Nga Madridi në San Siro: Luka Modric gati të shkruajë histori me Milanin
Milani është gati të finalizojë goditjen e dytë të madhe të merkatos verore: Luka Modric do të mbërrijë në Itali të hënën për të kryer testet mjekësore dhe për të firmosur kontratën e tij me kuqezinjtë. Sipas raportimeve të MilanNews, legjenda kroate do të jetë në Milano në fillim të javës së ardhshme. Ai do […]


Milani është gati të finalizojë goditjen e dytë të madhe të merkatos verore: Luka Modric do të mbërrijë në Itali të hënën për të kryer testet mjekësore dhe për të firmosur kontratën e tij me kuqezinjtë.
Sipas raportimeve të MilanNews, legjenda kroate do të jetë në Milano në fillim të javës së ardhshme. Ai do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore rutinë dhe më pas do të firmosë një kontratë njëvjeçare, që do ta mbajë në San Siro deri në qershor 2026, transmeton ORAinfo.
Pas zyrtarizimit, Modric do të marrë pushimet e tij të merituara, pas një sezoni të stërngarkuar ku ka zhvilluar 63 ndeshje, ka shënuar 4 gola dhe ka dhuruar 9 asistime në të gjitha kompeticionet. Ai pritet të bashkohet me grupin në Milanello në fillim të muajit gusht, siç ka konfirmuar edhe trajneri Massimiliano Allegri në konferencën e fundit për shtyp.
“Po e presim. Ai do të mbërrijë në gusht. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe shumë i rëndësishëm për ne,” – tha Allegri.
Transferimi i Luka Modric është një sinjal i fortë nga Milani për ambiciet e sezonit të ri. Me 28 trofe të fituar te Real Madridi – përfshirë 6 Champions League – dhe me Topin e Artë 2018, Modric është një nga mesfushorët më të mëdhenj të epokës moderne dhe lojtari më i dekoruar në historinë e madrilenëve.
Kuqezinjtë fitojnë jo vetëm një lojtar me cilësi të lartë teknike, por edhe një lider me përvojë të jashtëzakonshme dhe mentalitet fitues. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi. /ORAinfo/
