RMV, sistemi i Europolit do të sigurojë të dhëna për llogaritë bankare të zyrtarëve të korruptuar
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Prokurorit Publik për përlidhje të Republikës së Maqedonisë së Veriut me” Eurojust”-in, ka mbajtur një takim online me përfaqësues të qendrës së specializuar analitike të Europolit përgjegjës për luftën kundër korrupsionit, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për vendosjen e bashkëpunimit të zgjeruar në rastet në […]
![RMV, sistemi i Europolit do të sigurojë të dhëna për llogaritë bankare të zyrtarëve të korruptuar](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/11/DSCN3212.jpg?fit=1024%2C768&quality=89&ssl=1)
![Prokuroria Themelore Publike Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/11/DSCN3212.jpg)
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Prokurorit Publik për përlidhje të Republikës së Maqedonisë së Veriut me” Eurojust”-in, ka mbajtur një takim online me përfaqësues të qendrës së specializuar analitike të Europolit përgjegjës për luftën kundër korrupsionit, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për vendosjen e bashkëpunimit të zgjeruar në rastet në fushën e korrupsionit, shkruan Portalb.mk.
“Bazuar në konkluzionet e takimit dhe vëzhgimet e mëparshme nga zbatimi i Udhëzuesit për prioritizimin e rasteve të veprave penale në fushën e korrupsionit dhe të interesit të veçantë publik, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot plotësoi atë udhëzues të detyrueshëm për rregullimin e procedurës për dhënien e të dhënave dhe informacioneve për llogari bankare, pronë apo objekte të interesit të korrupsionit të vendosura jashtë vendit. Personat me autoritet publik ose bartës të funksioneve publike, pra kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë në akte korrupsioni pavarësisht nga roli dhe statusi i tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas dispozitave të miratuara, thuhet tutje në kumtesë, nëse në rastet e veprave penale në fushën e korrupsionit ka informacione apo indikacione se të dyshuarit mund të posedojnë llogari bankare, pasuri apo objekte me interes që ndodhen jashtë vendit, është i detyrueshëm hetimi i rrethanave të tilla dhe prokurorëve publikë u jepet mundësia të përdorin ekspertizën dhe bazat e të dhënave të Europolit.
“Udhëzuesi u miratua kryesisht duke marrë parasysh kohëzgjatjen e gjatë të procedurave të bashkëpunimit ndërkombëtar, kështu që i jep përparësi kontrollit të indikacioneve dhe informacioneve për ekzistencën e llogarive bankare, pronave ose objekteve me interes të vendosura jashtë vendit përmes kanaleve të bashkëpunimit policor të Europolit, përpara se të fillojë procesi formal i dhënies së provave përmes bashkëpunimit ndërkombëtar”, thonë nga prokuroria.
Kontrollet do të kryhen përmes Qendrës Evropiane për Krimet Ekonomike dhe Financiare (EFECC) nga Ekipi i Krimeve Financiare – Projekti Analitik Anti-Korrupsion, me udhëzime që sqarojnë mënyrën se si është përgatitur një kërkesë e tillë, si dhe mënyrën se si është përcjellë kërkesa dhe afatet e veprimit.
“Masat e marra nga prokurorët publikë për verifikimin e rrethanave të mësipërme duhet të jenë pjesë përbërëse e raporteve që prokurorët publikë duhet t’i dorëzojnë në përputhje me udhëzimet e miratuara më parë”, përfundon komunikata.
Kujtojmë se, ditë më parë Maqedonia e Veriut shënoi rënie në Indeksin e korrupsionit. Problemet e vendit me korrupsionin i ka adresuar edhe Raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE.
Se sa është i lartë korrupsioni në Maqedoninë e Veriut tregon edhe përfshirja e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti në Listën e Zezë amerikane. Siç potencohet në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan, Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Eksponentë tjerë nga Maqedonia e Veriut, figura publike nga politika dhe gjyqësori, të përfshirë në Listën e zezë janë: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski, kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“, ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.
- LEXO: Artan Grubi vendosi të tërhiqet nga jeta publike pasi SHBA-të e futën në Listën e Zezë
- LEXO: Prokuroria ka formuar lëndë për Artan Grubin, Enver Bexhetin dhe të tjerët që janë në Listën e zezë amerikane
- LEXO: Ambasadorja amerikane në RMV: Lista e zezë e SHBA-së është dinamike dhe e hapur për emra të rinj
- LEXO: Ish-zëvendëskryeministri i BDI-së, Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion