Flaka analizon: Mbijetesa politike sipas Fetait: Logjikë që bie në peshën e fakteve

Redaksia Flaka Nga një paraqitje në tjetrën, Arben Fetai shfaqet gjithnjë e më kontradiktor. Ai qëndroi në VLEN dhe në qeveri edhe pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për ta The post Flaka analizon: Mbijetesa politike sipas Fetait: Logjikë që bie në peshën e fakteve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

qershor 22, 2025 - 01:00
 0  6
Flaka analizon: Mbijetesa politike sipas Fetait: Logjikë që bie në peshën e fakteve

Redaksia Flaka

Nga një paraqitje në tjetrën, Arben Fetai shfaqet gjithnjë e më kontradiktor. Ai qëndroi në VLEN dhe në qeveri edhe pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për ta braktisur këtë formacion, me arsyetimin se aty po shkileshin të drejtat e shqiptarëve dhe po ndodhte një margjinalizim i gjithanshëm. Megjithatë, në paraqitjen e tij të fundit, Fetai zgjodhi të thurë lavde për veten, duke theksuar se është rritur në Belgjikë dhe është formuar profesionalisht në zemër të Bashkimit Evropian – në Bruksel.

“Të dashur miq, të dashur aktivistë. Unë jam rritur në Belgjikë dhe jam formuar profesionalisht në Bruksel, mu në zemër të Bashkimit Evropian. Aty kam mësuar se politika nuk ka të bëjë me pushtet për hir të pushtetit, por me shërbim ndaj njerëzve, mbi të gjitha,” – deklaroi Fetai.

Por ky nuk ishte momenti i vetëm ku Fetai doli i zbuluar si politikan vetëpëlqyes. Ai shkoi më tej kur deklaroi se “VLEN është gjenerata e re e politikanëve shqiptarë”. Në fakt, Izet Mexhiti ka qenë për 22 vite pjesë e gardës së BDI-së, Bilall Kasami udhëheq Lëvizjen Besa prej një dekade dhe më herët ka qenë anëtar i BDI-së, ndërsa Zeqirja Ibrahimi ka qenë aktiv për një kohë të gjatë në rrethin politik të kësaj partie. Vetë Fetai ka mbi dhjetë vjet përvojë në politikë — herë në Kosovë pranë Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD, e herë në Maqedoni në ASH-në e Ziadin Selës, më pas të Arben Taravarit dhe tani pjesë e një grupi që e quan veten “Aleanca e Vërtetë”. Si mund të quhet “gjeneratë e re” një lidership që për 20 vite është ushqyer politikisht nga rrënjët e vjetra të BDI-së dhe PDSH-së?

“VLEN është shtëpia jonë e përbashkët, e çdo shqiptari që dëshiron dinjitet, barazi dhe progres. Ne jemi këtu për të dëshmuar se shqiptarët mund të jenë të bashkuar dhe të vendosur për të ndërtuar një vend më të drejtë, një shoqëri më të drejtë për të gjithë. Ka ardhur koha për një gjeneratë të re politikanësh, dhe koalicioni VLEN është pikërisht kjo,” – theksoi ai.

Në mënyrë të veçantë, përdorimi i termit “gjenerata e re” për një kastë që ka kaluar dekada në qarqet politike të vjetra është jo vetëm qesharak, por edhe fyes për inteligjencën e qytetarëve. Në vend që të ofrojë një vizion të ri, Fetai bie në kurthin klasik të populizmit moralist — ku ai vetë paraqitet si i pastër, ndërsa të gjithë të tjerët si të korruptuar.

Ai më pas sulmon dy figura që dikur i kishte mentorë – Ziadin Selën dhe Arben Taravarin – duke i akuzuar se “u ulën në prehrin e Ali Ahmetit për mbijetesë politike”. Por vetë dëshmon se VLEN i kishte ofruar ASH-së pesë komuna dhe disa drejtori për të qëndruar bashkë në zgjedhje. Kur Taravari ishte në qeveri, me poste ministrore dhe partiake, çfarë kuptimi ka të thuhet se “u bashkua me BDI-në për të mbijetuar politikisht”?

Edhe më kontradiktore është akuzat ndaj Ziadin Selës, i cili, pas largimit të Taravarit, refuzoi ofertën për t’u bashkuar me qeverinë. Si mund të etiketohet ky refuzim si “mbijetesë politike” kur pikërisht ai hoqi dorë nga pushteti?

“Për BDI-në dhe dy Aleancat që janë bashkuar aty dhe janë ulur dorë për dore në prehrin e Ali Ahmetit, ata nuk janë ulur aty për parime, janë ulur aty fatkeqësisht për mbijetesë politike. Përmes këtij plani, ata po tentojnë të rehabilitojnë BDI-në dhe të kthejnë në pushtet Artan Grubin, Ali Ahmetin dhe të gjithë të tjerët,” – përfundoi Fetai në sheshin “Skënderbeu”, gjatë promovimit të Shtabit Zgjedhor të VLEN-it.

Përfundimisht, me këtë gafë, Fetai duket se konfirmoi atë që prej kohësh dyshohej: në VLEN, mbijetesa politike është më e vështirë se jashtë saj. Ose siç mund ta përkthente vetë në versionin politik të “Big Brother-it”: nëse qëndron brenda, je i eleminuar; nëse del jashtë, ke shans të jesh finalist.

Qasja e Arben Fetait, ndonëse me ambalazh modern, nuk është as evropiane, as e re, e aq më pak parimore. Ajo është riciklim i një politike të vjetër, të paketuar me referenca perëndimore për të krijuar iluzionin e ndryshimit. Të flasësh për dinjitet, ndërkohë që ofron pazare për pushtet, dhe të thërrasësh në emër të moralit politik, ndërsa vetë ke qenë pjesë e çdo cikli interesash, është jo vetëm hipokrizi, por edhe një formë e vjetër e manipulimit publik.

Në fund të ditës, qytetari nuk mashtrohet nga fjalimet, por gjykon nga faktet. Dhe faktet tregojnë qartë: Arben Fetai është më shumë një produkt i sistemit të vjetër politik, sesa një zë autentik i së resë.

The post Flaka analizon: Mbijetesa politike sipas Fetait: Logjikë që bie në peshën e fakteve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .