Detaje nga hetimet e tragjedisë në Koçan: Të dyshuar 45 persona fizikë, 3 persona juridikë 

Tragjedia e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan ku vdiqën 61 persona po hetohet nga 13 prokurorë. Deri më tani të dyshuar janë 45 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Ndaj 19 të dyshuarve të rinj janë kërkuar masa sigurie, shkruan Portalb.mk.  Siç bëri të ditur prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski, për 4 persona kërkohet […]

Prill 13, 2025 - 20:00
 0  8
Detaje nga hetimet e tragjedisë në Koçan: Të dyshuar 45 persona fizikë, 3 persona juridikë 
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski dhe prokurori publik i shtetit Ljubomir Kocevski. Foto: Printscreen nga konferenca për shtyp (Facebooku i MPB-së)

Tragjedia e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan ku vdiqën 61 persona po hetohet nga 13 prokurorë. Deri më tani të dyshuar janë 45 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Ndaj 19 të dyshuarve të rinj janë kërkuar masa sigurie, shkruan Portalb.mk. 

Siç bëri të ditur prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski, për 4 persona kërkohet paraburgim, për 7 persona arrest shtëpiak me ndalim komunikimi dhe për 7 të tjerë janë propozuar masa parandaluese. 

Një nga të dyshuarit nuk ndodhet brenda shtetit.

Hetimi përfshin një sërë ish-zyrtarësh dhe aktualë, lëshimet e të cilëve lejuan që klubi të funksiononte pa i plotësuar kushtet. 

Kocevski tha se në mesin e të dyshuarve janë edhe tre ish-kryetarë komunash dhe tre inspektorë ndërtimor nga Komuna e Koçanit, të cilët sipas hetimeve nuk kanë kryer fare kontroll inspektues edhe pse objekti në mënyrë të kundërligjshme ishte shndërruar në objekt hoteliere. 

“Gjithashtu, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka dyshuar për tre persona të cilët ndër vite nuk kanë bërë asnjë inspektim apo monitorim të objektit. Ata me veprimet e tyre të papërgjegjshme i ekspozuan qytetarët në rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Kocevski. 

Hetimi përfshin dhe dy sekretarë shteti, një ish-ministër i ekonomisë dhe tre punonjës në sektorin e hotelerisë dhe turizmit të së njëjtës ministri, të cilët si kanë mundësuar klubit të marrë licencat dhe të vazhdojë funksionimin edhe pse ishte i paligjshëm. 

Të dyshuar janë edhe katër inspektorë nga Inspektorati i Tregut, si dhe tre inspektorë të tjerë që kanë qenë pjesë e fazës së mëparshme të hetimit.

Autoritetet hetimore po zhvillojnë procedim edhe ndaj shtatë punonjësve të policisë.

Në hetim janë të përfshirë edhe pronarët dhe drejtuesit e diskotekës, përdoruesit e mjeteve piroteknike, rojet e sigurisë. 

“Hetimi është në vazhdim dhe po ndërmerren veprime të reja hetimore”, tha Kocevski. 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kocevski theksoi se ministri aktual i Ekonomisë nuk është pjesë e hetimeve, sepse pronari i klubit nuk ka paraqitur kërkesë për licencë të re gjatë mandatit të tij. 

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski theksoi se të gjithë, ashtu si të mëparshmit për të cilët ka nisur hetimi, dyshohen për Krime të Rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal.

Toshkovski shpjegoi se hetimi nuk duhet të lejohet të ndikohet nga grindjet politike nga individë keqdashës, të cilët duke dashur të fitojnë disa pikë politike mbi zemërimin e qytetarëve, mund ta zhvendosin rrjedhën e ngjarjeve në drejtim të padëshiruar.

“Ne nuk do ta lejojmë këtë. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe për secilin person për të cilin do të konstatohet se ka lidhje me ngjarjen penalo-juridike në fjalë ku humbën jetën 61 të rinj, do të ndërmerren veprime përkatëse, në kuadër të kompetencave ligjore që i janë dhënë edhe MPB-së dhe Prokurorisë Publike”, tha Toshkovski.

Sipas LSDM-së, zgjerimi i hetimeve për tragjedinë e tmerrshme në Koçan ende është fokusuar vetëm në të kaluarën dhe jo në momentet kur ka ndodhur ngjarja dhe as në zyrtarët aktualë të policisë.

“Në ditën e tragjedisë, më 16 mars, zyrtarët aktualë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Koçanit, SPB Shtip dhe Byrosë për Siguri Publike që ishin në pozita ishin përgjegjës për sigurinë dhe duhej të vepronin”, thonë nga LSDM.

Ata pyesin se nëse mekanizmat e kontrollit dhe të sigurisë, të cilat janë nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Koçanit, Sektorit të Punëve të Brendshme të Shtipit, gjegjësisht MPB-së dhe Byrosë të Sigurisë Publike, si ka mundësi që asnjë nga zyrtarët aktualë të mos jetë arrestuar dhe të mos përfshihet në hetim.

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka thënë se edhe tragjeditë keqpërdoren për t’i goditur shqiptarët dhe se kjo është padrejtësi edhe ndaj viktimave të Koçanit .

“Fushata kundër shqiptarëve e paralajmëruar nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski duke thënë se “do t’i kapim për veshi” dhe do t’i dërgojmë në burg, tani po zbatohet në praktikë nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, thanë nga ASh Ziadi Sela. 

Sipas tyre, arrestimet e padrejta, të pabaza dhe me parapavijë të pastër etnike, duke keqpërdorur tragjedinë e Koçanit kanë dy qëllime: 

  1. Të fshehin përgjegjësit e vërtetë duke filluar nga kryeministri, ministri i punëve të brendshme dhe drejtuesit aktual të organeve kompetente, lokale dhe qendrore. 
  1. Të frikësojnë shqiptarët, të shtypin shqiptarët dhe të shkaktojnë revoltë dhe tensione ndëretnike, me qëllim defokusimi nga problemet dhe përgjegjësitë reale. 

“Padrejtësia, arrestimi dhe akuzat ndaj personave që nuk kanë përgjegjësi për këtë rast dhe keqpërdorimi politik dhe etnik i këtij rasti, vlerësojmë se është edhe padrejtësi ndaj vetë viktimave dhe familjarëve të tyre, të cilët më së shumti presin drejtësi dhe jo keqpërdorim të dhimbjes së tyre”, thanë nga ASh Ziadin Sela. 

Lidhur me këtë tragjedi dhe mënyrën se si po trajtohet nga shteti, nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se sjellja e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE në krye me kryeministrin Hristijan Mickoskin është shqetësuese, sepse në vend që të ndërmarrin masa dhe të kërkojnë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktualë dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike.

“BDI dënon ashpër arrestimet e fundit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë, si një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësit e vërtetë. Këto veprime të paprovuara, të nisura nga institucionet e kontrolluara nga Mickoski, shërbejnë për të targetuar qëllimisht individë për qëllime politike”, theksuan nga BDI. 

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraprakisht identifikoi si të dyshuar 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërsa me zgjerimin e hetimeve më 12 prill edhe ndaj 19 të dyshuarve të tjerë. Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhenparaburgim.