet një anëtar i Këshillit është vetë Këshilli dhe për kryeministrin është e palogjikshme që institucioni që i zgjedh ata të mos i tërheqë.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka paralajmëruar shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të zgjedhur nga parlamenti dhe emërimin e anëtarëve të rinj në vend të tyre, pasi Raporti për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023 nuk u miratua në Kuvend në mes të dhjetorit.

Bëhet fjalë për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe mundësia e fillimit të procedurës, sipas kryeparlamentarit Gashi, është e rregulluar me Rregulloren e Punës dhe do të zhvillohet në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime.

Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, tre prej të cilëve i zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe me shumicë Badenter, dy anëtarë i propozon presidenti i shtetit, kurse zgjedhjen e bën legjislativi. Njëri nga këta dy kandidatë duhet të jetë pjesëtar i komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Tetë anëtarët e tjerë zgjedhin gjyqtarët nga mesi i tyre. Anëtarë të Këshillit sipas detyrës zyrtare janë Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Ministri i Drejtësisë, por ata mund të marrin pjesë dhe të diskutojnë vetëm në seanca, por nuk kanë të drejtë vote, përkatësisht të marrin pjesë në vendimmarrje.

Kuvendi, sipas njoftimeve, do të diskutojë për anëtarët që i zgjedh, e nga përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor, ata janë Selim Ademi, Pavlina Cërvenkovski, Vesna Dameva, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova-Ilievska.