Drejtori i Agjencisë së Kadastrës së RMV-së: Fletë-pronësia do të mund të nxirret brenda një minute

Qytetarët apo personat juridikë do të mund të pajisen me fletë pronësie përmes portalit të ri të shërbimeve elektronike të Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme brenda pak sekondave deri në një minutë. Këtë sot në një konferencë për media e bëri të ditur drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Ivan Zhivkovski, duke […]

Nëntor 11, 2024 - 18:00
 0  7
Drejtori i Agjencisë së Kadastrës së RMV-së: Fletë-pronësia do të mund të nxirret brenda një minute
Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive RMV/Foto: Portalb.mk

Qytetarët apo personat juridikë do të mund të pajisen me fletë pronësie përmes portalit të ri të shërbimeve elektronike të Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme brenda pak sekondave deri në një minutë. Këtë sot në një konferencë për media e bëri të ditur drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Ivan Zhivkovski, duke theksuar se portali i ri e-uslugi.katastar.gov.mk mundëson qasje të shpejtë elektronike në gjithsej 94 shërbime të ndryshme kadastrale.

Sipas Zhivkovskit, ueb-faqja ekzistuese ossp.katastar/gov.mk do të jetë aktive deri më 31 dhjetor 2024, ndërsa nga viti i ardhshëm qytetarët do të kenë qasje në shërbimet e Kadastrës ekskluzivisht përmes portalit të ri.

Kjo nuk e përjashton mundësinë, thotë ai, që qytetarët, personat juridikë dhe përdoruesit e tjerë të kërkojnë shërbime përmes sporteleve të Kadastrës.

“Me portalin e ri mundësohet marrja e shërbimeve menjëherë pas porosisë me e-mail, gjë që shkurton kohën dhe liron përdoruesit nga pritjet para sporteleve. Pra me këtë digjitalizim zvogëlohen procedurat administrative dhe mundësohet qasja efikase në shërbime”, thotë Zhivkovski.

Ai ka treguar se deri në fund të vitit do të shtohen edhe dhjetë shërbime të reja, ndërsa për vitin e ardhshëm planifikohet zgjerimi i mëtejshëm për dhjetë shërbime të tjera.

“Shërbimi më i përdorur është nxjerrja e tapisë. Me portalin e ri qytetarët do t’i marrin të dhënat me e-mail brenda dhjetë sekondave deri në një minutë. Kështu ata marrin një dokument të verifikuar elektronikisht, i cili mund të përdoret si dokument publik para të gjitha institucioneve. Ekziston edhe mundësia nëse shfrytëzuesit dëshirojnë të zgjedhin ta marrin porosinë përmes Postës së Maqedonisë”, tha ai.

Sipas tij, Agjencia e Kadastrës është institucioni i parë shtetëror me mbi 100 shërbime plotësisht të digjitalizuara në dispozicion të qytetarëve.

Zhivkovski thotë se me marrjen e pozitës së drejtorit menjëherë i ka propozuar Bordit Drejtues të Agjencisë që të ulen çmimet e shërbimeve kadastrale deri në 75 përqind.

“E kemi njoftuar bashkë me kryeministrin. E gjithë procedura përfundoi dhe qeveria miratoi tarifën e re. Çmimet e reja hynë në fuqi rreth tre javë më parë. Kjo do të thotë se qytetarët tashmë paguajnë 75 përqind më pak për shërbimet kadastrale që i marrin”, thotë drejtori i Agjencisë Kadastrale.

Ai theksoi se kanë trashëguar rreth 5600 lëndë të mbetura që nuk janë zgjidhur as pas gjashtë e shtatë muajsh.

“Ka pasur raste që kanë pritur edhe pas një viti. Ne arritëm t’i zgjidhnim të gjitha. Kemi gjithashtu një rritje të të rejave tani. Bëmë një riorganizim të plotë të brendshëm. Për këtë, pas disa të shtunave të muajit punohet që të gjitha lëndët t’i përfundojmë dhe nuk ka ndërprerje”, tha Zhivkovski.