“Deri në 4 të mëngjesit në Shipol e Zhabar”, Baton Haxhiu pohon se Kurti frikësoi votuesit e Mitrovicës së Jugut
Analisti Baton Haxhiu në një opinion editorial në kundërpërgjigje ndaj Albin Kurtit ka thënë se ky i fundit ka qëndruar në Shipol e Zhabar të Mitrovicës së Jugut për t’i frikësuar votuesit. “Në fakt, vetë Kryeministri, me shpurën e tij, kishte qëndruar deri në katër të mëngjesit në Zhabar e Shipol, për t’i bindur banorët […]


Analisti Baton Haxhiu në një opinion editorial në kundërpërgjigje ndaj Albin Kurtit ka thënë se ky i fundit ka qëndruar në Shipol e Zhabar të Mitrovicës së Jugut për t’i frikësuar votuesit.
“Në fakt, vetë Kryeministri, me shpurën e tij, kishte qëndruar deri në katër të mëngjesit në Zhabar e Shipol, për t’i bindur banorët nën trysni e frikë, me atë mënyrën tipike të pushtetit që përzien ndikimin me përuljen. Aty nuk mund të matej bindja e lirë, por presioni, dhe aty humbi jo Exit Poll-i ynë, por vota e lirë”, thuhet ndër të tjera në opinionin e Haxhiut.
“Kështu, Kryeministri mori një shkarje në rezultatin përfundimtar të Exit Poll-it dhe e shndërroi në fitore morale. Ai bëri pikërisht atë që bën çdo pushtet kur ndjen krizë: shpik armik për të treguar se ende ka betejë. Ai gjeti fajtorin më të lehtë, sondazhin, median, numrat, sepse nuk mund t’i gjejë dot përgjigjen vetes pse njerëzit s’e besojnë më me të njëjtin entuziazëm”, vijon shkrimi i tij.
Haxhiu ndër të tjera ka vlerësuar se gabimi i Exit Poll-it ishte njerëzor, por që më vonë u kthye nga Kurti në “armë politike”.
“Por ajo që ndodhi më pas, ishte shumë më e madhe se vetë gabimi. Kryeministri i Kosovës e ktheu një pasaktësi statistikore në armë politike, në mënyrën më tipike të pushtetit që frikësohet nga matja reale e opinionit. Ai foli për komplot, për organizim, për gabim të qëllimshëm, sikur qytetari në Mitrovicë të kishte hyrë në një skemë të madhe mashtrimi për t’i fshehur fitoren. Në fakt, ai vetë e kishte ndërtuar klimën ku matja nuk mund të dilte ndryshe”.
