Në EVN kanë arritur 1.385 ankesa për faturat e energjisë elektrike

Faturat e larta të energjisë elektrike gjatë dimrit, kur konsumi rritet pothuajse në të gjitha shtëpitë, shkaktojnë shqetësim të madh për qytetarët në Maqedoninë e Veriut. Shumë prej tyre vendosin t’i shkurtojnë vuajtjet e tyre dhe ta provojnë fatin duke bërë ankesa deri tek institucionet kompetente, me shpresë se faturat e larta të energjisë elektrike […]

shkurt 8, 2025 - 15:00
 0  4
Në EVN kanë arritur 1.385 ankesa për faturat e energjisë elektrike
EVN Maqedoni e Veriut, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Faturat e larta të energjisë elektrike gjatë dimrit, kur konsumi rritet pothuajse në të gjitha shtëpitë, shkaktojnë shqetësim të madh për qytetarët në Maqedoninë e Veriut. Shumë prej tyre vendosin t’i shkurtojnë vuajtjet e tyre dhe ta provojnë fatin duke bërë ankesa deri tek institucionet kompetente, me shpresë se faturat e larta të energjisë elektrike deri diku edhe do të korrigjohen. Vetëm për një muaj në adresën e EVN-së kanë arritur 1.385 kërkesa për korrigjim të faturave të energjisë elektrike. Ata që nuk kanë arritur të bëjnë korrigjim në EVN, janë drejtuar edhe pranë Komisionit Rregullator të Energjetikës me shpresë se do t’i shpëtojë nga faturat e larta, transmeton Portalb.mk.

Nga EVN Home në një deklaratë për DW thanë se në nivel shtetëror në janar të këtij viti kanë pranuar 1.385 kërkesa për korrigjim të faturave, ndërkohë që në dhjetor të vitit 2024 898 kërkesa. Krahasuar me vitet e kaluara, nga kjo kompani thonë se numri i ankesave është në rënie, edhe pse sipas qytetarëve faturat e energjisë elektrike nga viti në vit janë gjithnjë e më të larta. 

Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë (janar 2024) kompania ka pranuar 1.857 kërkesa për korrigjim të faturave, ndërsa 923 kërkesa në dhjetor të vitit 2023. Mesatarisht, në dhjetor dhe janar ka rreth 18% më pak kërkesa për korrigjime të faturave në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2023 dhe në muajin janar të vitit 2024”, thanë nga EVN.

Në EVN janë dorëzuar 1.385 ankesa për faturat e energjisë elektrike,

Ankesa janë dorëzuar edhe pranë KRRE-së

Një pjesë e qytetarëve të cilët nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga EVN për korrigjimin e faturave të larta i janë drejtuar edhe Komisionit Rregullator të Energjetikës. Nga KRRE për DW thanë se për momentin kanë pranuar vetëm dy ankesa, të cilat i vlerësojnë si një numër të parëndësishëm krahasuar me atë në vitet e kaluara. Vitin e kaluar në muajin shkurt ka pasur rreth 30 ankesa, ndërsa në fillim të vitit 2023 – për fatura të larta të energjisë elektrike janë ankuar rreth shtatëdhjetë qytetarë.

Sipas Rregullave për procedimin e ankesave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nëse konsumatorët janë të pakënaqur me furnizuesin (lartësia e faturës, cilësia e shërbimit), fillimisht duhet të drejtohen pranë EVN Home, e pastaj nëse refuzohen nga atje, të dorëzojnë ankesë pranë KRRE-së. Praktikisht, në këtë proces Komisioni Rregullator i Energjetikës është autoritet dytësor.

“Nuk ka ndonjë formular specifik të paraparë për ankesat që dorëzohen pranë KRRE-së dhe konsumatorët gjatë ankesës në KRRE duhet të dorëzojnë edhe një kopje të ankesës së parashtruar në EVN Home, përgjigjen nga EVN dhe një kopje të faturës për të cilën ata ankohen, pas çka KRRE do të marr një vendim të duhur. Pala e pakënaqur mund të iniciojë një kontest administrativ kundër vendimeve të KRRE-së”, shpjegojnë nga organi rregullator.

Qytetarët duhet t’i lexojnë matësit e tyre

Për t’i evituar gabimet në llogaritje, të cilat e rëndojnë buxhetin e qytetarëve, autoritetet kanë theksuar vazhdimisht se secili nga konsumatorët duhet t’i kontrollojë dhe t’i lexojë matësit e vet. Kjo mundësi u prezantua disa vite më parë. Statusin e matësit të cilin qytetari e lexon EVN detyrimisht duhet ta zbatojë në faturat e tyre.

Edhe qytetarët në rrjetet sociale i këshillojnë të njohurit e tyre që t’i kontrollojnë rregullisht faturat e energjisë elektrike, pasi siç thonë ata, kanë vënë re se në ditë të caktuara energjia elektrike tarifohet me tarifa të larta, si për konsumatorët e bllokut të katërt.

“Edhe sikur të mihja Bitcoin, nuk do të përdorja 200 kilovat orë në ditë”, komentojnë qytetarët e pakënaqur në rrjetin X.

Pakënaqësi ka edhe te mjekët amë, të cilët kanë marrë fatura të larta për ambulantat dhe kërkojnë që në shëndetësi energjia elektrike të mos tarifohet me tarifë industriale.

Sa është rritur çmimi i energjisë elektrike?

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që nga janari i këtij viti kanë marrë fatura të energjisë mesatarisht më të larta për 0,92 përqind, nëse kanë konsum mesatar në bllokun e parë, të dytë dhe të tretë. Kishte njoftime se në bllokun e parë çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 0,68%, për 0,90% për përdoruesit në bllokun e dytë, për 1,93% për bllokun e tretë dhe për 2,24% për konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike në bllokun e katërt. Kjo do të thotë se për një amvisëri mesatare në vend me një faturë prej 2.300 denarë shpenzimet për energji elektrike janë dashur të rriten për 21 denarë.

Nga KRRE njoftuan edhe se pjesa e tarifës së rrjetit që e paguajnë amvisëritë dhe 90% e konsumatorëve të vegjël do të ulet për 7%. Më parë tarifa e rrjetit për amvisëritë ishte 2,3 denarë, ndërsa tani është 2,14 denarë. Përqindja e shpenzimeve të rrjetit është 38%.

Por, nga LSDM thonë se faturat që i kanë marrë qytetarët janë deri në 30% më të larta.

“Qytetarët po reagojnë se faturat e muajit janar janë rritur për 20%, e në disa raste edhe për 30%. Qytetarët nga Prilepi, Velesi dhe Kumanova të cilët na i kanë dërguar faturat në muajin janar kanë paguar nga 8.000 denarë ose 2.000 denarë më shumë për energji elektrike se sa muajin e kaluar. Kjo është 30% më shumë para, fatura më të larta. Për faturat jashtëzakonisht të larta të energjisë elektrike ankohen edhe kompanitë”, thonë nga partia opozitare, sipas së cilës kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të qeverisë së Mickoskit për heqjen e subvencioneve për energjinë elektrike.