Fronti Evropian dhe VLEN mos shfuqizimin e ligjit për gjuhët e konsiderojnë si sukses të tyre

Të gjitha partitë politike shqiptare shpallën si sukses të tyre faktin që sot Gjykata Kushtetuese nuk vendosi për shfuqizimin e gjuhës shqipe. Fronti Evropian thotë se kjo është pasojë e presionit përmes ‘tendave’ ndërkaq VLEN thonë se në fakt ata nuk kanë lejuar degradimin e gjuhës shqipe, shkruan Portalb.mk. Bashkimi Demokratik për Integrim ka shkruar […]

dhjetor 11, 2024 - 18:00
 0  5
Fronti Evropian dhe VLEN mos shfuqizimin e ligjit për gjuhët e konsiderojnë si sukses të tyre
Seanca e Gjykatës Kushtetuese, foto nga Ardit Ramadani, Portalb.mk

Të gjitha partitë politike shqiptare shpallën si sukses të tyre faktin që sot Gjykata Kushtetuese nuk vendosi për shfuqizimin e gjuhës shqipe. Fronti Evropian thotë se kjo është pasojë e presionit përmes ‘tendave’ ndërkaq VLEN thonë se në fakt ata nuk kanë lejuar degradimin e gjuhës shqipe, shkruan Portalb.mk.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka shkruar në ‘Fejsbuk’ se ata kanë parandaluar zhbërjen e gjuhës shqipe, duke aluduar në aksionin e tyre me tenda para gjykatës.

“Gjykata Kushtetuese nuk hodhi poshtë 13 iniciativat tendencioze kundër gjuhës shqipe.

Sot parandaluam sakatimin e gjuhës sonë, zhbërjen e saj, duke përgatitur Kushtetuesja referat ku propozoheshte shfuqizimi i 18 dispozitave të ligjit, pa asnjë argument profesional.” shkruan BDI-ja.

Koalicioni ‘VLEN’ nga ana tjetër thanë që gjuha shqipe nuk është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese pasi ata janë pjesë e qeverisë dhe e kanë mbrojtur atë.

“Atë që kemi thënë javë më parë, sot u konfirmua. Sot nuk ndodhi asgjë dhe asnjëherë nuk do të lejojmë degradimin e gjuhës shqipe. Sot triumfoi faktorizimi i VLEN-it, si pjesë e kësaj qeverie demokratike. Kur ne thamë që shqipja nuk do të preket kështu edhe ndodhi. Ne sot nga këtu e themi se shqipja do të avancohet edhe më shumë edhe më mirë”, tha Rijad Shaqiri nga VLEN.

Lidhja Social Demokrate (LSDM) ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos bjerë nën presion politik.

“Ne dënojmë fuqishëm politizimin dhe manipulimin e çështjeve të ndjeshme, të cilat kanë potencial të prishin stabilitetin e shtetit dhe të sfidojnë bashkëjetesën. Kjo praktikë e nxitjes së tensioneve, siç e kemi parë nga disa aktorë politikë, nuk kontribuon në zgjidhjen e problemeve, por përkundrazi i thellon ato. Përgjegjësia për të ardhmen e vendit tonë është e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë të abuzojë me ligjin për përdorimin e gjuhëve për interesa të ngushta partiake”, thonë nga LSDM.

Partia më e madhe në vend VMRO DPMNE-ja nuk ka reaguar sot. Rikujtojmë që kjo parti është një prej 13-të kontestuesve të ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht janë palë në këtë proces.

Maqedonia e Veriut do të presë së paku edhe pesë muaj për të kuptuar nëse gjuha shqipe do të vijojë të jetë gjuhë zyrtare ose përdorimi i saj publik do të kufizohet. Gjykata Kushtetuese sot vendosi të caktojë seancë përgatitore, synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e ligjit ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venedikut.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.