Draft-ligji për prejardhjen e pronës pa nam e nishan, Ministria e Drejtësisë: Nuk ekziston ligj i tillë në legjislacionin e RMV-së

Draft-ligji për prejardhjen e pronës është zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut nuk e ka ndërmend ta sjellë atë. Autoritetet e Antikorrupsionit nuk kanë informacion nëse ky ligj ekziston ende, në çfarë faze ndodhet apo nëse do të miratohet ndonjëherë. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë nuk ishte në dijeni […]

shkurt 2, 2025 - 09:00
 0  4
Draft-ligji për prejardhjen e pronës pa nam e nishan, Ministria e Drejtësisë: Nuk ekziston ligj i tillë në legjislacionin e RMV-së
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavijë: Meta.mk)

Draft-ligji për prejardhjen e pronës është zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut nuk e ka ndërmend ta sjellë atë. Autoritetet e Antikorrupsionit nuk kanë informacion nëse ky ligj ekziston ende, në çfarë faze ndodhet apo nëse do të miratohet ndonjëherë. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë nuk ishte në dijeni se një ligj i tillë kishte nisur ndonjëherë. Qeveria, gjithashtu, nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me pyetjet e Portalb.mk për statusin e ligjit, i cili ishte kërkuar me ngulm nga Komisioni Antikorrupsion gjatë përbërjes së kaluar. Në thelb, ky ligj nuk është një prioritet i qeverisë aktuale dhe as nuk është përmendur së fundmi, ndërsa drafti që ekzistonte ka humbur pa gjurmë, shkruan Portalb.mk.

Redaksia jonë kërkoi prononcim nga Antikorrupsioni, se ku ndodhet ky ligj, pasur parasysh faktin se ky Komision e ka kërkuar një ligj të tillë prej vitesh si zgjidhje për deklarimin e prejardhjes së pasurisë së zyrtarëve dhe supozohej ta dinte në ç’fazë mund të jetë.

Mirëpo nga ky Komisioni, nuk ishin fare në dijeni se ku është ligji. Përgjigje të ngjashme jepeshin edhe nga përbërja e kaluar e Komisionit, pra nuk dinin asgjë për fatin e këtij ligji apo draft-ligji.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar, ju njoftojmë të kontaktoni Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Drejtësisë, si institucione kompetente”, u përgjigjën nga Antikorrupsioni.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, në përgjigje për redaksinë tonë, tha se nuk ekziston një ligj i tillë në legjislacionin e Maqedonisë së Veriut. Përkatësisht, kjo është e vërtetë, sepse ai ligj nuk është miratuar. Mirëpo, Ministria e Drejtësisë, ishte absolutisht e painformuar për iniciativën e një ligji të tillë, ose nëse i njëjti ndodhet në ndonjë procedurë.

“Ligji për origjinën e pronës nuk ekziston në legjislacionin tonë. Nëse e keni fjalën për Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, ai është miratuar dhe publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut në mars të vitit 2024, me aplikim të vonuar nga shtatori 2024. Para miratimit, ligji është harmonizuar paraprakisht me një opinion të marrë nga Këshilli i Evropës”, thanë nga Ministria së Drejtësisë.

Pas sqarimit tonë se nuk kërkojmë informacion për ligjin e apostrofuar, por atë për prejardhjen e pronës, nga kjo ministri u përgjigjën:

“Ndoshta në atë periudhë ka qenë vetëm një ide e qeverisë së atëhershme. Një ligj i tillë nuk ekziston”.

Ndërkohë, deri në publikimin e këtij teksti nga Qeveria e RMV-së nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këtë çështje.

Të pyetur nga Portalb.mk se në janar të vitit 2023 pse është vonuar miratimi i këtij ligji, nga Qeveria aso kohe patën thënë se duan që ligji të jetë i saktë pa kontradikta dhe i zbatueshëm.

“Përgatitja e Ligjit për prejardhjen e pronës i koordinuar nga Kabineti i zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës është në fazën e finalizimit të zgjidhjeve që mungonin në draft-versionin e fundit, për të cilin në mesin e muajit nëntor organizuam takimin e grupit të punës me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas. Është e rëndësishme që zgjidhjet në ligj të jenë të sakta, pa ekuivoke, të mos ketë mbivendosje apo kontradikta me zgjidhjet ligjore ekzistuese. Rregullativa e re ligjore duhet të jetë e zbatueshme për të pasur efekte të mëdha në luftën kundër korrupsionit”, thanë atëkohë nga Qeveria.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e atëhershme e RMV-së nisi një fushatë mbarëkombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e luftës kundër korrupsionit.

Qeveria dhe ish-zëvendëskryeministri i saj përgjegjës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Lupço Nikollovski paraqiti projekt-ligjin e ri sipas të cilit kushdo që nuk arrin të provojë origjinën e pronës së blerë me vlerë më shumë se 30.000 euro do të përballet me konfiskimin e së njëjtës. 

Çka përmbante ligji dhe cili ishte mendimi i Antikorrupsionit?

Ndërkohë, nga Komisioni për Antikorrupsion, në nëntor të vitit 2021 për Portalb.mk thanë se ende pa filluar aktivitetet për përgatitjen e ligjit, ky institucion ka theksuar nevojën e një zgjidhjeje ligjore, me të cilën mund të kërkohej dëshmi për mënyrën e prejardhjes së pronës, me të cilën çdo qytetar do të duhet të dëshmojë se nga vjen prona e tij/saj, në bazë të asaj që ka fituar, a është trashëgimi, a e ka blerë apo dikush ia ka dhënë.

“Qëllimi i ligjit është mbrojtja e interesit publik nga të gjitha llojet e përvetësimit dhe disponimit me pronë, prejardhja e të cilave nuk mund të dëshmohet dhe mbrojtja e pasurisë së fituar ligjërisht. Në ligj janë rregulluar mënyra dhe procedura për identifikimin dhe përcaktimin e pasurisë me prejardhje të panjohur, organet që do t’i zbatojnë procedurat dhe si do të veprohet më tej me atë pronë. Ligji parashikon që organet kompetente do të veprojnë kur rritja e pronës, prejardhja e së cilës nuk mund të vërtetohet i kalon 30.000 euro, për një periudhë njëvjeçare, duke krahasuar të hyrat e ligjshme të personit dhe pasurinë që ka fituar në periudhën e caktuar. KShPK është e qëndrimit se nuk duhet të ketë prag për veprim, por duhet të veprohet në çdo rast kur ka rritje të pasurisë mbi shumën totale të të ardhurave të fituara me ligj, pavarësisht diferencës së konstatuar”, deklaruan nga KShPK-ja.

Në ligj, gjithmonë sipas versionit fillestar, Drejtoria e Policisë Financiare ishte përcaktuar si organi kompetent për mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve për prejardhjen e pronës, e cila do të vepronte pas marrjes së njoftimit/iniciativës nga çdo person juridik apo fizik, pavarësisht nëse është organ shtetëror, ndonjë person tjetër juridik ose fizik.

Në atë drejtim, nëse ndonjë person i caktuar ka fituar pronë me vlerë të caktuar, por burimet e tij të të hyrave janë shumë më të vogla nga prona e fituar, pas njoftimit të marrë, gjegjësisht iniciativës, Drejtoria për policinë financiare qaset në mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve për atë pronë. Përcaktimi i prejardhjes së pasurisë vazhdon përpara gjykatës, në procedurë civile, me ngritjen e padisë nga ana e Avokatit të shtetit, përfaqësues i shtetit me ligj. Pasuria ku do të konstatohet se nuk është fituar në rrugë të ligjshme, pra nuk ka prova për origjinën e saj, me vendim gjyqësor të formës së prerë kalon në pronësi të shtetit.

Gjithashtu, në ligj ishte paraparë detyrim për të gjithë e personat, që të paraqesin pronën që nuk është e paraqitur, gjegjësisht të evidentuar ose regjistruar në regjistrat përkatës.

“Aspekti pozitiv i këtij ligji është që me të njëjtin mundësohet që lëndë procesimi të jetë edhe prona me prejardhje të panjohur, për të cilën ekziston mundësi se është fituar me kryerjen e veprës penale, gjatë së cilës është shfaqur vjetërsim i ndjekjes penale, përkatësisht vjetërsim i veprës penale ose kur nuk ka dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e veprës penale, ndërsa nuk ekzistojnë dëshmi si prona që e posedon personi e ka fituar. Në publik shpesh përdoren termet marrje ose konfiskim të pronës, e cila është e papërputhshme në këtë procedurë, pasi këto terme janë terme që përdoren në vepër penale ku kryhet konfiskim, gjegjësisht sekuestrim të pronës dhe përfitim pronësor fituar prej kryerjes së verifikuar penale nga ana e një personi përkatës”, vlerësonin atëkohë nga KShPK.

“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kompetencë e të cilit, ndër të tjera, është inicimi i zgjidhjeve ligjore, ka pritshmëri të arsyetuara se me miratimin e këtij ligji do të mbrohet interesin publik nga fitimi dhe disponimi i pronës origjina e së cilës nuk mund të vërtetohet”, thanë nga KShPSh.

Disa, nga ana tjetër drunin se barra e dëshmisë së pronës më shumë do të bjerë mbi qytetarët. Ata duhet të dëshmonin se nga vijnë paratë e tyre, nga i vjen shtëpia, banesa, arat e kështu me radhë.

Sidoqoftë, që atëkohë dukej e paqartë se si do të zbatohej ky ligj, kur dihej se Antikorrupsioni has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punësuarëve në sektorin publik, kjo për shkak të mungesës së softuerit, i cili edhe sot e kësaj dite nuk është plotësisht funksional.

Nga ana tjetër në mungesë të një ligji të tillë, funksionarët do të vazhdojë të mos e paraqesin pronën apo ta shkruajnë në emër të dikujt tjetër, megjithatë, pas kësaj zgjidhjeje ligjore, kjo gjë do të bëhet e vështirë ose pothuajse e pamundur.

Ndërkohë Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.