Dua Lipa në mesin e 400 muzikantëve të Britanisë që i dërguan letër qeverisë duke kërkuar mbrojtjen e krijimtarisë së tyre nga Inteligjenca Artificiale

Më shumë se 400 figura të njohura të industrisë kreative në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë yjet si Dua Lipa, Sir Elton John dhe Sir Paul McCartney, kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Keir Starmer, ku kërkojnë mbrojtje më të fortë të të drejtës së autorit dhe transparencë ndaj përdorimit të veprave krijuese nga […]

maj 10, 2025 - 14:00
 0  4
Dua Lipa në mesin e 400 muzikantëve të Britanisë që i dërguan letër qeverisë duke kërkuar mbrojtjen e krijimtarisë së tyre nga Inteligjenca Artificiale

Më shumë se 400 figura të njohura të industrisë kreative në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë yjet si Dua Lipa, Sir Elton John dhe Sir Paul McCartney, kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Keir Starmer, ku kërkojnë mbrojtje më të fortë të të drejtës së autorit dhe transparencë ndaj përdorimit të veprave krijuese nga kompanitë teknologjike që zhvillojnë inteligjencë artificiale.

Letra bën thirrje për mbështetje të një amendamenti në Projektligjin për Përdorimin dhe Qasjen në të Dhëna, i cili do t’i detyronte kompanitë që zhvillojnë AI të zbulojnë përmbajtjen kreative që përdorin për trajnimin e modeleve gjenerative, siç është ChatGPT.

Ky apel vjen pasi projektligji kaloi leximin e tretë në Dhomën e Komunave, ndërsa votimi përfundimtar në Dhomën e Lordëve pritet të mbahet të hënën, më 12 maj, shkruan DailyMail.

Në mesin e nënshkruesve janë emra të njohur nga bota e muzikës, televizionit dhe artit – përfshirë producentin Russell T Davies (Doctor Who), grupin Coldplay, këngëtaren Florence Welch, Robbie Williams, Mark Ronson dhe Annie Lennox, si dhe dhjetëra organizata nga sektori i artit dhe mediave.

Në letrën e përbashkët thuhet: “E drejta e autorit është gjaku jetësor i industrive kreative. Ajo garanton autoritetin moral mbi veprat tona dhe është burim i të ardhurave për 2.4 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë betejë janë përfshirë edhe kompani që përdorin apo zhvillojnë AI-në”.

“Nuk jemi kundër përparimit. Në fakt, industria kreative britanike ka qenë gjithmonë ndër të parat që ka përqafuar teknologjinë. Por nëse lejojmë që veprat tona të shfrytëzohen pa transparencë nga një numër i vogël kompanish të mëdha të huaja, do të rrezikojmë të ardhurat tona, statusin e Mbretërisë së Bashkuar si qendër kreative dhe vetë të ardhmen tonë”.

Baronesha Beeban Kidron, autore e amendamentit, deklaroi se industritë kreative në Britani jo vetëm që kontribuojnë në ekonomi dhe turizëm, por përbëjnë edhe një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor kombëtar.

“Nuk duhet të sakrifikojmë krijimtarinë njerëzore në favor të interesave të disa kompanive teknologjike amerikane. Britania ka mundësinë të jetë lider në zinxhirin ndërkombëtar të AI-së – por për këtë nevojitet transparencë dhe treg i drejtë për licencim”, tha ajo.

Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje që do të funksionojë si për krijuesit, ashtu edhe për sektorin e AI-së.

“Nuk do të bëjmë ndryshime pa qenë të bindur se ato i shërbejnë interesit të krijuesve. Po zhvillojmë një analizë të plotë për ndikimin ekonomik dhe do të shqyrtojmë të gjitha opsionet përpara se të marrim vendime përfundimtare”, tha ai.