Gjithçka që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese sot, së paku edhe 5 muaj do të na zgjaten veshët duke pritur fatin e ligjit të gjuhëve

Maqedonia e Veriut do të presë së paku edhe pesë muaj për të kuptuar nëse gjuha shqipe do të vijojë të jetë gjuhë zyrtare ose përdorimi i saj publik do të kufizohet. Gjykata Kushtetuese sot vendosi të caktojë seancë përgatitore, synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e ligjit ndërsa […]

dhjetor 11, 2024 - 18:00
 0  6
Gjithçka që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese sot, së paku edhe 5 muaj do të na zgjaten veshët duke pritur fatin e ligjit të gjuhëve
Gjykata Kushtetuese

Maqedonia e Veriut do të presë së paku edhe pesë muaj për të kuptuar nëse gjuha shqipe do të vijojë të jetë gjuhë zyrtare ose përdorimi i saj publik do të kufizohet. Gjykata Kushtetuese sot vendosi të caktojë seancë përgatitore, synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e ligjit ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut, shkruan Portalb.mk.

Përkundër që bëhet fjalë për lëndën më të vjetër në gjykatën kushtetuese, interesi i qytetarëve për atë se çfarë do të vendosë gjykata nuk është ulur aspak. Andaj, gjykatësit sot kanë diskutuar nën shoqërimin e zërave që vinin nga protesta para objektit të gjykatës të organizuar nga Fronti Evropian.

“Nuk ka kohë ideale për të vendosur për këtë lëndë, kurdo që të vendosim, sensitiviteti i saj nuk bie” tha kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski.

Përkundër që Kostadinovski tha se po përballen me “dhunë politike dhe presion të hatashëm” – vendim për këtë lëndë tha se do të merret, edhe atë nga kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese.

“Seanca përgatitore mendoj që do to mbahet diku në fillim të muajit mars, pas përfundimit të kësaj, jo më shumë se 1 muaj do na duhet që të përgatisim referatin në përputhje me rezultatet e asaj séance dhe më së voni në muajin maj do të vendosim për këtë lëndë” tha Kostadinovski.

Kjo do të thotë që deri në maj, përdorimi i gjuhës shqipe do të bazohet në ligjin aktual për përdorimin e gjuhëve, më pas do të veprohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Amicus Curiae”, kërkesë e re deri te Komisioni i Venedikut

Elizabeta Dukosvka, gjykatësja referuese tha se deri te Komisioni i Venedikut do të kërkojë të përgatisin një dokument me ‘rekomandime miqësore’ nga ana e ekspertëve. Kjo nuk ndërlidhet me mendimin paraprak që ky komision e ka dhënë për ligjin.

“Bëhet fjalë për një kërkesë që mund ta bëjmë vetëm ne si Gjykatë Kushtetuese, kjo nuk ka të bëje me atë që e ka kërkuar Kuvendi ose Qeveria për ligjin e gjuhëve, janë dy mjete të ndryshme. Sapo të marrim këtë mendim nga Komisioni i Venedikut, do e thërras seancën përgatitore” tha Kostadinovski.

Rikujtojmë që ekspertë të Komisionit të Venedikut përmes një mendimi të dhënë kohë më herët, kontestojnë disa nene të ligjit për përdorimin e gjuhëve, që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe në procese gjyqësore, kartmonedha dhe uniforma.

Çka do të thotë seanca përgatitore?

Zakonisht, kur gjykatatësit nuk i kanë të qarta të gjitha punët për një lëndë të caktuar – vendosin për seancë përgatitore, në të cilën ftohen ekspertë nga fusha të ndryshme për të dhënë mendimin e tyre, përkatësisht për t’i ndihmuar gjykatës.

Nuk dihet se kush do të jenë ekspertët që do të ftohen në këtë seancë, fillimisht listën e ekspertëve e përgatitë gjykatësja referuese, që në këtë rast është Elizabeta Dukoska por më pas të gjithë gjykatësit kanë të drejtë të propozojnë emra.

Duke u përgjigjur pyetjes të Portalb, kreu i Kushtetueses Darko Kostadinovski tha “unë personalisht mendoj të ftoj edhe ekspertë nga Komisioni i Venedikut, le ta thonë edhe ata mendimin e tyre në lidhje me këtë.”

Jeton Shasivari, profesor universitar.
Jeton Shasivari, profesor universitar, foto nga arkivi personal

Jeton Shasivari, profesori i të drejtës kushtetuese për Portalb.mk tha se gjykata ka bë mirë që ka e ka marrë këtë vendim.

“Gjykata kushtetuese reflektoi ndaj gjithë situatës që paraprakisht u krijua në opinion dhe ky veprim i sotëm i Gjykatës është në interes të vendimmarrjes së drejtë, etnikisht neutrale, legjitime dhe të paanshme për Ligjin e përdorimit të gjuhëve që domethënë se Gjykata ende ka nevojë për përgatitje plotësuese në rrafshin shkencor dhe profesional përpara se të vendosë përfundimisht për çështjen e kushtetutshmërisë së këtij ligji” tha Jeton Shasivari, ekspert i Kushtetueses.

Sipas Shasivarit, është e rëndësishme që sot “nuk ka vendim meritor gjyqësor për ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe e dyta, nuk ka vendim për hapjen e procedurës.”

Vendimi për seancë përgatitore u mbështet nga të gjithë gjykatësit pjesëmarrës në seancë përpos gjykatëses Elizabeta Dukoska, e cila e kundërshtoi këtë ashpër, duke thënë se është humbje kohe e panevojshme.

“Këto seanca ftohen kur ne si gjykatës nuk kemi diçka të qartë, për shembull nëse kemi të bëjmë me lëndë që na nevojiten ekspertë të urbanizmit, por jo për këtë lëndë. Kush mund të vije këtu neve të na tregojë nëse një ligj është antikushtetues ose jo? Askush” tha Kacarska dhe votoi kundër.

Që sot nuk do të ketë vendim final, kryeministri Mickovski paralajmëroi para 3 ditëve

“Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë” kishte deklaruar Mickovski para tre ditësh, në pyetjen e gazetarëve për vendimin e mundshëm të gjykatësve kushtetues.

Portalb-i pyeti kreun e Gjykatës Kushtetuese për atë se kush e informon kryeministrin Mickovski për vendimet që do të merren në këtë gjykatë, por sipas Kostadinovskit, gjithçka është rastësore.

“Irrelevante është se çka ka deklaruar kryeministri Mickovski, ne morrëm vendim, ne po veprojmë për këtë lëndë, por edhe mos të kishim vendosur për seancë përgatitore, ne gjithsesi sot nuk do të mund të merrnim vendim sepse ka procedura, faza e parë është deklarimi i dyshimeve, në fazën e dytë merret vendimi ajo është gjithmonë pas 2,3,4 muajve” tha Kostadinovski.

Kostadinovski kërkoi nga të gjithë politikanët të përmbahen dhe të ‘mos i kalojnë vijat e kuqe’ kur komentojnë për proceset gjyqësore. Sipas tij, ‘politikanët do i kenë fajët nëse pas pesë vitesh përsëri etiketohemi si shtet i kapur apo regjim hibrid.’

Përpos kësaj, Kostadinovski tha se Gjykata Kushtetuese gënjen kush thotë se gjykata kushtetuese ka vendosur në pikëpyetje të drejtën për përdoriin e gjuhës shqipe. Ai tha se këtë të drejtë e garanton Kushtetuta dhe ndryshimin e Kushtetutës e bën vetëm Kuvendi, jo Gjykata Kushtetuese.

  • Deklaratën e plotë të Kostadinovskit mund ta ndiqni duke klikuar KËTU

Fronti Evropian ka kujdestaruar para Gjykatës Kushtetuese për dy ditë me qëllim të kryerjes së presionit të gjykatësve që të mos shfuqizojnë ligjin për përdorimin e gjuhëve, por përkundër që ende nuk ka vendim final për këtë, ata vendosën që sot t’i heqin tendat dhe të përmbyllin aksionin. VLEN nga ana tjetër ka cilësuar si ‘sukses’ të tyre faktin që Gjykata Kushtetuese nuk morri vendim sot për shfuqizimin e ligjit.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venedikut.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.