Ekrem Lluka, Klodian Allajbeu i Spitalit Amerikan dhe të tjerët dalin në gjyq për shpëlarje parash

Prishtinë- Për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, është ndëprerë seanca fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Ekrem Llukës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, Igli Larashit dhe Edlira Malajt, të cilët akuzohen për shpëlarje parash përmes falsifikimit të dokumenteve. Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës

Mars 13, 2025 - 20:00
 0  4
Ekrem Lluka, Klodian Allajbeu i Spitalit Amerikan dhe të tjerët dalin në gjyq për shpëlarje parash
ekrem-lluka,-klodian-allajbeu-i-spitalit-amerikan-dhe-te-tjeret-dalin-ne-gjyq-per-shpelarje-parash

ekrem-lluka,-klodian-allajbeu-i-spitalit-amerikan-dhe-te-tjeret-dalin-ne-gjyq-per-shpelarje-parash

Prishtinë- Për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, është ndëprerë seanca fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Ekrem Llukës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, Igli Larashit dhe Edlira Malajt, të cilët akuzohen për shpëlarje parash përmes falsifikimit të dokumenteve.

Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” bashkë me Korab Llukën, Klodian Allajbeu aksionar dhe përfaqësues ligjor i “American Hospital Kosova” me Igli Larashin, drejtor ekzekutiv në atë Spital, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj po akuzohen se kanë shpëlarë para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës. Gjithë këto veprime, pesë të akuzuarit ngarkohen se i kanë bërë kur e kanë kuptuar se po hetohen nga ATK dhe Prokuroria Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtësi i Ekrem Llukës, avokati Dastid Pallaska tha se aktakuza fillestare ka qenë me defekte, për këtë arsye është kthyer në plotësim.

“Kjo akuzë fillestare ka qenë defektive dhe për pasojë gjykata është detyruar që të njëjtën ta kthejë në plotësim, sipas nenit 235, par. 4 të Kodit të Procedurës Penale”, tha avokati Pallaska.

Ai thotë se defektet e aktakuzës nuk janë eliminuar, për këtë arsye i kanë kërkuar Gjykatës aktakuzën fillestare dhe aktvendimn e 21 janarit 2025 për plotësimin e saj, por që deri tani nuk kanë pranuar as aktakuzën fillestare dhe as vendimin e lartpërmendur.

“Këto dy dokumente i kërkojmë që të na dorëzohen pasi që pa këto dokumente nuk mund të ushtrojmë në mënyrë efektive të drejtën tonë ligjore për të paraqitur kërkesë për hudhje poshtë të aktakuzës, për shkak se e njëjta është paraqitur në kundërshtim me ligjin”, tha Pallaska.

Ai theksoi se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës.

“Për shembull, me dokumentet e pranuara nga prokurori mungojnë disa nga shtojcat që përmenden në dokumentet e dorëzuara. Një shembull edhe pse jo i vetmi i një dokumenti të tillë është shtojca prej 35 faqeve e raportit të Policisë për zbatim të autorizimit të datës 14.05.2024, që e mban shenjën e prokurorit të shtetit si prova RR, po ashtu me shkresat e lëndës nuk na janë dorëzuar edhe dokumentet që nga shkresat tjera të lëndës duket se janë prezantuar dëshmitarët gjatë dëgjimit të tyre dhe çka është me rëndësi ndërlidhen me pretendimet kryesore të aktakuzës dhe parashtresës së prokurorit në lidhje me aktakuzën e plotësuar”, tha Pallaska.

Mospajisjen me të gjitha shkresat e lëndës, e paraqiti edhe përfaqësuesi i Spitalit Amerikan, avokati Virtyt Ibrahimaga.

Në fund, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili seancën e ndërpreu në mënyrë që mbrojtja të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës, dhe të radhës e caktoi më 20 mars.

Në aktakuzën fillestare të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, janë dhënë detaje se si këta pesë persona kishin prezantuar fatura dhe dokumente me subjekte që nuk ishin të regjistruara, me qëllim që të legjitimonin transaksionet bankare dhe të përfitonin mbi 3 milionë euro.

Edlira Malaj ngarkohet se ka falsifikuar dokumentin pasi si pronare e “Medbrand KS” kishe përdorur dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Malaj kishte përdorur dokumentin e falsifikuar- kontratën për shitblerje në mes të “Medbrand KS” dhe “American Hospital Kosova” e lidhur më 23.10.2014, ani pse “Medbrand KS” nuk kishte qenë si subjekt i regjistruar në atë kohë kur thuhet se është arritur marrëveshja.

Klodian Allajbeu aksionar në “American Hospital Kosova” dhe drejtori i këtij spitali, Igli Larashi akuzohen për falsifikim të dokumenteve pasi kishin përdorur dokumente të falsifikuara për shit-blerjen në vlerë prej 4, 703, 999, 98 (4.7 milionë euro) të datës 23.10.2014 në mes të shitësit “Medbrand Ks” dhe blerësit “American Hospital Kosova” dhe të njëjtat dokument ia kishin prezantuar  Administratës Tatimore të Kosovës. Në kohën kur është nënshkruar marrëveshje për shit-blerje, sipas aktakuzës, “Medbrand KS” nuk ishte si subjekt i regjistruar.

Pika tjetër e aktakuzës i ngarkon Edlira Malajn, Igli Larashin dhe Korab Llukën i cili ishte përfaqësues i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se kanë nënshkruar dokumente të falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme. Ata ngarkohen se nënshkruan në mars të vitit 2021 “Kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 23.12.2020 dhe e përdorën duke ia dorëzuar ATK-së, me qëllim të vënies në lajthim se kinse kishin nënshkruar para se ATK kishte filluar procedurat hetimore ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Malaj, Larashi dhe Lluka kishin kryer këtë veprim me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të pagesës prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro nga ana e “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës”.

Veç kësaj, pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Klodian Allajbeun, Edlira Malajn dhe Korab Llukën për nënshkrimin e dokumentit të falsifikuar dhe të rremë si “Aneks kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 22.03.2021 me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të faturës mes “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës” në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Edlira Malajn dhe Ekrem Llukën si pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se në bashkërkeyrje kanë nënshkruar dokument të falsifikuar dhe të rremë dhe të njëjtin ia kanë paraqitur AKT-së me qëllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në se kinse shitblerjen e pajisjesve nga “Qendra Kardiake e Kosovës” te “Medbrans Ks”.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon sërish Edlira Malajn bashkë me Korab Llukën për nënshkrim të dokumenteve të flasifikuara dhe të rreme me qëlllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në me qëllim për të justifikuar mosdeklarimin e faturës në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.

Klodian Allajbeu akuzohet se kishte përdorur tri dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Policinë e Kosovës me qëllim të vënies në lajthim të Policisë dhe Prokurorisë për blerje të pajisjeve nga “Medbrand KS” ne vlerë prej 4.703.999.98 euro, ishte marrë nga Bordi i “American Hospital Kosova” më 20 tetor 2014, edhe pse ishte në dijeni se me këtë datë “Medbrand KS” nuk ekzistonte si subjekt i regjistruar.

Pika tjetër i ngarkon sërish Edlira Malajn, Klodian Allajbeun dhe Igli Larashin, Ekrem Llukën dhe Korab Llukën se duke përdorë dokumente të falsifikuara arrijnë të realizojnë para të paligjshme në vlerë prej 3.482.000.00 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të maskojnë, të fshehin natyrën e burimit të vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzim si para të ligjshme.

“Ashtu që e pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin “Medbrand KS”, më 05.11.2014 se bashku me të pandehurin Klodian Allajbeu dhe Ekrem Llukën përpilojnë dokumentin e falsifikuar “Kontratë për shitblerje” datë 30.05.2014 sipas të cilit subjekti juridik “Medbrand KS” kinse dhe me qëllim të ekzekutojnë kontratën e lartëcekur gjatë vitit 2015 lëshojnë në qarkullim edhe dy fatura të falsifikuara të datës 24.07.2015 në vlerë 1.572.842.00 euro të lëshuar nga “Qendra Kardiake e Kosovës për “Medbrand Ks” dhe faturën e datës 27.07.2015 në vlerë prej 4.709.999.98 euro, të lëshaur nga “MEdbrand Ks” për American Hospital Kosova”, thuhet më tej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Malaj kishte përfituar shumën prej 3.131.158.00, ku pjesën më të madhe të këtyre mjeteve i transferon dhe i tërheq në Republikën e Shqipërisë si dividentë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kishte transferuar në Austri në llogari të saj dhe të djalit të saj Rigers Malaj.

Kështu, aktakuza i ngarkon për shpëlarje të parave Klodian Allajbeun, Ekrem Llukën, Korab Llukën, Igli Larashin dhe Edlira Malajn.

“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, subjektet juridike të pandehura 1. “Medbrand KS” Sh.p.k me person përgjegjës njëherit pronare Edlira Malaj, 2. “American Hospital Kosova” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit aksionar dhe përfaqësues ligjor Klodian Allajbeu dhe drejtor ekzekutiv Igli Larashi, 3. “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit pronar dhe përfaqësues ligjor Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 Euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumente të njëjta, arrijnë ti maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe ti konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe ti shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet më tej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, ata në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave”, e përcaktuar në nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.