RMV, ankesa për fatura të larta të rrymës, KRRE: “EVN Home” t’i korrigjojë dhe të bëjë shpërndarjen e duhur sipas blloqeve

Të gjitha amvisëritë që kanë marrë faturat e rrymës dhe konsumin e kanë faturuar për herë të parë në bllokun e katërt, “EVN Home” është e obliguar t’i korrigjojë faturat e energjisë elektrike, njofton Komisioni Rregullativ për Energjetikë (KRRE), transmeton Portalb.mk. KRRE thotë se “EVN Home” duhet të bëjë ndarjen e duhur sipas blloqeve sipas […]

shkurt 7, 2025 - 15:00
 0  6
RMV, ankesa për fatura të larta të rrymës, KRRE: “EVN Home” t’i korrigjojë dhe të bëjë shpërndarjen e duhur sipas blloqeve
Faturë e energjisë elektrike (EVN). Foto: Meta.mk

Të gjitha amvisëritë që kanë marrë faturat e rrymës dhe konsumin e kanë faturuar për herë të parë në bllokun e katërt, “EVN Home” është e obliguar t’i korrigjojë faturat e energjisë elektrike, njofton Komisioni Rregullativ për Energjetikë (KRRE), transmeton Portalb.mk.

KRRE thotë se “EVN Home” duhet të bëjë ndarjen e duhur sipas blloqeve sipas historikut të konsumit mesatar të ekonomive familjare në tri periudhat e fundit të faturimit.

Konsumatorët, shtojnë nga KRRE, të cilët janë të pakënaqur me kalkulimin e energjisë së konsumuar dhe shumën e faturës, mund të paraqesin ankesë tek furnizuesi universal “EVN Home”.

Nëse konsumatori nuk është i kënaqur me përgjigjen e marrë ose nuk merr përgjigje brenda afatit tetë ditësh të përcaktuar me ligj, KRRE thotë se mund të bëhet ankesë edhe te ata si autoritet i shkallës së dytë.

Për ankesën e dorëzuar në KRRE nuk parashihet ndonjë formë apo formular specifik dhe duhet t’i bashkëngjitni një kopje të ankesës së dorëzuar në “EVN Home”, përgjigjen që kanë marrë prej aty dhe një kopje të faturës për të cilën ankohen.

Ankesa mund të dorëzohet në arkivin e KRRE-së ose në mënyrë elektronike në adresat elektronike [email protected] dhe [email protected].

Ata shtojnë se pala e pakënaqur mund të iniciojë kontest administrativ kundër vendimeve të KRRE-së.

Komisioni Rregullator për Energjetikë, shtohet në komunikatë, u bën thirrje partive politike që të mos politizojnë vendimet e KRRE-së, i cili është organ i pavarur.

Nga 1 janari 2025, çmimi i energjisë elektrike për konsum mesatar në të katër blloqet është rritur me 0.92 përqind. Në bllokun e parë çmimi u rrit me 0.68 përqind, në bllokun e dytë me 0.90 dhe në bllokun e tretë me 1.93 përqind. Rritja e çmimit për bllok është më e madhja në bllokun e katërt, me 2.24 përqind.