Pas dy dekadash dashuri, Ulpiana Lama tregon të vërtetën e ndarjes
Ndarjet nuk janë kurrë të lehta, aq më tepër pas shumë vitesh së bashku, ku ideja se do të kalosh pjesën e mbetur të jetës me të njëjtin person, duket se është “ngulitur” thellë në mendjen e secilës palë. Divorci mund të jetë mjaft i vështirë për t’u pranuar, por ajo që e pason atë […]

Ndarjet nuk janë kurrë të lehta, aq më tepër pas shumë vitesh së bashku, ku ideja se do të kalosh pjesën e mbetur të jetës me të njëjtin person, duket se është “ngulitur” thellë në mendjen e secilës palë. Divorci mund të jetë mjaft i vështirë për t’u pranuar, por ajo që e pason atë duket se i ngjan një metamorfoze, ku personat që i nënshtrohen zbulojnë një pjesë të paeksploruar të vetes.
Në “The Dalina Show”, periudha post-ndarjes është përshkruar në një mënyrë krejt të veçantë nga Ulpiana Lama, ish-përfaqësuesja e diplomacisë së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës . Fillimisht, ajo tregoi se iu deshën dy vite të pranonte se marrëdhënia e saj 20-vjeçare kishte marrë fund, por mbi të gjitha gjatë kësaj kohe nisi të kuptonte më mirë së çfarë ndjente dhe se si mund t’i përpunonte emocionet e saj.
“Në 2018-ën lashë pas krahëve një jetë 20-vjeçare, që nisi në ‘98-ën dhe mbaroi në 2018-ën. Kanë qenë dy vite, 2018-2020, ku je duke ridimensionuar veten, ti nuk e di se cilat janë emocionet e tua. Janë emocione të mungesës, të mllefit ndonjëherë, ku ti kujton se e kishte mbyllur ciklin, por nga ana tjetër kupton se diçka inorganike po i ndodh trupi tënd. 20 vjet janë shumë dhe (pasohen nga) ai 2-vjeçar që mendon se ku jam, çfarë po ndodh me mua, si do të jetë jeta ime.”
Sipas saj, bashkëshorti, pas divorcit, kthehet në bashkëudhëtar. Duke analizuar vetë fjalët, Lama përshkruan se ndërsa përgjatë viteve së bashku e shihte partnerin si shortin e jetës, pas ndarjes mësoi ta shihte si bashkëudhëtar të dy dekadave.
“Por më pas e kupton dhe vjen te koncepti i bashkëudhëtarit, jo vetëm bashkëshortit. Bashkëshorti ka diçka që është përfundimtare, domethënë, ti jeton 20-50 vjet, ky është shorti yt dhe kjo është gjëja e fundit që do të ndodhë në jetën tënde.”
Madje, ndarja nga një partner, në fakt është thjesht fundit i një rrugëtimi që destinacion ka divorcin. Por, a nuk ndodh e njëjta gjë shpeshherë gjatë jetë?
“Ti kupton se sa më tepër që rritet jetëgjatësia disa janë mundësitë: ose do rritesh në të njëjtin drejtim dhe do bëni rrugën bashkë, ose e mira është që ti të kalosh nëpër këtë metamorfozën, procesin e ndryshimit, i cili ndonjëherë nuk është i katalizuar së brendshëm, por është një katalizues i jashtëm, një lëvizje, një gjeografi, punë tjetër dhe që bëhet një katalizator që e çojnë gjënë drejt fundit. Pastaj, vjen te koncepti i bashkëudhëtarit. Ti rritesh, tjetri rritet dhe kjo ndodh dhe me shokët me shoqërinë, sepse kemi 3 lloje jetësh: jeta sociale, private, intime. Ndaj, kjo mund të ndodhë në të treja llojët e jetëve.”
Dy dekada investim shpirtëror ndonjëherë konsiderohen si humbje nëse marrëdhënia merr fund, por mbase vetë ky proces është ndonjëherë më shumë fitimprurës se sa e mendonim dhe këtë e përshkruan mjaft mirë Lama përmes këtyre fjalëve:
“Ajo që unë mendoja se ishte “derisa vdekja të na ndajë”, në fakt kishte qenë një bashkëudhëtim. Përfunduan 20 vite, nuk paska qenë e gjithë jeta, por një pjesë e saj. Ishte e nevojshme, dhamë dhe morëm, marrëdhënie dhe kur përfundon ky proces, rruga të çon në një drejtim tjetër pa një keqardhje. Kuptohet, kalojnë ato dy vitet e para, pasi janë normale. Pastaj, ti nis një kapitull tjetër.”
Mbase mesazhi i kësaj interviste qëndron te pikëpamja mbi ndarjen, e cila në fakt mund t’i hapë rrugën një procesi krejtësisht transformues, duke na servirur një version tjetër të vetes. Në vend që të luftojmë të shkuarën, duhet ta pranojmë atë si një pjesë të bukur të jetës, që si çdo gjë tjetër, ka një fund. Ndaj, fokusi duhet të jetë gjithmonë në kapitullin e ri.