Smokey Robinson akuzohet për sulm seksual nga katër gra
Katër gra, ish-pastruese në shtëpinë e legjendës së muzikës soul, Smokey Robinson, e kanë paditur atë duke e akuzuar për sulm seksual, burgosje të padrejtë, neglizhencë dhe dhunë me bazë gjinore. Padia është ngritur në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit dhe me të kërkohet një dëmshpërblim prej 50 milionë dollarësh, ka raportuar BBC. Në këtë […]

Katër gra, ish-pastruese në shtëpinë e legjendës së muzikës soul, Smokey Robinson, e kanë paditur atë duke e akuzuar për sulm seksual, burgosje të padrejtë, neglizhencë dhe dhunë me bazë gjinore. Padia është ngritur në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit dhe me të kërkohet një dëmshpërblim prej 50 milionë dollarësh, ka raportuar BBC.
Në këtë padi përfshihet edhe bashkëshortja e muzikantit, Frances Robinson, e cila sipas dokumenteve ligjore ka kontribuar në një ambient pune armiqësor, duke përdorur edhe “shprehje fyese me bazë etnike”.
Përfaqësuesit e çiftit ende nuk kanë dhënë ndonjë koment, ndërsa akuzat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Kush është Smokey Robinson?
Robinson, 85 vjeç, është një nga emrat më të mëdhenj të muzikës soul. Ai është autori i hiteve të pavdekshme si “My Girl” dhe “The Tracks of My Tears”, dhe ka shkruar më shumë se 4,000 këngë gjatë karrierës së tij. Emri i tij Ai është nderuar me përfshirje në Rock and Roll Hall of Fame dhe në Songwriters Hall of Fame.
Çfarë përmban padia?
Sipas avokatit të grave, John Harris, Robinson ka përdorur statusin e tij si figurë publike për të ushtruar presion dhe frikë ndaj tyre.
“Ato janë gra hispanike që punonin për çiftin Robinson me paga më të ulëta se minimumi ligjor. Si gra me të ardhura të ulëta dhe në pozita të cenueshme, ato nuk kishin burimet apo opsione për t’u mbrojtur nga sulmet seksuale”, deklaroi Harris në një konferencë për media në Los Angeles.
Të katër gratë janë identifikuar me pseudonimet Jane Doe 1, 2, 3 dhe 4, për shkak të natyrës së ndjeshme të akuzave, që përfshijnë edhe përdhunim.
Tre prej tyre kanë qenë pastruese, ndërsa njëra ka punuar si asistente personale, kuzhiniere dhe parukiere e këngëtarit.
Gratë pretendojnë se Robinson i ftonte në dhoma të ndryshme të shtëpive të tij në Chatsworth, Bell Canyon dhe Las Vegas, zakonisht kur bashkëshortja e tij nuk ishte aty.
Sipas padisë, ai shpesh dilte i zhveshur nga dushi dhe i detyronte të kryenin akte seksuale me të.
Tri prej grave pretendojnë se abuzimet ndodhnin në të ashtuquajturën “doma blu” në shtëpinë e tij në Chatsworth.
Jane Doe 2 thotë se është përdhunuar në lavanderi dhe garazhin e të njëjtës rezidencë, në zona ku kamerat nuk regjistronin.
Ato deklarojnë se këngëtari përdorte pengesa fizike dhe kërcënime për t’i ndaluar të largoheshin gjatë akteve të pretenduara të dhunës.
Përveç akuzave për abuzim seksual, padia përfshin edhe shkelje të shumta të ligjeve të punës:
-Punë 10 orë në ditë, 6 ditë në javë
-Punë pa pagesë për orët shtesë apo ditë pushimi
-Mungesë e ushqimit dhe pushime të detyrueshme
Të katër gratë kanë dhënë dorëheqje për shkak të sjelljes seksuale të Robinsonit dhe një ambienti pune toksik, thuhet në dokumentet gjyqësore.
Aktualisht, nuk ka hetim penal në zhvillim dhe nuk janë ngritur akuza zyrtare nga prokuroria.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Los Angelesit ka konfirmuar se nuk është duke e shqyrtuar rastin, pasi organet e rendit nuk kanë paraqitur ndonjë çështje.
Policia e Los Angelesit nuk ka dhënë asnjë koment.