Do të ndërtohet objekt i ri i shkollës tekstile në Tetovë, planifikohet të kushtojë 5 milionë euro
Shkolla e mesme tekstile ‘Gjoce Stojçeski’ në Tetovë do të bëhet me objekt të ri, ndërtimi i të cilit do të kushtojë pesë milionë euro. Megjithatë datë konkrete për dinamikën e punimeve nuk ka sepse ende nuk është nënshkruar marrëveshje me realizuesin e punimeve, shkruan Portalb.mk. Shumica e mjeteve për këtë projekt janë siguruar nga […]
Shkolla e mesme tekstile ‘Gjoce Stojçeski’ në Tetovë do të bëhet me objekt të ri, ndërtimi i të cilit do të kushtojë pesë milionë euro. Megjithatë datë konkrete për dinamikën e punimeve nuk ka sepse ende nuk është nënshkruar marrëveshje me realizuesin e punimeve, shkruan Portalb.mk.
Shumica e mjeteve për këtë projekt janë siguruar nga Qeveria e RMV-së.
Nga Komuna e Tetovës sqaruan se ky projekt është projekti më i madh i kësaj thirrje në vlerë totale prej 5 milionë euro apo 308 milionë denarë e cila gjithashtu do të realizohet në dy faza ku për fazën e parë janë siguruar 148,540,166 den nga mjetet e Qeverisë për investime kapitale për komunat ndërsa 2,263,617denarë nga buxheti i Komunës së Tetovës.
“Për këtë fazë jemi në periudhë tenderimi dhe dinamika do të dihet me nënshkrimin e marrëveshjes me realizuesin dhe pritet të jetë deri në fund të verës së këtij viti. Ndërsa sa i përket fazës së dytë është përfshirë në paketën e projekteve që do të aplikojmë te thirrja e qeverisë për investime kapitale për komunat për vitin 2025”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Lidhur me këtë projekt ka folur edhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti gjatë një vizite në Tetovë.
“Edhe një tjetër projekt shumë i rëndësishëm për Tetovën, në përputhje me Programin për shfrytëzimin e mjeteve kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale për projekte infrastrukturore në fushën e arsimit dhe shkencës për vitin 2024, për të cilin janë ndarë mjete për realizim, është projekti për Ndërtimin e objektit krejtësisht të ri për shkollën e mesme teknike Gjoce Stojçevski. Objekti është planifikuar të jetë përdhesë plus dy kate”, tha Mexhiti.
Përkrahje ndaj këtij projekti kanë dhënë edhe këshilltarët e opozitës në Këshillin Komunal të Tetovës.
Liridon Disha nga BDI tha se me votimin e buxhetit ne Komunën e Tetovës e kemi përkrahur ndërtimin e shkollës së re Tekstile në Tetovë, edhe pse ajo nuk ndërtohet nga buxheti vetanak i Komunës, por me mjete të destinuara nga Qeveria.
“Ne në vazhdimësi kemi përkrahur çdo tentativë për ndërtim dhe zhvillim të qytetit, edhe pse për 3 vjet e gjysmë sa Bilall Kasami është në pushtet lokal, ato kanë qenë thuaj se inekzistente”, tha Disha.
Ndryshe, thirrja për ndërtimin e këtij objekti është publikuar më 27 dhjetor 2024 ndërsa është e hapur deri më 27 janar 2025.