FE me pyetje deri te VLEN: Ku mbeti ligji për përfaqësim të drejtë?

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdon të mbetet në fokus të debateve politike. Në kuadër të pyetjeve të deputetëve në parlament opozita shqiptare akuzoi mazhornacën se po zbaton politika të degradimit dhe mospërfilljes së shqiptarëve në institucione, ndërsa nga qeveria u kundërpërgjigjën duke thënë se shkaktar për gjendjen e shqiptarëve […]

shkurt 12, 2025 - 21:00
 0  3
FE me pyetje deri te VLEN: Ku mbeti ligji për përfaqësim të drejtë?
Seanca konstitutive e Kuvendit të RMV-së pas zgjedhjeve parlamentare 2024. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdon të mbetet në fokus të debateve politike. Në kuadër të pyetjeve të deputetëve në parlament opozita shqiptare akuzoi mazhornacën se po zbaton politika të degradimit dhe mospërfilljes së shqiptarëve në institucione, ndërsa nga qeveria u kundërpërgjigjën duke thënë se shkaktar për gjendjen e shqiptarëve është BDI, e cila ka qenë në qeverisje për më gjatë kohë, shkruan Gazeta Koha.

Shqetësimin për (mos)përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në seancën për pyetje deputetësh e ngriti deputetja e Frontit Europian, Dijana Toska, e cila kërkoi sqarim nga ana e zv/kryeministrit për qeverisje të mirë Arben Fetai në lidhje me propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin faktori politik shqiptar në qeveri e ka paralajmëruar që nga muaji tetor.

“Nuk e kuptojmë pse pas 18 të enjteve nuk kemi parë asnjë draft të dokumentit, asnjë përpjekje të hapur për ta vërë atë në debat publik që ju e premtuar vet me gojën tuaj, ndërkohë keni folur për Balancuesin, se si ai nuk solli rezultate të dëshiruara, por ky balancues është vetëm një simbolikë e situatës suaj, një mjet i cili ndoshta kishte të metat e veta minore, por që tani po përdoret si alibi për të justifikuar stagnimin dhe mosmarrjen e vendimeve, si dhe mospërfilljen e shqiptarëve në parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë”, theksoi deputetja Toska, sipas të cilës shfuqizimi i balancuesit ishte një gabim i madh që degradoi pozitën e shqiptarëve, ndërkohë që subjektet politike shqiptare në qeveri ende nuk po mund të gjejnë një mekanizëm të përshtatshëm i cili do të zëvendësonte balancuesin.

“Si ndiheni ju ministër që e keni hartuar përpara një ligji që është ngrirë në letër, kur asgjë konkrete nuk po ndodh, cilat janë arsyet që bën që ky ligj i cili ka qenë në përgatitje për shumë kohë të ngec si një projekt i cili gjithmonë është së shpejti. Çfarë do të bëni, a do të vazhdoni të thoni së shpejti, deri sa kjo çështje të bëhet një tjetër premtim i humbur apo do të dëshmoni se me veprimet tuaja konkrete ky ligj është një prioritet i juaji?”, pyeti deputetja Toska, zëvendëskryeministrin Arben Fetai.

Ky i fundit në vend që të jep përgjigje konkrete për atë se ku ka ngecur ligji në fjalë i premtuar nga VLEN, hapësirën e tij kohore të përgjigjes e shfrytëzoi për të hedhur akuza në drejtim të BDI-së dhe Frontit Europian. Sipas Fetait, është turp që BDI të flet për përfaqësimin e shqiptarëve, pasi që për 22 vite nuk ka rregulluar përfaqësimin e shqiptarëve.

“Keni ardhur në pushtet për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit dhe MO-në e keni shkelur në çdo segment, keni bërë improvizime të njëpasnjëshme me balancuesin, me përfaqësimin, me decentralizimin, me gjuhën shqipe dhe ne jemi duke u marrur me problemet që ju na i keni shkaktuar për 22 vite me radhë”, theksoi Fetai. Më tej, Fetai numëroi me shifra disa institucione, të cilat, sipas tij, kanë qenë të papërfaqësuara nga shqiptarët në kohën kur ka qenë në qeveri Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Raporti i fundit i Avokatit të Popullit për sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat: Agjencia e Filmit – zero shqiptarë, e keni tabelën, Byroja për përfaqësimin e RMV-së pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – zero shqiptarë, Drejtoria për zhvillimin dhe promovimin e arsimit – zero shqiptar, AShAM – një shqiptar, Shtëpia Përkujtimore Nëna Terezë në Shkup – një shqiptar i punësuar, Fondi për Inovacion Teknologjik, një shqiptar i punësuar”, theksoi Fetai, i cili tha se është duke u punuar dhe se ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të finalizohet shumë shpejtë.

Përndryshe propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është premtuar që nga muaji tetor, kur edhe u shfuqizua mekanizmi i deklarimit të përfaqësimit etnik në administratën publike, i cili ndryshe njihet si balancuesi.

Pas shfuqizimit të “balancuesit”, në Republikën e Maqedonisë nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të etnive. Eksponentë të koalicionit VLEN nëpër daljet e tyre publike zotohen se po punojnë për përpilimin e ligjit të ri, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete.