VLEN e ka të njëjtën peshë edhe pa Taravarin sipas Kasamit, Taravari: I ka ngatërruar numrat

Koalicioni VLEN ka të njëjtën peshë si me Taravarin, si pa atë. Kështu ka dekalruar kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), transmeton Portalb.mk. Por sipas Taravarit, Kasami i ka ngatërruar numrat. “Vlerësoj që VLEN peshon… të mos them më shumë, por aq pa Taravarin sa ia […]

Prill 13, 2025 - 20:00
 0  7
VLEN e ka të njëjtën peshë edhe pa Taravarin sipas Kasamit, Taravari: I ka ngatërruar numrat
Bilall Kasami dhe Arben Taravari. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Koalicioni VLEN ka të njëjtën peshë si me Taravarin, si pa atë. Kështu ka dekalruar kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), transmeton Portalb.mk. Por sipas Taravarit, Kasami i ka ngatërruar numrat.

“Vlerësoj që VLEN peshon… të mos them më shumë, por aq pa Taravarin sa ia vlente dhe peshonte me të. Besoj se humbësi më i madh do të jetë ai që do të dalë nga çështja e koalicionit VLEN. Fjala e urtë popullore thotë: “Ai që ndahet nga grupi do ta hajë ujku”. Në këtë rast, mendoj se VLEN do të vazhdojë edhe më fuqishëm”, tha Kasami. 

Këto komente ai i bëri pasi u pyet për aludimet e mundshme për daljen e Taravarit nga koaliconi VLEN.

“Unë ende besoj se ka një shans real që të vazhdojmë së bashku, sepse vlerësoj që së pari vlera e secilës parti, pjesë e Vlenit, është më e madhe si pjesë e koalicionit sesa jashtë. Ne kemi tentuar edhe më parë, secili veç e veç, të sfidojmë Ali Ahmetin dhe BDI-në dhe kemi dështuar. Ne ia dolëm mbanë vetëm kur qëndruam së bashku... BDI nuk ka dhënë ende përgjigjen e 20 viteve të qeverisjes korruptive, kriminale të shtetit dhe mospërfaqësimit të shqiptarëve”, tha Kasami. 

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari e ka komentuar deklaratën e Kasamit.

“Lapsus linguae. Ngatërrim numrash dhe ekuacionesh”, Taravari për TV21.

 Më 11 prill liderët e VLEN-it mbajtën mbledhje, ku pas saj u tha se Taravari do të mbetet pjesë e koalicionit.

Kujtojmë se, Taravari në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, ka bërë kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Ai tha se, koalicioni ka shumë mangësi dhe mospërputhjet e koalicionit shihen nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Kjo ka nxitur përplasje publike të liderëve të tjerë të VLEN-it me Taravarin, që kanë vazhduar që nga kjo intervistë.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së. Mosmarrëveshjet në VLEN kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, përkatësisht rreth ndarjes së komunave.