RMV, gjykata shqiptoi paraburgim për nëntë persona në rastin “Aditivi”
Pas aksionit të djeshëm dhe urdhrit të miratuar për zbatimin e procedurës hetimore ndaj 23 personave, prokurorët e lëndës sot i kanë dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozime për caktimin e masës së paraburgimit për nëntë të dyshuar. Deri më tani janë pranuar propozimet për tetë të dyshuar, ndërsa për […]
Pas aksionit të djeshëm dhe urdhrit të miratuar për zbatimin e procedurës hetimore ndaj 23 personave, prokurorët e lëndës sot i kanë dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozime për caktimin e masës së paraburgimit për nëntë të dyshuar. Deri më tani janë pranuar propozimet për tetë të dyshuar, ndërsa për një person gjyqtari i procedurës paraprake duhet të marrë vendim deri në fund të ditës së sotme, njoftuan nga Prokuroria, transmeton Portalb.mk.
“Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet, ndërsa për mbarëvajtjen e procedimit penal, prokuroria i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake që ndaj të dyshuarve të tjerë të caktohen masa sigurisë si masë më e lehta për sigurimin e pranisë së tyre, konkretisht: ndalim për t’u larguar nga vendbanimi, detyrimi për t’u paraqitur herë pas here te një zyrtar i caktuar ose te organi kompetent shtetëror i caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, si dhe konfiskimi i përkohshëm i një dokumenti udhëtimi ose tjetër për kalim të kufirit shtetëror, pra ndalimi i dhënies së tij dhe ndalimi i afrimit ose vendosjes, pra mbajtja e kontakteve ose e marrëdhënieve me persona të caktuar”, thonë nga Prokuroria.
Prokurorët sot kanë dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale pesë propozime për masa të përkohshme për sigurimin e pasurisë së disa prej të dyshuarve.
Gjatë bastisjeve të djeshme janë gjetur dhe konfiskuar para të gatshme në shumën totale prej 208.000 euro, mbi 30 telefona celularë, kompjuterë, laptopë, USB stikë, një veturë BMW dhe dokumentacion i gjerë në lidhje me ngjarjen penale.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike njoftoi dje që në kuadër të aksionit “Aditiv” janë duke u hetuar 23 persona të cilët dyshohet për kryerjen e veprave penale gjatë shfrytëzimit të parasë publike.
Procedurat parahetimore dyjavore kishin filluar prej 21 nëntorit, ndërsa me 11 dhjetor në orët e hershme të mëngjesit filloi aksioni policor nën udhëheqjen e dy prokurorëve publik.
Në bazë të 77 kërkesave për bastisje, prej 27 nëntorit e deri më 9 dhjetor janë kryer bastisje në lokacione të ndryshme në Manastir, Negotinë, Veles, Kërçovë dhe Shkup. Në bazë të kësaj, prokurorët publik kanë dhënë Urdhër për zbatimin e hetimeve ndaj 23 personave për keqpërdorimin e parasë publike, pagesave, detyrës zyrtare dhe kundër trafikut të ligjshëm.
Të dyshuarit, me vetëdije në periudhën 13.04.2023-23.08.2024 si zyrtarë në Sh.A. “EMV” dhe “Posta e Maqedonisë së Veriut”, kanë krijuar grup që kanë keqpërdorur thirrjet publike, kontratat publike-private, pozitën zyrtare dhe autoritetin dhe kanë shpërlarë para, vepra të dënueshme në bazë të Kodit Penal.
Ata i kanë mundësuar operatorëve ekonomik zbatimin e procedurave për blerjen e aditivëve për thëngjill, duke arritur përfitime në vlerë prej 397 miliard denarë. Me qëllim fshehjen e gjurmëve për veprat e kryera penale, ata në periudhën 24.11.2023-28.06.2024 kanë qarkulluar mjete financiare në vlerë prej 414.766.400 denarë.
Prokuroria sqaroi që aksioni është në rrjedhë dhe janë duke u siguruar materiale dëshmi në bazë të të cilave prokuroria do të marrë vendim për të dyshuarit.
Ndryshe, këto persona dyshohen për organizim të një shoqate kriminale për shpërdorim të thirrjes publike për prokurimin e aditivëve, e cila ka shkaktuar një dëm prej 6.5 milionë euro. Vasko Kovaçevski, ish-drejtor i EMV-së dhe ish-anëtar i Bordit Drejtues të kompanisë, është një nga emrat e njohur të përfshirë në aksionin e MPB-së më 10 dhjetor për zbardhjen e disa veprave që kanë të bëjnë me krimin epik në REK Manastir, TC Oslomej dhe TC Negotina, për të cilën flitet prej kohësh. Mes të dyshuarve janë: Pece Matevski, Ardian Muça, Danço Stojanovski, Maja Jordanova, Nebojsha Stojanoviq.