BE-ja dhe Meksika kritikojnë propozimin e Trumpit për tarifë 30%
Bashkimi Evropian dhe Meksika kanë shprehur zhgënjim pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump për vendosje të tarifës prej 30 për qind në importet e tyre nga 1 gushti. Meksika e ka kritikuar atë që e ka quajtur “marrëveshje të padrejtë” dhe ka insistuar që sovraniteti i saj është i panegociueshën, derisa shefja e BE-së, […]

Bashkimi Evropian dhe Meksika kanë shprehur zhgënjim pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump për vendosje të tarifës prej 30 për qind në importet e tyre nga 1 gushti.
Meksika e ka kritikuar atë që e ka quajtur “marrëveshje të padrejtë” dhe ka insistuar që sovraniteti i saj është i panegociueshën, derisa shefja e BE-së, Ursula von der Leyen ka kërcënuar me marrjen e “kundërmasave proporcionale”, nëse do të ketë nevojë.
Megjithatë, zyrtarë nga të dyja palët kanë thënë se dëshirojnë t’i vazhdojnë negociatat me Shtetet e Bashkuara.
Trump ka paralajmëruar që do të vendosë tarifa edhe më të larta në importe, nëse ndonjëra prej partnereve tregtare vendosë të hakmerret.
Këtë javë, Trumpi i ka bërë të ditura tarifat e reja edhe për mallrat e Japonisë, Koresë së Jugut, Kanadasë, Brazilit dhe disa vendeve tjera – përfshirë Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën – prej 1 gushtit.
Në letrën dërguar Bashkimit Evropian, Trump ka thënë se deficiti tregtar i SHBA-së përbën kërcënim të sigurisë.
“Ne kemi pasur vite për të diskutuar marrëdhënien tonë tregtare me BE-në dhe kemi ardhur në përfundim që duhet të heqim dorë nga ky deficit tregtar i madh, i vazhdueshëm dhe i kërcënuar nga tarifat, politikat dhe barrierat tregtare”, ka shkruar Trump në letrën drejtuar BE-në.
“Fatkeqësisht, marrëdhënia jona ka qenë larg reciprokes”.
Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan, Fox News, të transmetuar mbrëmjen e së shtunës, Trump ka thënë se disa shtete “janë shumë të shqetësuara”, por ka insistuar që tarifat nënkuptojnë se në SHBA po hyjnë qindra miliarda dollarë.
BE-ja ka qenë shënjestar e shpeshtë e Trumpit për kritika. Më 2 prill, ai pati propozuar 20 për qind tarifë në mallrat e bllokut evripian, ndërsa më vonë ka kërcënuar me rritje të tarifës prej 50 për qind, për shkak të bllokadës në procesin e negociatave.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë shpresuar në arritjen e një marrëveshjeje para afatit të fundit, më 9 korrik, mirëpo nuk është bërë ndonjë njoftim zyrtar për dakordim.
Në vitin 2024, deficiti tregtar amerikan me bllokun evropian ka qenë 235.6 miliardë dollarë, sipas zyrtarëve amerikanë për çështje tregtare.
Von der Leyen ka thënë se BE-ja vazhdon të jetë e gatshme për të punuar drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se “kundërshton ashpër” njoftimin e Trumpit.
Ai ka sugjeruar që nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, atëherë BE-ja duhet t’i përshpejtojë përgatitjet për kundërmasa kredibile.
Disa liderë tjerë të BE-së kanë bërë thirrje për marrëveshje me Trumpin.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka thënë se beson që mund të arrihet një “marrëveshje e drejtë”.
“Nuk ka asnjë kuptim që të nxitet luftë tregtare mes dy anëve të Atlantikut”, ka thënë ajo.
Deri më tani, presidenti amerikan ka arritur marrëveshje tregtare me dy vende – Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin – derisa bisedimet vazhdojnë edhe me shumë vende tjera.
Në fillim të prillit, Trump ka vendosur tarifë 10% për importet nga Kosova dhe ndaj pothuajse të gjithë partnerëve tjerë tregtarë.
Ekspertët kanë vlerësuar se tarifat amerikane do të kenë shumë ndikim në Kosovë, për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati thënë se zyra e saj e ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri – diçka që nuk ka ndodhur ende, as pas dhjetëra tentimesh./REL
