Është paguar transheja e parë prej 10.4 milionë eurove për përkrahjen e kompanive në RMV

Sot, Ministria e Financave ka transferuar transhenë e parë prej 10.4 milionë eurove të mjeteve të destinuara për përkrahjen e kompanive vendore nga buxheti qendror në Bankën Zhvillimore, transmeton Portalb.mk. Transferimi është realizuar me kërkesë të Bankës Zhvillimore për tërheqjen e mjeteve dhe pas miratimit të projekteve nga bankat afariste. Në buxhetin e vitit 2025 […]

Mars 6, 2025 - 15:00
 0  4
Është paguar transheja e parë prej 10.4 milionë eurove për përkrahjen e kompanive në RMV
Ministria e Financave e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sot, Ministria e Financave ka transferuar transhenë e parë prej 10.4 milionë eurove të mjeteve të destinuara për përkrahjen e kompanive vendore nga buxheti qendror në Bankën Zhvillimore, transmeton Portalb.mk.

Transferimi është realizuar me kërkesë të Bankës Zhvillimore për tërheqjen e mjeteve dhe pas miratimit të projekteve nga bankat afariste.

Në buxhetin e vitit 2025 janë planifikuar 250 milionë euro mjete për përkrahjen e kompanive vendase, të cilat do ta stimulojnë zbatimin e një cikli të ri investimesh në sektorin privat, i cili do të ndikojë në stimulimin e aktivitetit ekonomik.

“Presim që kompanitë t’i identifikojnë kushtet e favorshme që kemi siguruar me këtë linjë kreditore dhe mjetet e planifikuara të shfrytëzohen plotësisht. Ky do të jetë stimulim i fuqishëm për ekonominë vendase dhe përkrahje, veçanërisht duke pasur parasysh kushtet më pak të favorshme në suaza globale”, ka shkruar ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në profilin e saj në Facebook.

Ajo shton se Ministria e Financave dhe Qeveria vijojnë të jenë partnerë të përkushtuar ndaj sektorit të biznesit.

Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që më vonë u zbulua se është Hungaria. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.